Ballina / KOSOVA / Zgjedhjet në veri, KQZ në pritje të aplikimeve
KQZ
KQZ

Zgjedhjet në veri, KQZ në pritje të aplikimeve

Pasi presidenti i Kosovës shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve. Po bëhen gati një javë prej shpalljes së zgjedhjeve, por ende asnjë subjekt politik nuk ka paraqitur aplikimin për të çertifikuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje.

Ditë më parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi shpalli 19 majin datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme erdhi pas dorëheqjes që dhanë, në fund të nëntorit të 2018’ës, kryetarët e katër komunave më veri, si protestë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovine.

Tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bënë përgatitjet sipas planit operacional të miratuar nga ky komision, për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për KosovaPress, se që nga fillimi i afatit të aplikimit më 9 prill, deri tani askush nuk është paraqitur për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Mund të u konfirmoj se deri në këto momente që flasim nuk ka pasur ndonjë subjekt politik që ka paraqitur aplikimin për tu certifikuar për pjesëmarrje  në këto zgjedhje. Sigurisht që ne presim deri në përfundimin e këtij afati, që është data 18 prill në ora 24:00 për të pranuar aplikime nga ana e subjekteve politike”, tha ai.

Ai sqaron se afati i aplikimit ka filluar që nga 9 prilli dhe do të mbyllet më 18 prill.

Ndërkohë që afati për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar si vëzhgues në këto zgjedhje ka filluar më 9 prill e do të përmbyllet më 12 maj, dhe vetëm vëzhguesit e akredituar do të mund të vëzhgojnë këtë proces zgjedhor.

Sipas Elezit, deri tani nuk ka pasur ndonjë problem në organizimin e këtij procesi zgjedhor.

Ai thotë se për KQZ-në vëzhgimi i një procesi zgjedhor është thelbësor, pasi që konsiderojnë se në këtë mënyrë ndikon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe akterëve të tjerë në procesin zgjedhor.

Vendimin e Thaçit për zgjedhje në veri e ka mirëpritur edhe shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

Kryeministri ka ftuar subjektet politike në Kosovë që të jenë pjesë e garës.

Ndërkohë, deri tani është raportuar që subjekti politik serb ‘Lista Serbe’, do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 19 majit, në veri të Kosovës.

Kujtojmë se KQZ edhe më parë ka organizuar zgjedhje në këto komuna, të fundit kanë qenë zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.