Intervistë me Samuel Zbogar. Realizoi E.Berani

Zbogar: Prioritar është sundimi i ligjit

Për Info Globin, numri një i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, zbërthen konceptet abstrakte europiane dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së. Potenciali më i madh i Kosovës është rinia e saj, kurse preokuptimi parësor që duhet ndryshuar urgjentisht është ‘perceptimi ekzistues për sundimin e ligjit’, nënizon Zbogar.

Çka është studimi i fizibilitetit dhe marrëveshja e stabilizim asocimit? Sa do të zgjasin proceset integrimit të Kosovës në BE dhe nga kush varet anëtarësimi i saj? Si do të ndikojë varfëria, papunësia dhe problemet politike si çështja e veriut të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së? Ku shkojnë paratë e BE-së dhe si ndikojnë ato në jetën e njeriut në Kosovë? Këto janë vetëm disa nga çështjet e shumta për të cilat flet në intervistën ekskluzive për Info Globin, përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar.

Intervistoi: Evliana BERANI


infoGlobi: Kur do të vendoset në këtë zyre flamuri i Kosovës?

E keni fjalën për pesë shtetet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën shtet dhe për atë se kur do të integrohet Kosova në BE.

infoGlobi:  Po.

Pavarësisht nga ajo se 5 vende nuk e kanë njohur ate, kujtoj se të gjitha shtetet anëtare kanë të njejtin mendim. Të gjithë duan që Kosova të jetë një Kosovë europiane.

Është e vërtetë se fakti që pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e komplikon deri dikund  procedurën e vendimmarrjes për të në BE. Por, unë besoj se të gjitha shtetet antëare të BE-së, kanë treguar shenja gadishmërie  për prespektivën evropiane të Kosovës.

infoGlobi: Supozoj, se keni kontakte të përditshme me Brukselin. A keni indikacione të qarta , se ndonjëri nga këto pesë shtete, nuk do të provojnë që të ndalin rrugën e Kosovës drejtë BE-së?

Nuk do mend nuk mund të kemi garanci të till, e as që mund të kërkojmë diqka të tillë nga shtetet anëtare të BE-së. Sepse, siç e dini, shtetet në BE vendosin veç e veç dhe në varësi të vlerësimevë që kanë ato vetë për çështjet. Ngjashëm do jetë edhe me Kosovën.

Ne punojmë hap pas hapi. Hapi ynë i parë është studimi i fizibilitetit, për të cilat janë pajtuar të gjithë në BE.  Sivjet nga dhjetori shpresoj që Komisioni Europian (KE) do të rekomandojë, që BE të vendos marrëdhëniet kontaktuale me Kosovën, përkatësisht që asaj t’i mundësohet nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit (MSA).  Natyrisht, aty do të ketë kushte e kritere, mu ashtu siç ka pasur edhe për shtete tjera kur janë futur në procesin e stabilizim asocimit.

Në rast se KE delë me rekomandime, atëherë pason hapi i dytë. Pas rekomandimeve duhet të bisedohet me shtetet anëtare që të merret aprovimi i tyre për fillimin e negociatave përkitazi me stabilizim asociimin.

infoGlobi: E përmendet procesin e stabilizim asociimit (SA). Për shumë kend ai është një koncept apstrakt. Çka nënkuptohet me SA dhe si do të ndikoj ai në jetën reale të njerëzve në Kosovë?

Po, shpesh herë harrojmë se konceptet e tilla duhet të zbërthehen dhe duhet të iu  shpjegohen njerëzve.

