Ballina / SPORT / Xhudoja kosovare drejt Olimpiadës 2020
In Fabric

Xhudoja kosovare drejt Olimpiadës 2020

Sukseset më të mëdha në arenën ndërkombëtare Kosova deri më tani i ka marrë nga sporti i xhudos, përmes të cilit e fitoi edhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku Majlinda Kelmendi regjistroi suksesin më të madh.

Dhe, është pikërisht sporti i xhudos ai i cili po ia siguron Kosovës një të ardhme shumë premtuese, shkruan sot gazeta Zëri.
Xhudoja kosovare po ecën me hapa të sigurt drejt Olimpiadës së radhës, “Tokio 2020”, ku pret të marrë pjesë së paku me tre reprezentues.
Kështu thotë trajneri i njohur Driton Kuka, duke u bazuar edhe në paraqitjen e shkëlqyeshme të ekipit të tij në garën prestigjioze, “Grand Prix Antalya 2017”, në të cilën Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medalje të arta të premten.
“Për mendimin tim, Majlindën, Distrijën dhe Norën vetëm ndonjë lëndim mund t’i ndalë në objektivin e tyre dhe tonin për t’i arritur normat e pikëve olimpike”, ka deklaruar për “Zërin” Kuka.

Sipas rregullores, vetëm një garuese nga një shtet, në një kategori të caktuar, ka të drejtë të marrë pjesë në Olimpiadë.
Shkaku i këtij rregulli, Distria kishte humbur Olimpiadën “Rio 2016”, ku Majlinda fitoi të artën.
”Problemi kryesor yni është se tani në të njëjtën kategori, atë 52 kg, i kemi dy kolose të xhudos: Majlindën dhe Distrijën”, thotë Kuka, i cili shpreson që me kalimin e kohës të bëhet zgjidhja më e mirë e kësaj situate.
Por, sipas trajnerit kosovar me famë ndërkombëtare, në “Tokio 2020” mund të ketë edhe ndonjë befasi.
“Edhe Akil Gjakova apo edhe dikush tjetër prej garuesve tanë kanë mundësi të hyjnë në normën olimpike”, paralajmëron ai.
Sipas Kukës, arritjet e deritanishme të Majlinda Kelmendit në gara ndërkombëtare janë të vështira të arritshme jo vetëm për xhudistet e xhudistët kosovarë, por edhe ata të mbarë botës.
Por, kjo nuk do të thotë se Kosova nuk do të bëhet me “Majlinda të reja” në vitet që po vijnë.
“Ajo çka ka bërë deri më tani Majlinda Kelmendi është vështirë e përsëritshme. Ajo të gjitha medaljet e mëdha i ka të arta. Por, edhe Distria është kampione evropiane e botërore për të rinj. Kjo do të thotë se po vijnë të rejat”, ka potencuar ai. Kuka përmend edhe xhudistet e xhudistë tjerë të talentuar që dita-ditës po e konfirmojnë një të ardhme të ndritur.
“Loriana Kuka, Flaka Loxha dhe Shpat Zeka tashmë kanë fituar medalje në gara zyrtare evropiane për kadetë e juniorë”, përfundoi punëtori i madh sportiv, falë të cilit xhudoja kosovare është bërë mbretëreshë globale.

Check Also

juventus

Suspendohet Presidenti i Juventusit, skuadra gjobitet me 300 mije euro

Prokurori, Giuseppe Pecoraro ka suspenduar Presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli nga pozita e tij për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *