Xhaka: Shqipëria s’kishte interes për ne

Kisha shku me shumë dëshirë. Kur isha 16-17 vjet, i ka kontaktuar babi im këta të federatës së Shqipërisë dhe iu ka thënë “i kam dy djem”, por ata kanë thënë “jo, nuk kemi interes”. Dhe pastaj kur ka ardhur Zvicra dhe një trajner si Otmar Hitzfield t’u ndejt në shtëpi dhe ta bën “je i ftuar për Zvicrën” e këta të Shqipërisë as në telefon nuk munden me të thirrë, kjo për mua është marri tha për InfoGlobi-in, futbollisti shqiptar Granit Xhaka.

Futbollisi shqiptar, Granit Xhaka, në një intervistë ekskluzive për infoGLOBI-n ka folur për karrierën e tij në Kombëtaren e Zvicrës, jetën private, idhujt e tij në futboll.

infoGLOBI: Granit, cila është arsyeja që për pushime jeni në Kosovë?

Granit Xhaka: Po nuk ka ndonjë arsye të veçantë ngase unë qe 7-8 vjet rregullisht vij në Kosovë, sidomos dimrit.

infoGlobi: Gjatë kohës sa jeni këtu, a jeni në kontakt me futbollistët vendorë apo trajnerët vendorë? A ka kërkesa për takime me ju?

Granit Xhaka: Me tregu të drejtën, jo. Unë i ndal gjithë telefonat sa herë që vij këtu në Kosovë, sepse i kam veç dy javë pushim dhe dua t’i shfrytëzoj maksimalisht me familje dhe nuk dëshiroj të interesohem për futboll fare.

infoGLOBI: Tregoni një përshkrim për fazat emocionale dhe të asaj se si jeni ndjerë ju në momentin ose kohën kur ju kanë quajtur tradhtar?

Granit Xhaka: S’ka qenë e lehtë për neve. 20.000 shikues të të quajnë tradhtar dhe të të fishkëllojnë ishte shumë e vështirë për ne. Nuk ka qenë vetëm për mua i rëndë, por edhe për familjen e sidomos për mamin e babin momenti kur më kanë quajtur tradhtar. Unë ndoshta nuk jam shumë i pjekur qysh janë prindërit e mi dhe për atë shkas ata e kanë ndjerë vetën më keq se unë.

infoGLOBI: A e keni biseduar për këtë në familje?

Granit Xhaka: Po, e kemi biseduar para ndeshjes dhe pas ndeshjes, se prindërit vijnë çdo lojë edhe e kam vërejtur që pas lojës babi edhe mami kanë qenë të mërzitur.

infoGLOBI: Por ti ke lindur dhe je rritur në Zvicër dhe ti, besoj, e kupton se krejt ato kualifikime janë rezultat i një primitivizmi të skajshëm…

Granit Xhaka: Janë! Normal unë jam lindur në Zvicër edhe nuk e hupi kurrë këtë send, mirëpo unë nuk e hupi asnjëherë se unë jam shqiptar.

infoGLOBI: Është e vërtetë, mirëpo në një shtet të civilizuar është vështirë me gjetë raste kur njerëzit kualifikojnë me epitetet banale një profesionist, si të kanë quajtur ty e plot të tjerë. Apo ka raste që ne si dimë e ju i dini?

Granit Xhaka: Nuk e di për raste tjera apo nëse në shtetet tjera i quajnë tradhtarë, mirëpo unë nuk e di pse neve ende po na quajnë tradhtarë, kur gjysma e njerëzve nuk e dinë çka është kjo fjalë dhe pse ne kemi vendosë për Zvicrën, e jo për Shqipërinë.

infoGLOBI: Pse keni vendosur për Zvicrën?

Granit Xhaka: Po nuk ka pasë interes nga Shqipëria.

infoGLOBI: Po nëse kish pasë interes nga ana e Shqipërisë?

