Ballina / KOSOVA / Zarfet nga Serbia raportohet se u shkaktuan alergji punonjësve të KQZ-së

Zarfet nga Serbia raportohet se u shkaktuan alergji punonjësve të KQZ-së

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë, pasi që zyrtarët që kanë qenë në kontakt me zarfet me votat e qytetarëve nga Serbia u është shfaqur alergji në duar. Megjithatë, ende nuk është e qartë se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit votues.

“Është ndërprerë verifikimi i zarfeve (me vota) që kanë ardhur nga Serbia dhe jo nga diaspora”, tha Buzhala.

“ I është shkaktuar (personave që kanë qenë duke verifikuar votat) alergji nëpër duar nga zarfet që kanë ardhur nga Serbia. Tash janë duke u bërë kontrollet dhe çka del tutje, unë nuk mund ta di”, tha Buzhala.

Ndërkaq, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë “posedojmë informacionin dhe në aspektin policor jemi duke e trajtuar, ndërsa lidhur me detaje të tjera në këtë fazë adresojuni KQZ-së”.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, përmes një njoftimi për media tha se “në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë”.

QKUK-ja thotë se gjendja e personave që kërkuan ndihmë është stabile.

“Dy nga to (pacientet) kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipi kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore”, thuhet në komunikatën e QKUK-së.

Ndërkaq, drejtori i Ndihmës së Shpejtë, Avdyl Pacolli më herët tregoi për Radion Evropa e Lirë për simptomat e personave që kishin rënë në kontakt me zarfet me vota nga Serbia.

Megjithatë, ai thotë se ende nuk dihet se çfarë substance ka shkaktuar këtë reaksion alergjik dhe se i përket organeve kompetente që të merren me zbardhjen e detajeve.

“Dua të ju bëj me dije se personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kryesisht kruajtje të duarve, të cilët, si pasojë e pluhurit që realisht nuk dihet çfarë pluhuri është, nuk dihet – për këtë besoj se duhet të merret farmakologjia toksike dhe njësitë e forenzikës së Policisë së Kosovës që kanë shkaktuar këto problematika”.

“Pacientët që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur probleme me kruajtje të duarve. Mandej, ata kanë qenë të pavetëdijshëm çka po ndodh dhe kanë prekur fytyrën dhe ju ka shkaktu skuqje të fytyrës dhe me mundësi të shkaktimit të problemeve respitarore”, tha Pacolli.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se si bëhet procedura e votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

“Kosova ofron mundësinë për të votuar edhe qytetarëve që kanë shtetësi të Kosovës por që momentalisht janë rezidentë në vende tjera. Ky operacion bëhet në dy faza. Në fazën e parë bëhet regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës. Më pas, pas konfirmimit që janë votues të ligjshëm, pra në kuptimin që i plotësojnë kriteret për të qenë votues, atyre ju dërgohet konfirmimi. Më pastaj, në fazën tjetër, ata mund ta shkarkojnë fletëvotimin dhe të procedojnë tutje me votën e tyre, me zarfin e fshehtësisë dhe me zarfin që përmban shënimet që dërgohen përmes postës”, thotë Halimi.

Ai thotë se zarfet ku vendosen votat e personave që votojnë nga jashtë Kosovë, blihen nga vetë votuesit.

“Dërgesat e tyre postare i vendosin vet në postë dhe më pastaj zarfi arrin te ne, deri një ditë para ditës së zgjedhjeve. Ne nuk mund të dërgojmë zarf”, thotë ai.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për 3 mijë e 700 zarfe të ardhura nga Serbia. Gjatë procesit të verifikimit, në punë kanë qenë në ndërrimin e parë rreth 25 punëtorë, ku te disa prej tyre është shfaqur një lloj alergjie.

Në KQZ thonë se pasi janë shfaqur shenjat e alergjisë, janë ftuar ekipet shëndetësore dhe ata po merren me rastin.

Pas numërimit të votave të rregullta, tash kanë nisur të verifikohen votat e ardhura me postë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe qytetarët nga Serbia që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, mbajtura më 6 tetor.

Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.