Ballina / KOSOVA / Zgjedhjet e parakohshme, Në Supreme arrijnë 5 ankesa

Zgjedhjet e parakohshme, Në Supreme arrijnë 5 ankesa

Pesë ankesa kanë shkuar në drejtim të Gjykatës Supreme rreth rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetorit nga ana e KQZ-së.

Pas interesimit të KosovaPress, Gjykata Supreme tha se që të gjitha ankesat janë individuale të deputetëve.

Nga këto ankesa, një është nga kandidati për deputeti i LDK-së, një nga kandidati për deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një nga kandidati për deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjëve dhe dy nga kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe vendosen brenda afatit ligjor prej 72 orësh nga koha e deponimit të tyre

Ndërsa, pak më parë, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se në Gjykatën Supreme kanë deponuar ankesë tre kandidatët të cilët ishin shpallur fitues nga KQZ dhe kishin fituar ulëse, mirëpo në përgjigjen e Gjykatës Supreme thuhet se nga VV kanë mbërritur dy ankesa.

Kurse pas vendimit të PZAP-it për rinumërim të 1472 vendvotimeve, në mbledhjen e KQZ u mor vendim që të pritet deri në përfundimin e afateve ligjore për të nisë rinumërimi i këtyre votave, edhe pse deri më tani nuk ka ankesë nga ndonjë subjekt politik për rinumërim.

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha se pasi të përfundojnë afatet ligjore, KQZ do të kërkojë rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

“Jemi të obliguar që të bëjmë rinumërim, ngase nuk ka pasur ankesa deri më tani për vendimin e PZAP për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Edhe pse unë e di që nuk ka ankesa në Supreme për këtë, dhe duhet të përgatitet QNR-ja për çdo moment”, deklaroi Daka.

Mësohet se nesër pritet KQZ të merr vendim që të nisë rinumërimi i këtyre votave.  Ndërsa, për vendimin tjetër në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e ardhura nga Serbia, kryetarja e KQZ-së tha se për këtë vendim ka ankesë në Supreme dhe se duhet të pritet, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ndryshe, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Adnan Rrustemi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook  ka njoftuar se Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të listës fituese të kësaj partie, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP.

Si dihe me 11 nentor Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë njoftoi se, pas ankesave të parashtruara nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka marrë vendim që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia.

Ankesat janë ngritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar javën e kaluar, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“PZAP-i, 53 ankesa i ka pranuar të bazuara. Prej tyre, lidhur me 52 ankesa, paneli ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1,472 vendvotimeve. Ndërsa, lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë, ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Sipas Koalicionit Nisma-AKR-PD, zarfet me vota nga Serbia “nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën”.

Ky koalicion, sipas rezultatit të KQZ-së, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e muajit të kaluar.

PZAP-i po ashtu njoftoi se 23 ankesa janë shpallur të pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe një ankesë është konstatuar e tërhequr.

KQZ-ja, më pas, njoftoi se i ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.