Angela Merkel e Martin Schulz

VV, Haradinaj, Mustafa, Thaçi … Për kë të votojë mërgata shqiptare në Gjermani

Vetëvendosje përmes një komunikate ka sygjereruar shqiptarët e Gjermanisë që të votojnë kundër partisë ekstreme të djathtë AFD .

Ky subjekt politik po ashtu i shpjegoi mërgatës se “Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.

Ky qëndrim i Vetëvendosjes është cilësuar nga disa si thirrje që të votohet kundër partisë  CDU të drejtuar nga Angela Merkel dhe ka nxitur ne reagime te shumta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “të majtët kanë përkrahur regjimin e Milloshevicit në Kosovë”.  Sipas tij “përkrahja e të majtëve nga Vetëvendosje po bëhet sepse kanë hyrë në borxh ndaj tyre pasi kanë marrë përkrahje”.

“Lëvizjet e majta kanë përkrahur Millosheviqit. Kanë hy borxh në adresa të gabuara. Kanë marrë përkrahje prej qendrave të gabuara”, ka thënë Haradinaj.

Pas Haradinajt për media u prononcua edhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka ftuar mërgatën shqiptare në Gjermani të dalin në votime në shtetin që ka ndihmuar shumë Kosovën dhe i ka dëshiruar sukses Unionit Kristian Demokratikit (CDU) të kryesuar nga Kancelarja Angela Merkel.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka komentuar zgjedhjet në Gjermani që do të mbahen nesër. Ai ka thënë se nuk është punë e Kosovës që të interferoj në zgjedhjet atje, ndërsa në emër të popullit të Kosovës ka falënderuar popullin gjerman dhe kancelaren Merkel për ndihmën e madhe.

“Nuk është e jona të inteferojmë në asnjë rrethane në këto zgjedhje, por duhet ta falënderoj kancelaren Merkel dhe popullin gjerman për ndihmën e madhe që kanë dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës në situatat më të vështira”, deklaroi Thaçi dhe shtoi se “edhe sot edhe nesër edhe përjetësisht, shqiptarët ku do që jetojnë, në Kosovë, në Gjermani do t’i jenë mirënjohëse kancelares Merkel, të cilës i dëshirojmë sukseset më të mira”.

Pas këtyre prononcimeve që në media u prezantuan në kontekstin e kritikës kundër qëndrimit të Vetëvendosjes për zgjedhjet në Gjermani, për media u prononcua lideri i VV-së, Visar Ymeri, i cili shpjegon se orientimet e Vetëvendosjes janë të përafërta me ato të CDU -ne e Gerhard Schroder, dhe kritikon Haradinajn për tërheqjen cilësimin që ai ua bën socialdemokratëve se gjoja kanë qenë përkrahës të Millosheviqit.

“A  e ka harruar Ramush Haradinaj se në periudhën 1998-2002, pra pikërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s, qeveria e Gjermanisë drejtohej nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) me në krye kancelarin Gerhard Shroeder? A po e quan Ramush Haradinaj SPD-në dhe kancelarin Shroeder përkrahës të Millosheviqit? Edhe në Britani kryeministër ishte Tony Blair, nga Partia Laburiste. Edhe ky subjekt socialdemokrat. Edhe ky na paska qenë përkrahës i Millosheviqit? Sipas Ramushit duket se po” ka komentuar Ymeri.

InfoGlobi ju sjell të plota qëndrimet e subjekteve përkitazi me zgjedhjet në Gjermani:

Njoftimi i Vetëvendosjes:

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË GJERMANI KANË NEVOJË PËR MOBILIZIM TË GJERË KUNDËR TË DJATHTËS EKSTREME

Ditën e diel në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka ndjekur me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore për shkak të rolit tejet të rëndësishëm të Gjermanisë në Bashkimin Evropian dhe më tej në nivel ndërkombëtar, për shkak të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane si dhe për rëndësinë që do të kenë këto zgjedhje për mërgatën shqiptare që jeton në Gjermani.

Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë). Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë.

Përballë këtij rreziku, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillimeve kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje.

Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Gjejmë rastin ta ftojmë mërgatën shqiptare ta shfrytëzojë të drejtën e votës duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në datën 24 shtator 2017 në Gjermani.

Prishtinë, 22 shtator 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

 

Njoftimi i Kryetarit të LDK’së

Të nderuar qytetarë

Anëtarë e simpatizantë të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore në Gjermani, duke pas parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të këtij shteti mik për Kosovën si dhe relacionet e miqësisë të shumanshme ndërmjet dy vendeve.

Përgëzojmë të gjitha subjektet politike gjermane për fushatën e tyre.

I urojmë sukses në zgjedhjet e së dieles Unionit Kristian Demokratikit (CDU) të kryesuar nga Kancelarja Angela Merkel, si parti simotër në kuadër të Partisë Popullore Evropian (EPP), duke shprehur konsideratat më të larta për rezultatet historike që janë arritur në Gjermani si dhe përkrahjen e pazëvendësueshme që është ofruar për Kosovën dhe rajonin, nën lidershipin e Kancelares Merkel dhe CDU-së.

