Zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime

Marrëveshja e re ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për nxitjen e investimeve është nënshkruar të hënën në Prishtinë mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe delegacionit të Qeverisë amerikane, i udhëhequr nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, Adam S. Boehler. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në konferencën e përbashkët për media, zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime për projektin e “Autostradës së paqes”, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

Emisari Grenell ka thënë se ardhja e tyre në Prishtinë është provë e përkushtimit për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Trump. Edhe një herë presidenti na tha: ‘Tash shkoni ta zbatoni atë që u nënshkrua në Washington’. Ai është person me orientim të drejtpërdrejtë kah veprimi”, ka thënë Grenell.

Sa u përket kritikave për marrëveshjen e Washingtonit, Grenell ka shtuar se nuk u jep shumë rëndësi deklaratave të politikanëve.

“Fakt është që marrëveshja flet vetë, zbatimi është duke ardhur. Dua t’iu flas njerëzve që nuk janë të politizuar, atyre që kanë vështirësi t’i paguajnë faturat apo ata që kanë braktisur vendin. Ata duhet të flasin, ata duhet të dëgjohen. Kapja e debatit nga politikanët ka shkaktuar vështirësi. Bizneset amerikane dhe ato evropiane janë të frustruara që nuk po mund të ecin përtej betejës tipike politike”, ka theksuar Grenell.

Sipas tij, brenda 30 ditëve Departamenti Amerikan i Energjisë do ta realizojë një studim fizibiliteti për të hulumtuar resurset e Kosovës në funksion të krijimit të vendeve të punës.

Ndërkaq Adam Boehler, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, ka folur për qasjen që administrata aktuale amerikane e ka në raport me rajonin, e që, sipas tij, nuk mund të përfitojë vetëm një palë.

DEKLARATA E PËRBASHKËT – DOKUMENT

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.