Ballina / OP./INTERVISTA / Whataboutism-i i Kadri Veselit

Whataboutism-i i Kadri Veselit

Dush Gashi

Vështirë se do të mund ta nxirrte në dritë kush më shumë mentalitetin e Kadri Veselit se sa e shpalosi ai vetë, dhe atë në një medium amerikan, në një intevistë për “Zërin e Amerikës”.

Gjatë kësaj interviste, të dhënë gjatë qëndrimit të tij në ShBA, ndër tjera, gazetari ia përkujton Kadri Veselit se para do ditësh historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë ka elementë të papastër” dhe se Buxhovi ka përmendur edhe vrasjen e 102 veprimtarëve të LDK-së. Pastaj e pyet se çfarë po bëjnë institucionet për të ndriçuar këto vrasje, duke vlerësuar se ato janë “një problem shqetësues në Kosovë”.

Në përgjigjen e tij, Veseli e pranon se këto vrasje paraqesin “një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, të cilit duhet t’i shkohet deri në fund”, dhe se ato janë bërë nga “njerëz të këqinj, të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës”, por distancohet “nga personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe”, duke dashur të thotë se ato nuk i kanë bërë apo nuk i kanë bërë të vetmit pjesëtarët e UÇK-së. Pastaj, “personin i cili e ka vënë këtë theks në formë njëngjyrëshe” ai e quan një “lloj fosili, i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike…”.

Gazetari, në këtë çast i ndërhyn: “Ai ka thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…”.

Dhe Veseli vazhdon: “pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, personi”. Pasi thotë se do të jetë “i pamëshirshëm ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime”, shton se “në të njëjtën kohe edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje për to kur të dojë”.

Është interesante se, ndonëse Buxhovi nuk i fajëson drejtpërdrejt pjesëtarët e UÇK-së për ato vrasje, Veseli megjithatë këtë e merr si fakt të kryer.

Të përmbledhim dhe të thjeshtësojmë konstatimet, për të shquar më mirë logjikën e të menduarit të Veselit. Ai po thotë: personi i cili ka thënë se pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë vrasje është “nje lloj fosili” dhe se nga të tillët “vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje për to kur të dojë”.

Veseli nuk e sqaron se çka mendon me “një lloj fosili”, por le të supozojmë se ka dashur të thotë se i përket një kohe të kaluar, një sistemi apo regjimi të kaluar.

Të thjeshtësojmë edhe më tej deklaratat e tij: Dikush nga sistemi i kaluar nuk ka të drejtë të thotë se pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë vrasje, dhe prejt tij duhet mbrojtur “vlerat e UÇK-së”.

Tash shtrohet pyetja: a po flasim për vrasjet, apo për personin i cili po tregon për to? A është me rëndësi se çfarë është personi i cili po flet për to, apo a kanë ndodhur apo nuk kanë ndodhur ato vërtet?

Duhet theksuar se një medium amerikan ishte vendi më i papërshtatshëm për ta thënë këtë. Sepse, amerikanët, këtë logjikë (më saktë: palogjikë) të të menduarit e kanë të njohur mirë, madje i kanë dhënë edhe një emër: Whataboutism, një fjalëformim ky nga fjalët what (çka) dhe about (për), për të cilin ka një artikull edhe në Wikipedia.

Shprehja është krijuar gjatë Luftës së ftohtë. Kur amerikanët u bënin vërejtje sovjetikëve për shkeljen e të drejtave të njeriut, ata do t’ua kthenin: “E çfarë bëni ju me zezakët?” Pra, kush po me flet për të drejtat e njeriut? Ata që i shkelin të drejtat e zezakëve!

Është e habitshme që Kadri Veseli, kryetar i partisë në pushtet e kryetar i Parlamentit të Kosovës, e i cili, me sa është thënë, është në rrugë të pajiset me titullin e doktorit të shkencës dhe ka ambicie t’u prijë proceseve në Kosovë, ta shfrytëzojë këtë logjikë autoritare e totalitare të të menduarit: një fakt fiton rëndësi në varësi të asaj kush e thotë! Apo, ekziston e vërteta zyrtare, e cila nuk është e thënë të jetë në përputhje edhe me të vërtetën faktike!

A nuk e kemi përjetuar këtë njëherë, gjatë kohës së komunizmit, e sidomos gjatë viteve tetëdhjetë e tutje, pas demonstratave në Kosovë?

Mund të konsiderohet se këtë herë, për dallim prej deklaratave të ngjashme, të cilat i dëgjojmë tash e njëzet vite për nevoja të politikës ditore dhe në shërbim të teknologjisë së përfitimit të mbështetjes me polarizimin e qytetarëve, deklarata e Buxhovit gjeti një ambient më të përshtatshëm për t’u dëgjuar.

Në ShBA, për fat, si edhe në Perëndim në përgjithësi, ende çmohet e drejta, e vërteta dhe fakti, si edhe mbajtja e fjalës së dhënë. Në kontrast me Kosovën, për fat të keq, ky realitet e shquan ambientin e marrëzisë politike në të cilin po jetojmë dhe falsitetin e pushtetarëve tanë, të cilët flasin për vlera evropiane dhe për integrime euroatlantike, ndërsa në praktikë sillen si autokratë. Dhe se nuk kemi një opozitë të denjë dhe një rezistencë të përgjithshme, e cila mund t’u dalë përballë.

Provo po ashtu

florian bieber

Perspektivat e reja varen nga krijimi i koalicioneve në Kosovë

Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber mbi zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, shanset e dialogut …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.