Vrasja e Ivanoviqit, reagojnë politikanët, kërkojnë zbardhjen e saj

Lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nuk u ka mbijetuar plagëve, pas sulmit ndaj tij me armë zjarri, në mëngjesin e së martës në Mitrovicën veriore.

Reagimet për vrasjen janë të shumta. Vrasjen te kanë dënuar liderët e Kosovës, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, si dhe politikanë e liderë tjerë nga rajoni e bota. Krahas dënimit shumica syresh kanë shprehur shqetësimin se Serbia mund ta përdorë këtë moment për ti dhënë fund bisedimeve, prandaj kanë apeluar që diçka e tillë mos të ndodhë.

Reagimet e liderëve të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi fuqishëm vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviq.

“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejt rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”.

“Gjithashtu, apeloj te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje”, tha përmes një komunikate presidenti Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, si dhe ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kryeparlamentari Veseli beson se organet e drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore që ky rast i rëndë të zbardhet sa më shpejtë dhe që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit në rrethana të pasqaruara dhe motive të panjohura, është akt kriminal dhe i dënueshëm”, ka shkruar Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Facebook.

Ekipi negociues nga Kosova dhe ai nga Serbia po qëndrojnë në Bruksel për të vazhduar dialogun. Me t’u vrarë Ivanoviq, Serbia u tërhoq nga bisedimet e planifikuara të mbahen këto ditë.

Sipas kryeministrit, shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit.

Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, si dhe e përcaktuar fuqishëm në rrugën e vet euro-atlantike.

Institucionet tona do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që të zbardhet kjo vrasje, dhe në asnjë situatë nuk do ta pranojnë logjikën e kalkulimit të akteve kriminale për qëllime politike nga kushdo qoftë!, ka reaguar mes tjerash Haradinaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Limaj e ka vlerësuar si qyqar dhe të shëmtuar këtë akt. Numri dy i Qeverisë “Haradinaj” ka ftuar institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti dhe autorët e krimin të marrin dënimin e merituar.

“Vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq, është akt i shëmtuar dhe qyqar. Ftoj institucionet përgjegjëse që sa më shpejt t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti dhe autorët e krimit ta marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e kryetarit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Mogherini bisedon me Thaçin e Vuçiqin, dënon vrasjen e Ivanoviqit

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bisedoi përmes telefonit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, këtë mëngjes në veri të Mitrovicës.

“Në bisedat telefonike, përfaqësuesja e lartë e dënoi fuqishëm vrasjen dhe shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij. Ajo shfaqi shpresën se autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë nuk do t’i kursejnë përpjekjet për t’i gjetur autorët dhe për t’i sjellë ata përpara drejtësisë, pa vonesa”, thuhet në komunikatën që ka lëshuar Zyra e Mogherinit.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, do t’i mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e tij”, tha Mogherini.

Ajo po ashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje.

Reagojnë ambasada amrikane, UNMIK e OSBE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, e dënoi fuqishëm “vrasjen e dhunshme” të politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe shprehu ngushëllimet më të thella të ambasadës amerikane për familjen e tij.

“U bëj thrrje të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë – sidomos tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara – ta hetojnë këtë incident me shpejtësi dhe profesionalizëm dhe të sjellin autorët përpara drejtësisë”, tha Delawie.

Ai po ashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që “të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbeten të qeta në këtë kohë të ndjeshme”.

Delawie theksoi nevojën që të vazhdohet të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi special në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka dënuar ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Në një komunikate por media të UNMIK-ut, thuhet se Tanin “është tronditur nga vrasja e Oliver Ivanoviqit – udhëheqës i Iniciativës qytetare Liri, Demokraci, Drejtësi – afër zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut sot në mëngjes, dhe dënon ashpër këtë akt”.

Tanin ka shprehur besimin në organet e hetuesisë se “do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim”.

Tanin në emër të OKB-së ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe miqtë e Ivanoviqit.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), ambasadori Jan Braathu, tha se është i tronditur dhe i pikëlluar thellë nga lajmi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës.

“Ka qenë një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës gati dy dekada. Ai ka treguar angazhim të palodhur për të mirën e komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i respektuar në Kosovë”, tha Braathu.

Sipas tij, vrasja e Ivanoviqit shkakton “ankth të thellë”.

Ivanoviq ka vdekur mëngjesin e sotëm, pasi është qëlluar me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!