aleksander vuciq

Vuçiq: Nuk ndërhymë në çështjen e njohjes së Kosovës nga Izraeli

Në një intervistë për të përditshmen boshnjake, “Dnevni Avaz”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur për marrëveshjet e nënshkruara në Uashington, ndër të tjera tha se “ajo që ne (Serbia) nuk e pranuam ishte njohja e ndërsjellë (midis Serbisë e Kosovës)”, transmeton Koha.net.

“Por ajo që ishte kurdisur atje, në fakt, ata dëshironin që ne të themi se për ne është në rregull që Izraeli të njohë pavarësinë e Kosovës. Ne këtu nuk deshëm të përzihemi. Thamë Izraeli është shtet sovran, ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë, ndërsa nga ana jonë Izraelit i dërguam një mesazh fare të qartë”, ka thënë Vuçiq.

Ai është lavdëruar për lojën që ka luajtur atje. “Pas një kohe të gjatë, Prishtina pranoi të marrë pjesë në atë që ne e quajmë ‘Mini-Schengen’, që është një gjë e jashtëzakonshme edhe për Shqipërinë, edhe për Serbinë, por edhe për boshnjakët”.

“Nëse për shembull, në të gjitha pikëkalimet kufitare ku i kemi inspeksionet fitosanitare, kur bëni që kamionët të presin 24 orë më pak se që është rasti tash, atëherë keni bërë një kursim serioz në punët operative. Atëherë u ndihmoni ekonomive të të gjitha vendeve dhe mund të tregoni sa po përparon ekonomia juaj. Nëse e jepni lejen e punës për Tiranë ose Prishtinë, ose Shkup, ato leje pune do të vlejnë edhe në Beograd. Aty bëhet fjalë për mijëra çështje që njerëzve të thjeshtë ua lehtëson jetën, që u japin atyre të drejtë të shpresojnë se do të jetojnë në paqe. Kjo do të stabilizojë gjithë rajonin. Të mos flasim se jemi marrë vesh për projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç është autostrada Nish-Prishtinë. Po ashtu edhe hekurudhat të cilat thuaja gati i kemi harruar. Do të bëjmë rekonstruksionin e pjesës ekzistuese të asaj rruge Nish – Prishtinë dhe pastaj do të kemi infrastrukturë komplete edhe për transportin e udhëtarëve, edhe të mallrave deri në Tiranë e Durrës. Ajo që për ne është edhe më e rëndësishme është ajo që kemi fituar dhe që e presim qysh në dy muajt e ardhshëm që në Beograd të jetë zyra e Fondit Amerikan të Zhvillimit”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.