Zhbllokohen llogaritë bankare të Postës së Kosovës

Zyrtarë të Postës së Kosovës kanë njoftuar se janë zhbllokuar llogaritë bankare të saj, të cilat janë bllokuar të enjten nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Zhbllokimi i llogarive ka ndodhur pas dy takimeve që kanë zhvilluar në orët e pasdites, të premten, zyrtarë të Postës së Kosovës me ministren e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, dhe me drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj.

“Këto takime ishin mjaft miqësore dhe rezultuan me konfirmimin, sot pasdite, të zhbllokimit të xhirollogarive bankare të Postës së Kosovës, ndërsa mbetet të shpresojmë edhe në realizimin e premtimeve të dy ministrave në përkrahjen e Postës së Kosovës, në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”, thuhet në një komunikatë për media të Postës së Kosovës.

Bllokimi i llogarive të Postës është bërë të enjten nga Administrata Tatimore, për shkak të një borxhi ndaj kësaj administrate, në vlerë prej rreth 1.3 milion eurosh, që është grumbulluar gjatë periudhës 2019-2020.

Edhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se “gjatë ditës së premte kanë arritur një marrëveshje me Postën e Kosovës, për pagesë të borxhit me këste mujore”. “Kështu që edhe është bërë zhbllokimi i llogarive”, ka thënë Murtezaj.

Zyrtarë të Postës pohojnë se kjo kompani po përballet me kushte të rënda financiare, për shkak të borxhit që i kanë kësaj kompanie Qeveria e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës.

Vlera e borxhit që qeveria i ka Postës – borxh që është grumbulluar ndër vite – llogaritet të jetë rreth 5 milionë euro, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për politika dhe monitorimin e ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Borxhi i qeverisë ndaj Postës është krijuar pasi Posta ofron shërbime universale postare në gjithë territorin e Kosovës, kurse në bazë të ligjit, qeveria është e obliguar t’i mbulojë shpenzimet.

Përveç qeverisë, edhe Telekomi i Kosovës i ka borxh Postës rreth 1.4 milion euro.

Një pjesë e borxhit të Telekomit ndaj Postës është krijuar për shkak të mospagesës së qirave për disa objekte të Postës që i shfrytëzon Telekomi.

Udhëheqës të Postës së Kosovës kanë thënë gjatës ditës për Radion Evropa e Lirë se janë duke përgatitur marrëveshje për programim të borxhit me Administratën Tatimore të Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv në Postën e Kosovës, Salih Morina, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit kanë premtuar se do fillojnë të paguajnë borxhin ndaj Postës – mjete këto që do të transferohen në llogarinë e ATK-së.

“Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (Blerim Kuqi) ka premtuar se borxhi do të rimbursohet. Tashmë mbetet të përgatitet marrëveshja që këstet e ATK-së t’i rimbursojë Qeveria e Kosovës”, tha Krasniqi, duke mos dhënë ndonjë periudhë kohore për programim të borxhit në baza mujore.

Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, mirëpo në vitin 2012, me një vendim të qeverisë, ajo është ndarë nga Telekomi dhe është themeluar si ndërmarrje publike qendrore.

Posta e Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë këtë proces me sukses.

Me bllokim të llogarive bankare është duke u përballur edhe Telekomi i Kosovës. Por, bllokimi i llogarive të kësaj kompanie nuk ka ndodhur nga ndonjë agjenci shtetërore, por nga kompania private Dardafon.net. Kjo e fundit ka bllokuar llogaritë më 15 korrik, për rastin e Arbitrazhit ndërkombëtar me operatorin ekonomik Dardafon, në kuadër të të cilit është edhe shërbimi telefonik, i njohur me emrin Z-Mobile.

Borxhi i Telekomit të Kosovës ndaj Z-Mobile llogaritet të jetë mbi 25 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!