Granit Xhaka: Kisha shku me shumë dëshirë. Se kur isha 16-17 vjet, i ka kontaktuar babi im këta të federatës së Shqipërisë dhe iu ka thënë “i kam dy djem”, por ata kanë thënë “jo, nuk kemi interes”. Dhe pastaj kur ka ardhur Zvicra dhe një trajner si Otmar Hitzfield t’u ndejtë në shtëpi dhe ta bën “je i ftuar për Zvicrën” e këta të Shqipërisë as në telefon nuk munden me të thirrë, kjo për mua është marri. Nuk është aspak respekt. Ka pasur raste që jo vetëm këta të federatës, po edhe lojtarë të Shqipërisë para ndeshjes ia kanë nisë me fol kundër neve dhe nuk dëshiroj me përmend emër.

infoGLOBI: Mendon se e kanë bërë si formë presioni që me ju vënë edhe juve në një lloj presioni edhe me ju bo m’u ndje keq?

Granit Xhaka: Po, e kisha besuar me qenë veç një herë, por ka qenë në të dyja takimet. Dhe për mua personalisht ma vështirë ka qenë me luajt në Zvicër se në Shqipëri. Se në Shqipëri nuk na kanë ofenduar, mua jo e për të tjerët se di. Në Zvicër, stadiumi i zë 20 mijë njerëz dhe shqiptarë kanë qenë përafërsisht 17 mijë dhe këtë send se ki në asnjë vend të botës. Unë nuk po kuptoj se si ka lojtarë që luajnë edhe në Greqi edhe kanë ndërruar bile emrin e tyre e unë as që kam menduar këtë send. Edhe unë kam mund me ndërrua emrin psh. me lënë Gorge ose Hans emër zviceran, por unë nuk e ndërroj emrin kurrë, po e pranoj gjithë që jam Shqiptar. Edhe nuk e di pse atyre nuk ju thonë tradhtar po na thonë neve.

infoGLOBI: Granit ku e sheh vetën në karrierë sot e 5 vjet, kontrata të përfundon në 2017-tën?

Granit Xhaka: Për mua është një ëndërr me luajt një herë në Angli. E kam pas ëndërr si fëmijë qoftë edhe një lojë të luaj mjafton. Anglia edhe Gjermania janë dy ligat ma të forta në botë. Në Itali jo se kam shumë dëshirë të luaj ngase se shoh vetën në atë ligë.

infoGLOBI: A ka pas kërkesa nga klubet angleze?

Granit Xhaka: Po, ka pas edhe ka ende kërkesa nga klubet angleze por nuk e ndjej vetën ende gati për të luajtur në Angli, jo se nuk di por është jetë më ndryshe dhe duhet kohë për adoptim. Kam qenë shumë herë në Angli me familje dhe mami më ka thënë se nëse shkon në Angli, unë nuk vi kurrë me të vizitu.

infoGLOBI: Dihet se idhujt e tu janë Zidane dhe Ronaldo, a e identifikon vetën me ta?

Granit Xhaka: Po për mua është idhull jo vetëm si profesionist por edhe në jetën private. Asnjëherë nuk kam dëgjuar që Ronaldo ose Zidane kanë dalë nëpër gazeta për sende negative alkool cigare apo diçka tjetër. Shembull, e kundërta ka ndodh me Maradonën i cili gjatë karrierës së vet ka pas shumë probleme me drogë edhe pse ka qenë lojtari më i mirë në botë.

infoGLOBI: FIFA dhe UEFA?! A sheh rolë në ty në të ardhmen në përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në këto organizata të mëdha të futbollit?

Granit Xhaka: Po na kur kemi qenë me kombëtaren e Zvicrës, ka ardhë tek ne në hotel Fadil Vokrri me Bylbyl Sokolin dhe e kemi shkruar edhe ne një letër për të pranuar Kosovën, ndërsa zviceranët veç shikonin çka jemi duke bërë dhe habiteshin. Se është e vërtet se në kombëtaren e Zvicrës janë 6 shqiptarë gjë që në asnjë kombëtare tjetër nuk ka.

infoGLOBI: Pse e keni këshilluar Januzajn të luaj për Shqipërinë e jo për Belgjikën?