Po filloj me studimin e fizibilitetit! Ai është një incizim i gjendjes së tërësishme në vend.  Këtë incizim e bëjmë ne si KE dhe ai bëhet vetëm për shtetet që janë deklaruar se duan t’i bashkangjiten familjes së BE-së. Gjatë ‘incizimit’ ne shikojmë çdo gjë, që nga infastruktura, sistemi i ujësjellësit, ekonominë e vendit, çështjet mjedisore,  pastaj shikojmë se çfarë është gjendja në fushën e sundimit të ligjit, arsimit, shëndetësisë…Studimi i fizibilitetit është një analizë e detajuar e një vendi. Analizohet çdo gjë për të parë nëse një shtet, është i gatshëm për të filluar negociatat për stabilizim asociim me BE-në.  Ne përgatisim inputet tona, kurse qeveria të sajat. Të gjitha këto shkrihen në një raport të vetëm nga Komisioni Europian në Bruksel.

MSA ndërkaq, është një marrëveshje tregtare mes një shteti dhe BE-së. Është tregtare sepse shumica e çështjeve të inkorporuara në këtë marrëveshje kanë të bëjnë me fushën e tregtisë, por edhe me  kapacitetet administrative të ministrive për të negociuar me neve, si dhe të aftësivë që ka shteti për t’i marrë obligimet që dalin nga marrëveshja e tillë.

Prandaj ajo që ne po presim, fillimisht që ta marrim këtë analizë/ studimin e fizibilitetit, e pastaj mbase diku nga fundi i vitit, edhe rekomandimin për nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim. Në rastin e fundit, KE-ja, duhet të vijë e të thotë se Kosova ka kapacitete dhe është e aftë të negocioj me ne MSA-në dhe këto janë sfidat e obligimet që ajo duhet t’i përmbush.
Studimi i fizibilitetit është hapi i parë që do të shpie Kosovën në negociatat serioze me BE-në, kurse MSA është instrument ku precizohet se cilat kushte ajo duhet t’I përmbushë gjatë rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE.

infoGlobi: Dhe, çfarë janë gjasat që Kosova të ketë rekomandimin për MSA-në deri nga fundi i vitit? Sa do ygjas procesi pas rekomandimit?

E dini si, është ky një debat që duhet të zhvillohet ne Këshillin e BE-së. Por, para tij, duhet të sigurojmë aprovimin për fillimin e negociatave, do të thotë të sigurojmë mandatin që ato të zhvillohen me Kosovën.
Negociatat me shtetet e tjera kanë zgjatur përafërsisht dy vjet. Sa më e gatshme të jetë Kosova aq më e lehtë do të jetë për shtetet anëtare që ta njohin atë, dhe të binden që procesi të lëvizë tutje.

infoGlobi: Z. Zbogar,  krahas problemeve politike, ekzistojnë edhe ato ekonomike, si papunësia  dhe varfëria e lartë. Si do të ndikoi kjo gjendje në negociimin e kapitujve për ekonominë?

Ekonomia dhe sundimi i ligjit, janë dy fusha të rëndësishme që ndërlidhen me njëra tjetrën. Ju keni një numëë të madhë të të rinjve, që vendeve tjera europiane u mungojnë, sepse aty është e kundërta –  ka më shumë të moshuar se sa të rinjë. Kujtoj se në kontekstin zhvillimor,rinia është pasuria më e madhe e Kosovës.

Të rinjtë janë potenciali më i madh zhvillimor, por mund të jetë edhe e kundërta. Që zhvillimi të ecë si duhet, duhet rritur shkallën e punësimit, por kjo nuk bëhet pa rritjen e investimeve të huaja direkte. E që të ketë të tilla, sundimi i ligjit është parakusht.

Kam takuar investitorë, që thonë se vendimet gjyqësore në Kosovë nuk janë gjithaq transparente, e shpesh herë janë edhe të kontestueshme. Kjo shkakton pasiguri te investitorët, prandaj ata mund të tërhiqen.

Dy shtyllat kryesore të zhvillimit të Kosovës, janë sundimi i ligjit dhe politikat e shëndosha ekonomike. Kur them sundimi i ligjit, mendoj në gjygjësi të pavarur, në luftën kundër korrupcionit, krimit të organiziuar, procedurat transparente e ligjore të prokurimit, etj. Prokurimi duhet të jetë transparent dhe i ngritur mbi parimet e llogaridhënies. Krahas kësaj nevojiten politikat e drejta ekonomike. Këto të fundit janë sfidë e madhe, sepse siç e dini Kosova vetëm po importon. Ajo thuaja se nuk eksporton fare. Pastaj, ajo mbështetet dukshëm në remitencat, e kjo nuk mjafton.

Rendi, ligji dhe politikat ekonomike janë dy fusha ku duhet të punohet më shumë.

infoGlobi: Po të më caktohej një post si I juaji, në shtetin ku si thuhet janë investuar mbi 10 miliardë dollarë, pa kalkuluar këtu shpenzimet për bomba, dhe pot ë shihja aty indikatorë kaq të zbehtë ekonomik, pyetja e parë që do ia parashtoja vetëvetes, është se ku KEMI dështuar? A e shtroni ndonjëherë pyetjen e tillë? Kur them ne, mendoj për të gjithë si për vendorë ashtu edhe për ndërkombëtarë.

Jo, nuk kam ngritur pyetje të tillë sepse unë nuk konsideroj se Kosova po dështon.

infoGlobi: Jo nuk thashë që Kosova po dështon….

Ndoshta këtu është shpresuar për më shumë progress! Në shumë vende ku shkoj ka zëra të  pakënaqur e që thonë se disa gjëra kanë mundur të ecin më mirë. Shoh pakënaqësi edhe me EULEX-in, herë pas here, sepse njerëzit duan që të shohin që në Kosovë të sundojë më shumë rendi e ligji. Ka pakënaqësi pse gjërat nuk ecin më shpejt. Por, krahas kësaj po vërehet edhe progresi, apo jo?

infoGlobi: Padyshim se po.
E unë shpresoj që në të ardhëmn përparimi të vërehet edhe më shumë. Të mos harrojmë BE-ja, është përfshirë më seriozisht në Kosovë me çështjet që kanë të bëjnë me procese të integrimeve europiane diku nga dhjetori i vjetëm. Para kësaj, më shumë ishim preyentë përmes projekteve, se nuk ka ekzistuar concept i qartë për integrimin e saj në BE. Tani që ai është më I prekshëm, mbetet të punohet më shumë që arritja e sukseseve të përshpejtohet. Fundja ky ëhstë misioni dhe qëllimi im këtu.

Sidoqoftë, unë njëmend nuk pajtohem se fjala është për një dështim.

infoGlobi: Më lejoni të sqarohem. Nuk thash se Kosova po dështon, jo. Ajo çka po e them është se në Kosovë është investuar shumë, prandaj habitem pse ajo nuk u zhvillua më shumë! A nuk ka mundur të jetë sot e zhvilluar sa Monakoja, apo të paktën sa gjysma e Lukesmburgut?
Pati këtu periudha të ndryshme kohore dhe kontekste të ndryshme zhvillimore, të cilave bashkësia ndërkombëtare duhej tu përshtatej po ashtu. Në vitet e para të pasluftës fokusi i bashkëisësë ndërkombëtare ishte në ushtarët dhe çështjet e sigurisë. Me kohë numri i tyre u reduktua , ndërkohë që prezenca e BE-së shkonte duke u rritur. Tani këtu kemi edhe EULEX-it . Të gjitha këto janë momente, në të cilat kursi i veprimeve nënkuptonte ndryshime në qasje e përshtatje të vazhdueshme rrethanave të reja.

Nuk e kam analizuar shumë këtë. Ndoshta edhe taksapaguesit e shteteve evropiane kanë pritur më shumë progress në Kosovë! Ndoshta, unë nuk e di. Sido që të jetë tani duhet të orientojmë forcat dhe të shikojmë nga e ardhmja. Duhet parë se si mund të shfrytëzohet më së miri preyenca e BE-së në Kosovë, për qëllimet zhvillimore të Kosovës.

