Ballina / OP./INTERVISTA / Wisner nuk beson në korrigjimin e kufirit, thotë taksa dëmtoi Kosovën
frank wisner

Wisner nuk beson në korrigjimin e kufirit, thotë taksa dëmtoi Kosovën

Ideja e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është realiste, tha ish-diplomati amerikan Frank Wisner.

Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, theksoi se nuk ka mbështetje të mjaftueshme të publikut dhe politike në Kosovë dhe Serbi për një zgjidhje me korrigjim të kufirit.

Sipas tij, ka nevojë për një qasje të re, pra është më e logjikshme tani që ne vend të negociatave politike të nivelit të lartë për statusin, palët të përqëndrohen në çështjet themelore të progresit dhe zhvillimit ekonomik. Me ambasadorin Wisner bisedoi kolegu Festim Gashi.

​Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, në një artikull të kohëve të fundit ju keni shkruajtur se duhet një qasje të re ndaj Ballkanit Perëndimor. Konkretisht cila është kjo qasje? Çfarë duhet të ndryshojë në qëndrimin e tanishëm të perëndimit nga rajonit?

Frank Wisner: Duhet të ketë një angazhim të ri nga ana e qeverive evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për trajtimin e çështjeve urgjente të Ballkanit Perëndimor. Çështja e emrit të Maqedonisë është zgjidhur, por situata mes Kosovës dhe Serbisë dhe ajo në Bosnje ende nuk janë zgjidhur. Mendojmë se ka ardhur koha për një shikim të ri mbi atë se si duhet trajtuar ky rajon. Ndërsa do të ketë negociata të vazhdueshme, ato nuk do të sjellin një përgjigje të lehtë ose të menjëhershme, kështu që obligimi bie kryesisht mbi Bashkimin Evropian për të investuar në rajon dhe për ta integruar atë në Evropë. Pra, ta bëjë këtë duke zgjeruar lidhjet rrugore, prodhimin e energjisë elektrike, qasjen në internet dhe aktivitete të tjera të larmishme ekonomike. Ndërtimi i institucioneve shtetërore në Ballkanin Perëndimor është absolutisht i rëndësishëm. Por, në vend të përpjekjeve për realizimin e menjëhershëm të objektivave politike, ne mendojmë se theksi do të zhvendoset në dimensionin ekonomik. Integrimi në Evropë do ta bënte këtë ndihmonte arritjen e suksesit në frontin politik.

Zëri i Amerikës: Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë kanë mbetur një nga çështjet e pazgjidhura në Ballkan. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili filloi në vitin 2011, nuk ka çuar në gjetjen e një zgjidhjeje. Tani kemi një nismë të re nga Gjermania dhe Franca për rifillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas mendimit tuaj, cilat janë gjasat që kjo përpjekje të jetë e suksesshme?

Frank Wisner: Uroj që kjo të shkojë mirë. Këshilla ime e vetme për organizatorët është që kjo nismë të drejtohet në një mënyrë sa më modeste. Përndryshe, politikanët në rajon do të kapen me një çështje dhe do të krijojnë shumë vështirësi. Kjo ka ndodhur brenda në Kosovë dhe në Bosnje, ku realitetet e brendshme politike tejkaluan synimet e mira të negociatorëve të jashtëm. Për këtë arsye në qasjen tonë ne kemi rekomanduar që të ketë një theks më të madh në integrimin ekonomik të rajonit në Evropë dhe menaxhimin me një nivel më modest të vështirësive afatgjata politike.

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, pikërisht një aspekt ekonomik i kësaj çështje është kushtëzimi nga Begradi i rifillimit të bisedimeve me heqjen e tarifës 100 për qind të Kosovës ndaj mallrave serbe. Pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për heqjen e kësaj tarife, Prishtina këmbëngul se nuk do ta bëjë këtë derisa Serbia nuk ndryshon qasjen ndaj shtetësisë së Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

Frank Wisner: Jam dakord me të gjithë ata që mendojnë se vendosja e tarifave ishte e paarsyeshme dhe ato duhet të hiqen. Vendosja e tarifave ishte një gjest politik kundër Serbisë. Kjo nuk do të ndryshojë. Ka shumë avantazhe politike që mund të ndiqen nga të dyja palët. Për këtë arsye është më e logjikshme tani që ne vend të negociatave politike të nivelit të lartë për statusin, palët të përqëndrohen në çështjet themelore të progresit dhe zhvillimit ekonomik.

Zëri i Amerikës: Ka një shqetësim se mosgatishmëria e Kosovës për të pezulluar tarifat ndaj mallrave serbe ka dëmtuar marrëdhëniet e Prishtinës me Uashingtonin. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi ka patur kjo çështje në marrëdhëniet Kosovë-SHBA?

Frank Wisner: Unë nuk kam asnjë dyshim se kosovarët dhe qeveria e Kosovës nuk e kanë ndihmuar veten me antagonizmin që kanë treguar për këtë çështje. Por, unë mendoj se Shtetet e Bashkaura kanë interesa më të thella për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, situatës në Bosnje dhe integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në Evropë.

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, ka kaluar pothuaj një vit që kur ideja për korrigjim të kufirit ose shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë filloi të debatohej në rajon. Si e shihni ju këtë ide? Pas takimit të Berlinit, kundërshtarët e kësaj ideja thanë se ajo ka vdekur. Cili është mendimi juaj për këtë?

Frank Wisner: Askush nga jashtë nuk duhet të ketë mëdyshje ndaj serbëve ose kosovarëve në përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjet që i ndajnë ata. Dhe do të ishte në rregull, nëse ata duan ta bëjnë këtë me korrigjim të kufirit. Por unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Nuk mendoj se kjo është realiste. Nuk ka mbështetje të mjaftueshme të publikut brenda Kosovës, nuk ka mbështetje të mjaftueshme politike për këtë. Dhe brenda Serbisë pa një masë të konsiderueshme progresi, nuk do ta mbështesnin një zgjidhje territoriale. Pra, unë nuk shoh një rrugë përpara në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, ju keni paralajmëruar për një rritje të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor. Sa është i përgatitur perëndimi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për t’iu kundërvënë këtij ndikimi?

Frank Wisner: Angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve në rajon është i rëndësishëm. Veçanërisht nëse është konkret në aspektin ekonomik, dhe përpiqet të ndihmojë rajonin t’i zgjidhë problemet e tij, ky lloj angazhimi ndihmon në pengimin e ndërhyrjeve të jashtme keqdashëse dhe destabilizuese. Miqtë e mi rusë nuk ofrojnë burime për rajonin. Ata janë destabilizues. Ata duan të kenë një zë, por nuk ofrojnë asgjë. Ajo që duhet të ndodhë është një bashkëpunim më i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe rajonit, dhe mënyra më e mirë është që kjo të bëhet përmes një bashkëpunimi më të intensifikuar ekonomik dhe zhvillimit ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.