Xhaka: Po fillimisht po të kishte interes Shqipëria do shkoja edhe unë, por Shqipëria nuk ka shprehur interesim për mua atëherë edhe pse babai im i kishte kontaktuar ata. I kisha thënë të luaj për Shqipërinë pasi edhe vëllau im do luaj për Shqipërinë. Por prapë ai e di më mirë.

infoGLOBI: A reflektohet ky llojllojshmëri në raportin që ju keni mes veti në futboll apo ju keni profesionalizmin. A ndikoheni politikisht, a po luan rol politika?

Granit Xhaka: Po, sot po luan rol edhe politika në futboll.

infoGLOBI: A është mirë a keq kjo?

Granit Xhaka: Në disa vende është mirë në disa jo. Se di çka ish kanë Zvicra pa neve edhe ata vetë e dinë këtë. Pse federata Shqiptare nuk po përdor një politikë më të mençur në grumbullimin e këtyre talenteve, por i lenë me ik nëpër vende tjera si Zvicër, Greqi etj.

infoGLOBI: A e ke pyetur federatën Shqiptare?

Granit Xhaka: Jo unë i kisha pyet po nuk kam asnjë kontakt me ata.

infoGLOBI: Granit, nëse Kosovës i lejohet me luajt gara ndërkombëtare në kualifikime për Qatar 2022 dhe ju do ishit pjesë e kombëtares a ishim kualifikuar, çka mendon ti?

Granit Xhaka: 100%. Kosova ka shumë talent të mëdhenj por nuk pe di pse po fshihen. Sa shqiptari është duke luajtur në Evropë secili më i mirë se tjetri. Po vijnë talent të ri, përpara kanë qenë Loriku me Valonin, tani kemi ardhur ne, tash po vijnë Adnan Januzaj, që është shumë lojtar i talentuar dhe ka shumë e shumë talent tjerë që luajnë nëpër Suedi, Norvegji, Zvicër që unë me shumë gjasë edhe nuk i njoh.

infoGLOBI: Pra po mendon që Kosova në Katar jo që ishim kualifikua por edhe në tre vendet e para kishim përfundu me trajner Hitzfield?

Granit Xhaka: Po 100%. Unë prapë po potencoj, se mua po më vjen inati se neve po na mbyllin dyert dhe prapë po na lënë me faj edhe po na kufizojnë. Se ata me na qelë neve dyert e na me thanë jo atëherë ajo do ishte tjetër çka. Edhe mu po pengon fakti që nuk ka profesionalizëm në Shqipëri. Edhe vëllau im do nënshkruajë për Shqipërinë.

InfoGLOBI: A është e vërtetë që keni pas ofertë nga Manchester United?

Granit Xhaka: Kam pasur oferta nga Manchester dhe Bayern. Por e kam ndier veten të vogël për ato ekipe të mëdha. Më mirë të luaj me një ekip më të vogël ku e gjej veten e me kohë do luaj edhe në të mëdha.

infoGLOBI: Sa mendon se do arrini në kampionat të Botës me Zvicrën?

Granit Xhaka: Është e rëndësishme fillimisht me e kalu fazën e parë. Pastaj besoj se me pak fat do arrijmë edhe më lartë.

infoGLOBI: Diçka nga jeta private. Je në lidhje me ndonjë vajzë?

Granit Xhaka: Jo për momentin nuk jam në lidhje edhe pse ka kërkesa.

infoGLOBI: Cilat janë planet tuaja në jetën tënde private?

Granit Xhaka: Ndoshta për t’u martuar.

InfoGLOBI: Porosia jote për rininë në Kosovë?

Granit Xhaka: Kam shumë porosi po shpresoj me na ec punët mirë se na shqiptarët nuk i kemi pas punët mirë por shpresoj me u ndreq ky imazh i shqiptarëve.

@infoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.