Ftojmë bashkatdhetarët tanë të jenë pjesë e procesit zgjedhor në Gjermaninë mike, e cila ka kontribut të jashtëzakonshëm në pavarësinë, si dhe në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës.

Reagimi i Donika Gërvallës në Gjermani:

HahahahahaVV të gjitha sfidat në Kosovë i paska kry e tash po na tregon se kë duhet të votojnë shqiptarët në Gjermani.Të dashur shqiptarë me të drejtë vote në Gjermani.

Votoni kë t’jau marrë mendja, por kujdes, mos votoni partnerin e VV-së në Gjermani, partinë e majtë “Die Linke”. Janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiqit në Gjermani, kundërshtarët më të mëdhenj të angazhimit për Kosovën në këtë vend demokratik dhe të përparuar.

Votoni partitë tradicionale, ato që përkrahën ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe jo partnerët e VV, të cilët në vitin 1999, në kohën kur bota e civilizuar kërkonte zgjidhje për Kosovën dhe qytetarët e saj, shkonin dhe takoheshin me xhelatin Milloshevic dhe përcillnin mesazhet e tij në parlamentin gjerman.

Në fakt, edhe ky koment i imi është krejt i panevojshëm, sepse ju të gjithë këtu keni qenë dhe i keni ndjekur zhvillimet e atëhershme dhe ato të tanishmet, por ja që thirrja publike e VV ngacmon dhe të detyron mos ta përmbash veten dhe të shprehesh doemos.

Reagimi i Visar Ymerit, Vetevendosje:

Sa më lartë që hipin në pushtet, aq më poshtë bien për nga vlerat e morali politikanë si Ramush Haradinaj, që ndjekin shembullin e modelit politik të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ulja ndodh para ngritjes në pushtet, dhe kjo ulje shkon më tej drejt tatëpjetës kur ata vinë në pushtet.

Lëvizja Vetëvendosje nxori mbrëmë një deklaratë para zgjedhjeve në Gjermani ku kritikon ksenofobinë dhe politikat diskriminuese të ekstremit të djathtë në Gjermani të përfaqësuar nga AFD, parti kjo që nuk ka asnjë lidhje me partinë CDU të drejtuar nga Angela Merkel, që Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si partnere në marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Ne i kemi bërë thirrje mërgatës shqiptare të angazhohet në zgjedhjet në Gjermani duke kryer detyrën e tyre si qytetarë, si dhe e kemi ftuar mërgatën të lexojë programet politike të partive që garojnë në këto zgjedhje, duke shpjeguar gjithashtu, që disa prej pikave tona programore përputhen me programin politik të Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD), e cila i përket të njëjtit spektër politik si Lëvizja Vetëvendosje.

Ramush Haradinaj e ka përdorur sot deklaratën tonë për të aluduar, përmes një manipulimi, se paska patur lëvizje që e kanë përkrahur Millosheviqin, e që ka lëvizje që kanë hyrë në borxh në adresa të gabuara, e jo me ata që kanë rrugëtuar me Kosovën. Është e rëndësishme që këto sulme të ulëta Ramush Haradinaj t’i shpjegojë jo vetëm për publikun e gjerë shqiptar por edhe për partnerët tanë gjermanë. Për kë e ka fjalën Ramush Haradinaj?

A e ka harruar Ramush Haradinaj se në periudhën 1998-2002, pra pikërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s, qeveria e Gjermanisë drejtohej nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) me në krye kancelarin Gerhard Shroeder? A po e quan Ramush Haradinaj SPD-në dhe kancelarin Shroeder përkrahës të Millosheviqit? Edhe në Britani kryeministër ishte Tony Blair, nga Partia Laburiste. Edhe ky subjekt socialdemokrat. Edhe ky na paska qenë përkrahës i Millosheviqit? Sipas Ramushit duket se po.

Është për keqardhje që një varfëri kaq pikëlluese intelektuale vjen pikërisht nga një kryeministër i cili të tjerëve iu propozon të bëjnë më shumë shkollë!

Lëvizja Vetëvendosje do të punojë nga afër me cilëndo qeveri që formohet në Gjermani pas këtyre zgjedhjeve duke respektuar vullnetin e popullit gjerman. Por ne nuk tërhiqemi nga kritika jonë ndaj retorikave ksenofobe të AFD-së dhe rrezikut që ato bartin për të gjithë BE-në, dhe ky qëndrim i yni përputhet edhe me qëndrimin e partisë CDU të Angela Merkelit dhe të SPD-së, të cilat kanë qenë në koalicion me njëra-tjetrën.

Ndërkohë që ne jemi të qartë dhe koherent me qëndrimet tona mbi partnerët e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u bërë bashkë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në njërën anë, dhe me Listën “Srpska” dhe Vuçiqin në anën tjetër, në ambicien e tij të verbër për pushtet, po rrëshqet gjithmonë e më shpejtë në tatëpjetë.

@infoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.