“Washingtoni përzihet tinëzisht në Ballkan teksa koronavirusi mbërthen botën”

Shkruan: James Pardew

 

Cili interes i mundshëm amerikan realizohet përmes diplomacisë së vazhdueshme të administratës Trump, e cila është duke e destabilizuar Kosovën, shtetin e vogël dhe të brishtë pro-amerikan të Ballkanit, gjatë një pandemie globale? Dhe, përse ekipi e Trumpit e bën këtë, kur ishte SHBA-ja ajo që e ndali Serbinë – me forcë – që të kryejë gjenocid në Kosovë më 1999?

Një gjë e tillë zgjon kureshtje të veçantë, pasi që SHBA-ja ishte akterja kryesore në pavarësimin e Kosovës dhe pasi që Kosova ka qenë shteti më pro-amerikan në Evropë, pas pavarësisë. Sidoqoftë, diplomacia e vazhdueshme amerikane sot e favorizon Serbinë, aleaten më të afërt të Rusisë në rajon.

I dërguari i Trumpit, Richard Grenelli është duke u munduar ta detyrojë Kosovën që t’i pranojë kërkesat serbe, në kuadër të “negociatave” për normalizimin e raporteve midis dy shteteve.

Grenelli po i udhëheq përpjekjet e tanishme diplomatike në Kosovë, ai po ashtu mban postin e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani dhe është ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës amerikane. Është kjo një gamë absurde detyrash për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe pa kurrfarë përvojë në inteligjencë.

Grenelli raportohet të ketë qenë katastrofik si ambasador në Gjermani, nëse si standard merret raporti bashkëpunues me aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi që e presin largimin e Grenellit, transmeton KOHA.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice e quajti Grenellin “njërin prej personave më të papëlqyeshëm dhe më të pasinqertë që kam takuar ndonjëherë”.

Serbia sot udhëhiqet prej presidentit Aleksandër Vuçiq, nacionalistit serb që po e shfrytëzon urrejtjen etnike si mjet politik për të fituar përkrahje lokale politike – ashtu si bëri Slobodan Milosheviqi në vitet nëntëdhjetë. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin përçarje dhe armiqësi, si në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë. Vladimir Putini është i gatshëm ta ndihmojë Beogradin në gjithçka që e cenon unitetin e Evropës Perëndimore dhe SHBA-së.

Ajo çfarë po bëjnë tani në Kosovë Trumpi dhe Grenelli, paraqet një shkëputje prej politikave të suksesshme amerikane në rajon, në mënyrë rrënjësore.

Një parim i SHBA-së që solli paqe në rajon nga 2008-ta, ishte koncepti se kufijtë ishin të pandryshueshëm dhe se zgjidhjet politike duhej të gjendeshin Brenda kufijve të shteteve të caktuara. Marrëveshja e Ohrit që e parandaloi luftën në Maqedoni shkruan në mënyrë të qartë se “nuk ka zgjidhje territorial për çështjet etnike”. Të drejtat, jo territoret, janë zgjidhje e këtyre problemeve.

Udhëheqja amerikane me një koalicion të fortë të partnerëve ndërkombëtarë përdori diplomacinë intensive dhe forcën ushtarake për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për ta ndalur një fatkeqësi mizore humanitare të radhës në Kosovë dhe për ta parandaluar një luftë civile në Maqedoni, gjatë viteve 1995-2008, teksa ish-Jugosllavia po shpërbëhej. Përpjekjet e udhëhequra prej amerikanëve në ish-Jugosllavi ishin një sukses i madh i politikës së jashtme për SHBA-në, në periudhën e hershme post-sovjetike.

Sot, Kosova është shtet sovran demokratik, i njohur prej 97 shteteve. Por, Serbia e ka përdorur ndikimin e saj për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet tjera ndërkombëtare. Si kundërpërgjigje, Kosova ka vënë tarifë 100 për qind mbi mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenelli e ka nxitur Kosovën që t’i heqë tarifat, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat e ndërprera.