Ta them të drejtën shpresoj të shoh më shumë optimizëm e shpresë në të ardhmen, dhe s’do mend më pak pakënaqësi.

infoGlobi: Të ndalemi atëherë tek e sotmja. BE-ja nëse nuk gabohem ndan mesatarisht nga 70 milionë euro në vit për Kosovën. Në cilat fusha orientohen këto para? Si ndikojnë nismat e mbështetura nga ju në jetën e kosovarëve?
BE financon projekte të shumta këtu.  Ditë më parë u organiyua panairi i bujqësisë këtu në Prishtinë, dhe fermerë të shumtë prezantuan punën dhe produktet e tyre. Kishte aty bujq që deri vonë kishin vetëm tre bagëti, kurse sot falë granteve kanë zhvilluar biznesin e tyre dhe kanë pesëfishuar numrin e bagëtive. Ishte kënaqësi të shohësh njerëz që po zhvillojnë dita ditës biznesin e tyre  falë projekteve tona.

Projekt I financuar nga BE-ja është ai për ndërtimin e pallatit të Drejtësisë këtu në Prishtinë, pallat ky ku do të vendosen të gjitha institucionet e drejtësisë, pastaj projekti i Qendrës së Sporteve e Rekreacionit, që është inauguruar kohë më parë në Mitrovicë.  Pastaj janë disa projekte për ndërtimin e kapaciteteve njerëzore. Bie fjala, I tillë është projekti për shkollimin e të rinjëve në universitete të ndryshme të botës.  Falë këtij projekti mbi 220 studentë kanë mbaruar studimet pasdiplomike jashtë dhe janë kthyer të punojnë për qeverinë e Kosovës.

Projekt tjetër i madh është projekti i quajtur ‘Kosova e Bukur’, përmes të cilit kanë gjetur punë mbi 1200 veta.

infoGlobi: Për punësim afatgjatë e keni fjalën, apo stinor?

Mbi 60 janë në marrëdhënie pune afatgjate. Kohë më parë isha në Deçan, ku kemi një projekt me bletarët, të cilët ndihmohen në bizneset e tyre. Janë pastaj projektet e shumta nga bujqësia, dhe projektet që stimulojnë bizneset e vogla e të mesme në Kosovë.
Nuk pretenedoj të them se të gjitha kanë qenë të suksesshme, por shumica syresh padyshim kanë lënë gjurmë pozitive në jetën e njerëzve në Kosovë.

E dini prioritetet këtu përcaktohen nga qeveria, dhe ne konsultohemi me te. Natyrisht i përcaktojmë edhe prioritete tona, mbështetur në atë që mendojmë se duhet realizuar në Kosovë.

Ajo çka kam ndëgjuar kohëve të fundit, është nevoja për përmirësimin e gjendjes në sistmein e arsimit. Ky sektor mund të jetë njëri nga ata ku mund të fokusohemi në të ardhmën.

infoGlobi: Sa i përket klimës së biznesit, Kosova është ranguar mjaftë keq në raport me shtetet e tjera të botës. Të paktën këtë e konstatojnë raportet e shumë organizatave ndërkombëtare. Cili është vizioni i KE-së për ta ndihmuar përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë?

I kemi mbështetur pesë agjenci rajonale, në pesë rajone të Kosovës. Ato japin grante për bizneset e vogla dhe të mesme. Janë krijuar në bashkëpunim me komunat, përmes të cilave jipen grantet. Njëkohësisht jemi duke biseduar me MTI-në për jetësimin e projekteve të përbashkëta që do të përmirësojnë kushtet për funksionimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë, por edhe të bizneseve në përgjithësi.

