Vuçiqi porositi Haradinajn: Mos shpenzo kerozinë për Washington se “nuk e njohim Kosovën”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në takimin e 2 shtatorit në Washington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Haradinaj, për media shpjegoi se “për çka po shkon Kosova në Washington?”.

“Po shkojmë për marrëveshje, për njohje reciproke në kufi ekzistues. Nëse rrethanat e sjellin këtë marrëveshje, po shkojmë për këtë marrëveshje, por nëse ka përparim, marrim edhe përparimin cilido qoftë ai”, tha Haradinaj.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd deklaroi se Serbia “Nuk ka gjasë që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës në Washington”. “Për marrëveshje nuk mjafton as Trumpi”.

I pyetur që të komentojë deklaratën e Ramush Haradinajt, sipas të cilit delegacioni i Kosovës udhëton në Uashington që me përfaqësuesit e Beogradit të bisedojë për njohjen e Kosovës, Vuçiq u përgjigj:

“Nëse e pret këtë gjë, Haradinaj mundet menjëherë ta kthejë pas aeroplanin e vet, që të mos shpenzojë kerozinë. Ne po shkojmë në Uashington për bisedime me rëndësi, ndërsa skenari që ata t’i marrin të gjitha, ndërsa ne asgjë, këtë shfaqje nuk do ta shohin. Por çdo gjë është e mundur. Derisa unë të jem me mendje në kokë dhe deri sa të mund të gjykoj racionalisht, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi Vuçiq.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Administrata amerikane ka konfirmuar se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë.

Kjo masë ka qenë e papranueshme për autoritetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut./infoglobi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.