Përderisa sanksionet ndërkombëtare dhe tarifat janë politikë e preferuar e administratës Trump, kundërshtimi, prej Trumpit, i tarifave legjitime si levë ndërkombëtare, është më shumë se ironik.

Për t’i bërë presion Prishtinës që ta heqë embargon, SHBA-ja pezulloi ndihmat e domosdoshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Washington madje edhe e shtruan mundësinë e largimit të kontingjentit të vogël të trupave amerikane në Kosovë, esencialë për sigurinë në Ballkan që nga 1999-ta. Ishte ky faktor i rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, teksa koronavirusi po përhapej nëpër rajon. Kosova tani qeveriset prej një Qeverie në detyrë.

Grenelli duket se e preferon qasjen e politikanit të kahmotshëm të Kosovës dhe presidentit aktual, Hashim Thaçit, i cili e ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje edhe nëse përfshin shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Beogradit.

E këshillova Thaçi gjatë një bisede personale në Washington, para më shumë se një viti, se marrëveshja për shkëmbim territoresh ishte një truk serb që nuk do të shpinte askund dhe se ai nuk mund t’ besonte administratës Trump në çfarëdo negociatash me Beogradin. Ai ka shpërfillur këtë këshillë timen.

Shumë pyetje ngritën lidhur me misionin e Grenellit në Kosovë. Përse dikush me përvojë aq të kufizuar dhe me portofol aq të rëndësishëm shtetëror do të përfshihej në negociatat midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Përse Grenelli po mban qëndrim pro-serb në bisedime? Përse SHBA-ja po e destabilizon një shtet pro-amerikan në një periudhë aq të brishtë?

Diçka këtu është e dyshimtë.

Si entuziast i përkushtuar i Trumpit, Grenelli thjeshtë mund të synojë që me çdo kusht ta gëzojë shefin e vet. Por, dyshoj se në këtë mes ka diçka më shqetësuese, posaçërisht pasi që kam dyshime të thella rreth raporteve të Trumpit me Vladimir Putinin. Dyshoj – pa dëshmi – se Putini ia ka paraqitur qëndrimet e veta pro-serbe Trumpit, e ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë dhe pastaj i ka kërkuar Trumpit ndihmë në negociata.

Ashtu si edhe me të gjitha emërimet tjera të pamenduara mirë, Trumpi e bëri shërbëtorin e tij lokal, Grenellin agresiv dhe armiqësor, njeriun e tij kryesor për Kosovën. Kjo do të ishte një dhuratë për Putinin, që kënaqet në nxitjen e telasheve – të çfarëdo lloji – në Evropë.

Të kesh angazhim diplomatik të inspiruar prej Trumpit në ish-Jugosllavi është sikur ta lësh një dyvjeçar të luajë me qiri të ndezur midis kashtës.

Misioni i Grenellit në Kosovë rrezikon të nxisë jostabilitet në Ballkan dhe nuk i shërben asnjë interesi shtetëror amerikan. Politika aktuale amerikane në Kosovë do të mund të përkufizohej paaftësi diplomatike në rastin më të mirë, e mbase edhe keqpërdorim zyrtar.

Teksa COVID-19 ka mbërthyer SHBA-në dhe Evropën, Grenelli nuk duhet të nxisë përplasje në Ballkan, ku i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për përmirësimin e gjendjes.

Në vend të kësaj, SHBA-ja duhet ta promovojë një qeveri stabile në Kosovë, për t’u përballur me krizën aktuale shëndetësore.

Raporti Kosovë-Serbi është problem afatgjatë që meriton vëmendje serioze dhe profesionale, e jo politika gjysmake të njëanshme që shkojnë në favor të interesave serbe dhe ruse.

James Pardew është,  ish-ambasador i SHBA-së në Bullgari dhe ish-ndihmëssekretar i NATO-s. Ky vështrim është publikuar në “The Hill” https://thehill.com/opinion/international/491215-washington-fiddles-in-the-balkans-while-covid-flames-engulf-the-world

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.