Meqë jemi tek klima e biznesit, duhet theksuar se është me rëndësi që të krijohen kushtet në Kosovë,  për nxitjen e investimeve të huaja. Qeveria po punon mjaft mirë në këtë drejtim. Por, ajo që është më e rëndësishme, është fusha e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, sepse pa sundim të ligjit, si e thashë edhe më heret, nuk mund të ketë klimë të shëndosh të biznesit e as investime të huaja. Sundimi i ligjit është garancë për mbrojtjen e investimeve. Gjyqësia efikase dhe e shpejtë do të nxitë zhvillimin. Këto janë pra çështjet që janë bërë pengesë e investimeve dhe si të tilla duhet të përmirësohen.Nëse investitorëve nuk u ofrohet siguri e investimeve dhe nuk u garantohet se këtu funksionon drejtësia, ata do të ikun nga Kosova.

infoGlobi:  Gjatë takimeve me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, sa jeni direkt dhe të qartë në komunikim përkitazi me kriteret. E di se nuk jeni në gjendje të impononi, por shtrohet pyetja a u thoni në mënyrë të hapur dhe të drejtërdrejtë se çështjet X e Y, duhet medoemos të realizohen, sepse pa to nuk ka anëtarësim në BE? Këtu me vite thuhej se kushtet për liberalizimin e vizave janë plotësuar, por raportet e shumta të Brukselit shpaljonë të kundërtën. Kjo e huton publikun, apo jo?

Në vlerësimet tona për kushtet që duhet të plotësohen në fushën e sundimit të ligjit kujtoj se jemi mjaft të qartë. Siç e dini ne sapo kemi filluar dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit, që është kornizë e të gjitha çështjeve që dalin nga kjo fushë.

BE-ja është shumë e ndjeshme sa i përket sundimit të ligjit. Kjo është fusha të cilës BE-ja i ka kushtuar rëndësi të veçantë tek të gjitha shtetet që kanë kaluar proceset e anëtarësimit. Çështjet që kanë dalin nga kjo fushë janë të precizuara qartë që nga fillimi. Bie fjala, tek marrëveshja me Malin e Zi, ky është kapitulli i parë, për të cilin do të negociohet.

Ky dialog për sundimin e ligjit, është qenësor për BE-në. E ai tani ka filluar edhe me Kosovën.

infoGlobi: T’i vejmë gjërat në përspektivë të konkretës. Çka është ky dialog i strukturuar? Kush bisedon me kend, dhe për çka në kuadër të tij?

 

Dialogu i strukturuar nuk është proces i ri. Ai është ombrellë e të gjitha proceseve europiane.

Fjala bie procesi i  liberalizimit të vizave, ka një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Pastaj kemi këtu EULEX-in, mandat i të cilit ndërlidhet direkt me këtë sektor,  pra me gjykatat e Kosovës, gjyqëtarët, doganat etj. Ai do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të Kosovës në kontekstin e perceptimit ekzistues për dobësitë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Sundimi i ligjit është problem në Kosovë. Kudo që shkoj ndëgjoj njerëzit që ankohen për korrupsionin, krimin etj.  d.m.th. ka problem në këto fusha, prandaj për to duhet të bisedohet dhe atyre duhet tu gjindet zgjidhja. Kjo do të bëhet në kuadër të dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit.

Gjatë dialogut të strukturuar nuk do të ketë dokumente të reja. Procesi thjesht nënkupton takime të nivelit të lartë, që do të mbahen dy herë në vit, e ku do të diskutohen situata, çështjet, problemet dhe masat të cilat duhet të ndërmerren për t’i tejkaluar ato.
infoGlobi:  Veriu i Kosovës, aty nuk ka qarkullim të lirë, e nuk i lejohet prezenca as institucioneve të Kosovës e as EULEX-it. Si do të reflektohet gjendja në veri, në proceset integruese europiane, kur dihet se aty ka panumër indikacione që bien ndesh me perspektivën europiane të Kosovës?

