daniel serwer

Zgjedhjet dhe Marty, zbehën imazhin ‘Kosovë’

Raporti i Martyt, bisedimet Prishtinë- Beograd, zgjedhjet në Kosovë, dhe sfidat e Ballkanit gjatë 2011-ës, janë disa çështje të trajtuara nga Daniel Serwer, udhëheqës i Qendrës për Novacion të Institutit Amerikan të Paqës, në intervistën e tij dhënë për Info Globi.

Intervistoi: Evliana BERANI

Përmbledhje e artikullit: Unë jam i bindur se ndërkombëtarët nuk janë të interesuar që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për ri definimin e kufijve. Nuk do mend, Beogradi e Prishtina mund të bisedojnë për diçka të tillë nëse duan, mirëpo në këtë rast të dyja palët duhet të dalin me idenë që garanton se nuk do të ketë destabilizim, as në Bosnjë e Hercegovinë dhe as në Maqedoni. Ta them të drejtën, nuk po shoh se si mund të japin garancione të tilla ato!

infoGlobi: Raporti i fundit i raportuesit të KE-së, Dick Marty, prejudikon fajësinë e niveleve më të larta politike në Kosovë. A është e pranueshme që një mekanizëm ndërkombëtar, si Këshilli i Evropës, të lejojë një debat për çështje aq të ndieshme përmes raporteve parlamentare e, pa zhvilluar hetime profesionale? A nuk është kjo sjellje në kundërshtim me misionin e KE-së?

Serwer: Nuk do të doja të them që Këshilli i Evropës mos të bëjë hetimet si ky i Dick Martyt, por për mua është e qartë se hetimi i bërë nga ai nuk është hetim profesional. Si i tillë nuk mund të dëshmojë as fajësinë e, as pafajësinë. Raporti në paragrafin 175 thotë se fjala është për “për hetime preliminare” dhe për asgjë më shumë.

Paragrafi 175 mes tjerash thotë: “Nuk është detyrë e jona (sic) të realizojmë hetime kriminale (penale), sepse ne nuk kemi kompetenca të bëjmë një gjë të tillë dhe, mbi të gjitha, neve na mungojnë kapacitete për diçka të tillë, aq më pak për të konstatuar fajësinë apo pafajësinë.”

infoGlobi: Ngjarjet në Kosovë janë mbuluar medialisht nga qindra gazetarë botërorë. Shumë nga ta thonë se gjatë luftës nuk kishin dëgjuar kurr për diçka si tregtimi i organeve njerëzore. Sa reale mund të jenë akuzat se në kushtet çfarë zotëronin gjatë 1998/1999 kanë mund të ndodhin krime të tilla, d.m.th., në hapësirat dhe në kohën kur njerëzit vdisnin për barna, madje edhe për ushqim? 

Serwer: Unë njoh gazetarë profesionistë që besojnë se ka arsye të dyshohet se gjatë vitit 1998/1999 në Kosovë ka pasur tregtim organesh. Nuk mund të përjashtoj diçka të tillë pa u bërë hetime profesionale.

Po ju, a vërtetë do të befasoheshit nëse, në një vend pa institucione për zbatimin e ligjit, si në 1998/1999, ka njerëz më shumë të prirur të fitojnë para të majme, sesa t’i ndihmojnë vëllëzërit e tyre?!

infoGlobi: Sidoqoftë, ekziston një rregull, më i lashtë madje se e drejta romake. Nuk ka fajësi – pa u dëshmuar e kundërta! Po krijohet perceptimi negativ për kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi. Sa është e dëmshme kjo për imazhin e Kosovës tash kur priten njohje të reja? Cili është çmimi që do ta paguajnë njerëzit për të?

Jeta nuk është fer. Definitivisht situata e krijuar është e dëmshme për imazhin e Kosovës. Nëse vazhdojnë mohimet dhe nëse nuk bëhen hetime serioze, çmimi do të jetë edhe më i lartë.

infoGlobi: Si të dilet nga kjo situatë, nga perceptimet negative dhe rreziku i stagnimit të procesit të njohjes së Kosovës shtet?

Serwer: Reagimi më i mirë është të mbështeten hetimet forenzike. Unë nuk dij rrugë tjetër që mund ta nxjerrë në shesh të vërtetën. Kjo është mënyra më e mirë që të binden ata që janë të gatshëm të mendojnë e të gjykojnë drejtë.

infoGlobi: Zgjedhjet e fundit dëshmuan se as Kosova nuk është imune nga “sëmundja” e manipulimit me vota . Çfarë efektesh mund të ketë kjo? A do të ndryshojë kursi i politikave të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës? 

Serwer: Zgjedhjet ishin një mundësi e shkëlqyeshme për të dëshmuar se Kosova mund të sillet në mënyrë demokratike, rast ky ideal për të dëshmuar se ajo meriton njohjet ndërkombëtare. Për fat të keq, një mundësi e tillë humbi – të paktën pjesërisht. Po shpresoj se rivotimi do të ecë më mirë.

infoGlobi: Z. Serwer, cilat janë skenaret e mundshme që mund të dalin nga bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit lidhur me veriun? A mund të anashkalohen bisedimet për statusin, pavarësisht deklarimeve se dialogu do të zhvillohet vetëm për çështjet teknike?

Serwer: Unë besoj se për Veriun duhet të bisedohet. Aty janë shumë gjëra që kërkojnë zgjidhje. Mirëpo, ato duhet të diskutohen me qëndrim të qartë, se veriu është pjesë e Kosovës dhe do të vazhdojë të mbetet pjesë e saj.

infoGlobi: A jeni të bindur se bisedimet nuk do të hapin kutinë e Pandorës dhe se sërish do të vihet deri tek ndryshimi i hartës Ballkanike? Argumentet, ju lutem!

Unë jam i bindur se ndërkombëtarët nuk janë të interesuar që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për ri definimin e kufijve. Nuk do mend, Beogradi e Prishtina mund të bisedojnë për diçka të tillë nëse duan, mirëpo në këtë rast të dyja palët duhet të dalin me idenë që garanton se nuk do të ketë destabilizim, as në Bosnjë e Hercegovinë dhe as në Maqedoni. Ta them të drejtën, nuk po shoh se si mund të japin garancione të tilla ato!

infoGlobi: Kush do të përfaqësojë Kosovën në këto bisedime. A do të jenë të zgjedhurit ata që do të ulen në tryezë apo ndonjë trup i spektrit të gjërë? Si do të reagojë Serbia? 

Serwer: Se kush do ta përfaqësojë Kosovën, varet nga Presidenti dhe Qeveria e Kosovës, jo nga unë. Sidoqoftë, unë shoh hapësirë për një delegacion më të gjerë se Qeveria, ku mund të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile, e mundësisht edhe përfaqësues të opozitës.

Beogradi ka caktuar për udhëheqës të delegacionit Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kujtoj se do të ishte mirë që edhe Prishtina të veproj njësoj. Fundja, ky është dialog ndërkombëtar.

infoGlobi: Keni përcjellur zhvillimet në vendet e Ballkanit një kohë relativisht të gjatë. Me çfarë sfidash do të ballafaqohen ato gjatë vitit 2011? Cili do të jetë roli i këtyre vendeve, por edhe ai i bashkësisë ndërkombëtare në disejnimin e të ardhmes në Ballkan?

Serwer: Sfida më e madhe në gjithë Ballkanin është nevoja për qeverisje të mirë. Hapi kryesor për qeverisjen e mirë është vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit. Po shoh fare pak hapësirë për ndonjë rol sinjifikant të bashkësisë ndërkombëtare këtu. Ajo tani ka prioritete shumë më të mëdha në pjesët e tjera të botës. Është koha që njerëzit dhe qeveritë e Ballkanit t’i dëshmojnë përgjegjësitë e tyre.

infoGlobi: Cilat janë qëndrimet aktuale të SHBA-ve dhe të BE-së? A janë ato njëlloj të interesuara për demokratizimin e Ballkanit, siç ishin dikur, sepse e dijmë që të njejtat po ballafaqohen me problemet e tyre, si kriza financiare, etj?

Serwer: Sigurisht se po. Unë mendoj se Uashingtoni dhe Brukseli janë shumë të interesuar të shohin se vendet e Ballkanit po zhvillohen në vende të mirëfillta demokratike dhe në vende ku ka mirëqenie. Por, resurset janë të limituara. Njerëzit në Ballkan duhet ta pyesin vetën se çfarë mund të bëjnë për veten e tyre, e pastaj duhet të vihen në veprim dhe ti jetësojnë atë që munden.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.