Ballina / KOSOVA / Zyrtare: Amerika nuk ia dha vizën Kryeministrit Haradinaj
Haradinaj

Zyrtare: Amerika nuk ia dha vizën Kryeministrit Haradinaj

Një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së i ka thënë mediave amerikane se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marrë vizën”.

Por, sipas burimeve të infoGlobit kjo nuk do të thotë se viza i është refuzuar. Ajo mund të jetë ende në procedurë dhe e njejta mund t’i lëshohet kryeministrit para Lutjeve të Mëngjezit, festë kjo që shënohet në ShBA në fillim të çdo shkurti.

Nga kabineti qeveritar kanë konfirmuar se “Haradinaj ende nuk ka marr vizën amerikane”. Madje këtu kanë shtuar se vonesa e marrjes së vizës pjesërisht është rezultat i “fajit tonë, sepse është aplikuar me vonesë”.

Këtu gjithashtu kanë thënë se kabineti qeveritar nuk ka informacione për refuzim të vizës.

“Nuk ka asnjë refuzim. Ka pasur një vonesë në procedura të përgatitjes kur bëhet fjalë për Iowa. Por, tani gjithçka është ende në procedurë të pritjes”, thonë në zyrën e zotit Haradinaj.

Haradinaj pritej të merrte pjesë më 11 janar në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, ka thënë për REL kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s.

“Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë. Nuk jemi në dijeni nëse viza është refuzuar”, ka shtuar ai.

Të dielën , mediat vendore kanë raportuar se Ambasada Amerikane ia ka refuzuar kryeministrit Haradinaj vizën për të udhëtuar në SHBA.  Vetë Haradinaj ka thënë se ende është duke pritur ta marrë vizën dhe ka shpjeguar se e njejta është ende në procedurë.

“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, kishte shkruar Haradinaj të dielën në Facebook.

Ky zhvillim pason kritikat e komunitetit ndërkombëtar pas përpjekjeve të ligjëvnësve të Kosovës për të ndryshuar ligjin për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte.

LEXO EDHE: Quint: Shfuqizimi i Speciales, është votë kundër shteteve tona

VV pozicionohet kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale

Thaçi injoron kërkesën e SHBA-ve për Gjykatë Speciale

Peticioni që ngjalli entuziazëm – mbi 8 mijë nënshkrime për disa orë

“Trima” përballë amerikanëve, të dhjerë përballë Devollëve

THEKSE

“Presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë. Krijimi i Dhomave të Posaçme ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmojë përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit” thuhej në reagimin e fundit të shteteve të QUINT-it, ku bëjnë pjesë SHBA-të, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Realisht është hera e parë që QUINT ka kërkesë direkte , sipas të cilës shtetet inkurajohen që të arrestojnë e hetojnë secilin shtetas të Kosovës që dyshohet se ka kryer krime lufte . Pra, edhe po të shfuqizohet Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës, janë shtetet e tjera që të dyshuarit do t’i ndjekin penalisht, kurdo që i zënë në territorin e tyre./INFOGLOBI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.