Po. Pikërisht për këtë Raporti i Progresit që kemi publikuaë vitin e kaluar, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zhvillojnë agjendën për veriun. Me agjendë nënkuptohej plani i aktiviteteve, lista e asaj që këto institucione do të ndërmarrin për të integruar veriun.
Lëvizja  e lirë, funksionalizimin i zyrës administrative për veriun do të ishin pjesë të agjendës së tillë. Por ajo duhet të ketë edhe më shumë gjëra. Kosova duhet të adresojë frikën e njerëzve që jetojnë në veri dhe të gjinden masat për ta tejkaluar ate. Pavarësisht se cilat janë arësyet, frika e tyre është evidente. Prandaj institucionet e Kosovës duhet të gjejnë mënyrën që t’i bindin disi banorët e atjeshëm se jeta pa barrikada dhe bashkëjetesa janë shpresa e vetme për të ardhmen.
infoGlobi:  Kur do të vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd?

Shpresoj se do të fillojë shumë shpejtë. Duhet shikuar hapat për implementimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe çështjet tjera për të cilat ende nuk ka marrëveshje, si telekomunikacioni, energjia, e tjera.
infoGlobi:  Turqia po prêt anëtarësimin në BE më se 20 vite. Britania e Madhe e kishte pritur ate gati dhjetë vjetë. Është krijuar përshtypja se Kosova do të anëtarësohet shpejt në BE. Kur e shihni Kosovën pjesë të BE-së? Brenda 5, 10 apo më shumë vitesh? Po liberalizimin? A do të liberalizohet regjimi i vizave brenda 6 muajsh, një apo brenda tri viteve?

Është shumë e vështirë për mua që të spekulojë me datat, sepse ato njëmend nuk varen nga unë. Proceset si këto varen kryesisht nga Kosova, përkatësisht nga shpejtësia me të cilën ajo do t’i përmbushë kushtet e përcaktuara nga BE-ja për liberalizim po edhe për anëtarësim.
Po e zëmë udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është një listë e kushteve që duhet të plotësohen. Nuk do të mjafton vetëm të nxirren ligje, bie fjala, por ato duhet edhe të implementohen. Në një moment të caktuar shtetet anëtare do të kalojnë nëpër këtë udhërrëfyes dhe do të shikojnë se cilat nga kushtet janë plotësuar, e cilat jo.

Ka mjaft punë për tu bërë. Procesi i liberalizimit në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk ka zgjatur vetëm dy muaj. Janë këto procese që duan shumë kohë.
infoGlobi:  Cilat janë çështjet që ju preokupojnë më së shumti në rastin e Kosovës?

Sundimi i Ligjit. Përshtypjet duhet të ndryshohen për atë se si funkcionon rendi dhe ligji në Kosovë. Ekziston perceptimi se ka shumë korrupsion, shumë krim të organizuar dhe se nga aspekti i sundimit të ligjit gjërat nuk po funksionojnë si duhet. Kjo është ajo që e konsideroj si gjënë parësore që duhet ndryshuar. Pra, perceptimin për këtë sektor. Kosova duhet të dëshmohet jo vetëm me ligje, por edhe me funksionimin e organeve të pavarura, para së gjithash të atyre të drejtësisë. Ajo duhet t’i bind të tjerët se këtu sistemi është funksional sikurse edhe në vendet e tjera.
Për këtë arsye është filluar dialogu struktural. Kjo është çështja kyçe.

infoGlobi:  Po të tjerat, cilat janë çështjet tjera kyçe z. Zbogar?

Nëse arrihet sundimi funksional dhe përmbajtësor i ligjit, të gjitha tjerat do të bien në vendin e duhur. Kjo fushë është çelësi.
Sa më cilësore të jenë reformat dhe sa më shpejt që të përmbushen kushtet, aqë më e lehtë do të jetë për miqtë e Kosovës që të ngrejnë zërin në mbrojtje të saj.

infoGlobi: Ju faleminderit për kohën.

error: Content is protected !!