bodo weber

Weber: Frika për pazar në dialog e detyroi Specialen të ngre aktakuzë ndaj Thaçit

Analisti Bodo Weber ka thënë se aktakuza e Gjykatës Speciale për presidentin Hashim Thaçi në kohën kur pritej të rifillonte dialogu Kosovë-Serbi, ka të bëjë me frikën e prokurorëve për një pazar të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Ai në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se Thaçi e kishte privatizuar qëndrimin negociues të palës kosovare në dialog, siç thotë ai, për ta futur Kosovën në një marrëveshje të rrezikshme për ta shpëtuar vetën nga Specialja.

“ Po të kemi parasysh përpjekjet e presidentit Thaçi në tre vitet e kaluara për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë – duke privatizuar qëndrimin negociues të palës kosovare, këmbënguljen për ta futur Kosovën në një marrëveshje të rrezikshme për ndryshim territoresh – dhe se këto ai i ka bërë për të shpëtuar nga padia e Gjykatës Speciale, atëherë ishte e qartë që Thaçi një ditë do të thirrej nga kjo gjykatë. Vendimi i jashtëzakonshëm i prokurorëve për ta publikuar aktpadinë paraprake, para se të merrte vendim gjykata, ka të bëjë me këto veprime të presidentit. Fakti që prokurorët zgjodhën këtë ditë, dëshmon për frikën e tyre për ndonjë pazar të mundshëm në negociatat që do të bëheshin të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht nëse ky shqetësim ishte i bazuar apo jo”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Prokuroria Speciale nuk do të lejojë të ndikohet nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Weber deklaron se veprimi i dhomave të specializuara kundrejt Thaçit u detyrua nga veprimet e këtij të fundit. Sipas tij, kjo gjykatë nuk është politike.

“Pikërisht, vitin e kaluar, në kontekstin e dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm Haradinaj, që të merrej në pyetje nga prokurorët e Hagës, pati shumë spekulime, madje dhe ndër qarqet qeveritare evropiane se a ndikohet gjykata e Hagës nga administrata e Trumpit, pasi Haradinaj ishte kundër mbështetjes së marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve. Hapi i tanishëm i prokurorëve, sado i pazakontë që është, vërteton pikërisht pavarësinë e Hagës, pasi është në kundërshtim me interesat e administratës Trump. Ky vendim po kritikohet si “politik” nga elitat politike në Kosovë, por edhe nëse ky vendim është deri diku politik, ai u detyrua nga veprimet e Presidentit Thaçi dhe mbështetësit e tij brenda dhe jashtë Kosovës, dhe nuk është dëshmi se kjo Gjykatë është politike”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se aktakuzën nuk e sheh si plan për ta përshpejtuar procesin e gjykimit të Thaçit në mënyrë që të dalë nga Gjykata i pastruar si figurë.

“Unë nuk e shoh kështu. Para së gjithash, janë aktivitetet e administratës Trump, dhe të dërguarit të tij, Grenell, që cënohen nga kjo bërje publike. Meqenëse Uashingtoni është mbështetur tek Presidenti Thaçi më shumë se BE-ja, më duket se pala amerikane në konkurrencën transatlantike për dialogun është më e dëmtuar sesa BE”, ka thënë ai.

Gjykata Speciale ka publikuar një propozim-aktakuzë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli, të cilët, si pretendon Prokuroria Speciale me aktakuzë ende të pakonfirmuar “akuzohen për rreth 100 vrasje”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.