fbpx
Prokurori kryesor i SITF, Clint Williamson
Prokurori kryesor i SITF, Clint Williamson

Williamson sot prezenton Raportin

Sot në Bruksel,  Prokurori kryesor i Taskë Forcës Speciale të Bashkimit Europian (SITF), Clint Williamson do të prezentoj të gjeturat e hetimeve të deritashme ndaj raportit të Këshillit të Europës, të njohur si raporti i Dick Martyt.

Gjykata speciale ndërkombëtare formimin e së cilës e ka votuar Parlamenti i Kosovës para shpërbërjes së tij është mekanizmi që do të merret me akuzat e ngritura nga senatori Dick Marty, por bazë për punën e gjykatës që pritet të themelohet nga viti i ardhshëm do të jenë pikërisht gjetjet e hetimeve që i ka bërë tash e sa kohë Task Forca Speciale e BE-së e që i ka udhëhequr Williamson.

Si është raportuar vazhdimisht, senatori Marty ka ngritur akuza të rënda për udhëheqësit më të lartë të ish UÇK-së, akuza këto që kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në botë dhe kanë shqetësuar të gjithë banorët e Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës, përfshirë këtu Kryeministrin Hashim Thaçin, emri i të cilit përmendet në Raportin e miratuar nga Këshilli i Europës që ka 47 shtete anëtare, kanë mohuar vërtetësinë e pretendimeve të ngritura nga Dick Marty.

Në bazë të deklaratave të mëhershme të SITF-së institucionet e Kosovës janë treguar të hapura dhe bashkëpunuese gjatë hetimeve.

Vetë liderët kosovarë kanë theksuar disa herë se janë të interesuar ‘që hetimet të kryhen sa më shpejt në mënyrë qe e vërteta të dalë në shesh dhe të hiqet njolla që po përpiqet ti mvishet UÇK-së dhe udhëheqësve të saj’.

Ata kanë mohuar pretendimet e Martyt që nga dita e parë kur ai i ka ngritur ato, por janë të interesuar që ato të çohen deri në fund.

Hetimet për akuzat e ngritura përmes raportit të KE-së kanë zgjatur rreth tre vjet.

Burimet e infoGlobit në Bruksel thonë se nuk dihet nëse Raporti që do të prezentohet të marten nga Williamson do ti jap një herë e përgjithmonë fund akuzave se në përfundim të luftës (1999) në ‘shtëpinë e verdhë’ në Burrel të Shqipërisë janë trafikuar organet.

Mirëpo, sipas burimeve të njejta Raporti do të len të hapura disa nga akuzat tjera si keqtrajtim të robërve të luftës dhe vrasje të civilëve, çështje këto për të cilat ka gjasa se do të ngriten disa aktakuza të cilat do të trajtohen më pas nga Gjykata Speciale Ndërkombëtare, e cila pritet të formohet diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. Mësohet se një pjesë e madhe e hetimeve është fokusuar për personat e zhdukur gjatë periudhës prill-qershor 1999 dhe periudhën e menjëhershme të pasluftës në Kosovë.

Sidoqoftë, Kosova tashmë ka hyrë në obligime ndërkombëtare si politike ashtu edhe ligjore për mbarëvajtjen e Gjykatës Speciale për Krime të Luftës, e cila nëse nuk ndryshojnë qëndrimet, besohet se do të ketë selinë e saj në Prishtinë dhe në Hagë. Se çfarë rastesh do të trajtojë ajo, do të dihet pak a shumë pas publikimit të raportit të Williamsonit.

Në 27 faqe të Raportit të të dërguarit special të KE-së, Dick Martyt, të miratuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg, reshtohen rreth 200 akuza të ndryshme që nga keqtrajtimi fizik i të burgosurve e deri tek keqtrajtimi seksual i femrave. Në tre apo katër paragrafe flitet edhe për dyshimet për trafikim të organeve të njerëzve, akuzë kjo e cila është hedhur si e pavërtetë nga zyrtarët më të lartë të ish kreut të UÇK-së, madje edhe nga Kryeministri aktual i Kosovës i cili raportin e Dick Marty mbi të cilin u nisën hetime në nivel të Bashkimit Europian , me një rast e kishte quajtur ‘raport fantastiko shkencor’.

Williamson do të prezentojë raportin e hetimeve tre vjeçare sot në orën 10.30./infoglobi/v.b.

LEXO EDHE:

Çka përmban teksti i Rezolutës së Këshillit të Evropës për Kosovën (Dokument)

Specialja do të zbardhë vrasjet politike

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.