Ballina / KOSOVA / Zvicra do të ekstradojë dy të dyshuar për vrasjen e vitit 2014
shiriti i krimit

Zvicra do të ekstradojë dy të dyshuar për vrasjen e vitit 2014

Gjykata Penale Federale e Zvicrës ka pranuar ekstradimin e dy shtetasve zviceranë me prejardhje nga Kosova, të dyshuar për nxitjen e një vrasjeje në qershor të vitit 2014. Biznesmeni Bekim Raja dhe Leonard Pnishi u arrestuan në qershor të vitit të kaluar, në Zvicër, sipas një urdhërarresti kosovar.

Pas vetëm gjashtë muajve pas arrestimit, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, ka arritur të bindë një gjykatë federale të Zvicrës se ka mjaftueshëm prova që dy të dyshuarit Bekim Raja dhe Leonard Pnishi, të dy me prejardhje nga Gjakova, të ekstradohen për t’u gjykuar në Kosovë për porositje të një vrasjeje.

Raja dhe Pnishi ishin arrestuar më 28 qershor 2017 në Zvicër, me anë të një urdhër-arresti kosovar të lëshuar ndaj tyre në mars të të njëjtit vit. Aktualisht, të dy janë të paraburgosur në burgun e Lenzburgut, në afërsi të kantonit të Aargaut.

Ata dyshohen se nxitën vrasjen nga pusia të 38-vjeçarit nga Gjakova, Ferdinand Gjini, mëngjesin e 23 qershorit 2014 në fshatin Llukë të Deçanit, duke çuar në 5 numrin e të dyshuarve për këtë vrasje.

Prokurorja e rastit, Valbona Dishaj-Haxhosaj, të enjten, konfirmoi për Gazetën Express se autoritetet zvicerane, më 22 dhjetor 2017 kanë nxjerrë aktgjykim për ekstradimin e dy të dyshuarve në Kosovë. Rrjedhimisht, ekstradimi i tyre pritet të kryhet brenda pak kohe, pasi Kosova ka dhënë garancinë për gjykatën zvicerane se të arrestuarit do të trajtohen sipas konventave ndërkombëtare.

Për vrasjen në pritë të Ferdinand Gjinit, më 27 qershor 2016, Gjykata Themelore e Pejës kishte dënuar me 18 vjet burgim Gjon Pnishin. Por, pak muaj pas, gjatë shqyrtimit të rastit në Apel, i dënuari pranoi të bashkëpunojë më Prokurorinë e Shtetit në zbardhjen e rastit në fjalë.

Pretendimet e Pnishit çuan në kthim të rastit në rigjykim dhe dy arrestime të reja në fillim të marsit 2017. Në ditën e parë të këtij muaji, Policia arrestoi Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj nga Deçani, për të njëjtin rast. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim. Ndërkohë, Gjykata Themelore e Pejës, me kërkesë të prokurores së rastit, po atë muaj nxori një urdhërarrest ndërkombëtar ndaj Rajës dhe Pnishit, shtetas të Zvicrës, me prejardhje nga Kosova.

I dyshuari Bekim Raja është afarist i njohur në Zvicër. Ai ka në pronësi një kompani të patundshmërive, ndër më të mëdhatë në Zvicrën Qendrore. Raja në shkurt të vitit 2015, bashkë me gruan e tij, kanë qenë të dënuar në Zvicër, nga Gjykata e Qarkut në Aarau, për mashtrim të shumëfishtë në shitjen e patundshmërive. Edhe i dyshuari tjetër si “partner i krimit”, Leonard Pnishi, llogaritet të jetë edhe partner biznesor i Rajës.

Mediet zvicerane kanë raportuar se biznesmeni Raja po përdor të gjitha mjetet e mundshme juridike për t’i shpëtuar veten dhe Pnishin nga ekstradimi, gjegjësisht rënia në duar të autoriteteve kosovare.

Ferdinand Gjini, 38 vjeç, ishte vrarë mëngjesin e 23 qershorit 2014, në një pritë tek ura që lidh fshatin Llukë me atë Prapaqan të Deçanit. Vetura e tij “Pasat” u qëllua me një breshëri plumbash të një arme automatike, derisa ai ishte në lëvizje.

Hetuesit dhe Prokuroria kishin siguruar imazhe me video të kamerave të sigurisë të disa lokaleve përgjatë rrugës Gjakovë-Deçan që shfaqin viktimën Gjini dhe Gjon Pnishin – personin që pranoi bashkëpunimin me prokurorinë pasi u dënua për këtë vrasje – duke ecur në kolonë me vetura të ndara, njëri pas tjetrit.

Disa prej incizimeve në fjalë, të marra nga kamerat e sigurisë në kullën e Gecëve në fshatin Llukë, pak metra para se të arrihet tek ura ku u krye vrasja me 7 fishekë të pushkës automatike, kishin vërtetuar se në drejtim të fshatit Prapaqan kishte lëvizur fillimisht i dyshuari Gjon Pnishi me një veturë të zezë, e 7 sekonda pas tij ka qenë në lëvizje viktima Ferdinand Gjini me veturën “Pasat”, thuhej në aktgjykimin ndaj Gjon Pnishit, të 27 qershorit 2016.

Po ashtu, në veturën “Pasat” të viktimës Ferdinand Gjini, hetuesit, në ditën kur ndodhi vrasja, kishin gjetur në telefonin e të vrarit mesazhe dhe thirrje telefonike nga i dyshuari Gjon Pnishi, pikërisht në ditën kritike, dhe para nisjes për në Deçan. /M.Gj./GazetaExpress/.

Check Also

droga

Droga po shitet në Kosovë edhe përmes postës

Dilerët e drogës së fundi po praktikojnë një mënyrë të re të shit-blerjes së drogës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *