fbpx

Zharku largon 6 zyrtarë, i shtati jep dorëheqje

Premtimi i ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, se është këmbëngulës që të vendosë rend dhe disiplinë në ministrinë që ai e drejton po fillon të bëhet realitet.

Ai i ka larguar 6 zyrtarë të dyshuar për korrupsion e krim të organizuar të kësaj ministrie, kurse sekretari që ishte “njëshi” i MI-së ka dhënë dorëheqjen, duke ikur pa e pritur largimin e tij.

Duket se veprimet e ministrit Zharku kanë treguar se edhe kjo ministri, si shumica e tyre në Qeverinë e Kosovës, është e kapur thellë dhe gjerë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar për shumë vjet, e sidomos vitin e kaluar 2014.

Kështu kanë njoftuar burime të besueshme nga kjo ministri. Zyrtarët e ministrisë, përkatësisht drejtoresha e zyrës për komunikim, Saranda Jusufi, nuk janë prononcuar për gazetën Kosova Sot.

Sipas burimeve, mësohet se nga 7 të larguarit dy figurat kryesore të korruptuara ishin shefi i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, që ka më shumë se pesë vjet që është nën hetime për korrupsion.

Ndërsa, sekretari i deritashëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Besnik Hajdari, thuhet se nuk e ka pritur vendimin e ministrit Lutfi Zharku, për ta larguar nga detyra ,por javën e shkuar ka ikur , pasi ai ka dhënë dorëheqjen.