fbpx

Votuan letërkëmbimin për ndërrimet kushtetuese, s’e votuan Specialen

Të gjithë deputetët e AAK-së, pos Daut Haradinajt, Ahmet Isufi, Time Kadrijajt dhe Njazi Idrizit, e kanë votuar vitin e kaluar letërkëmbimin e Jahjagës me baroneshën Ashton, raporton KTV.

Ky dokument që u ratifikua si marrëveshje ndërkombëtare nëpërmes një ligji, është baza e krijimit të Gjykatës Speciale.

Aty parashiheshin këto ndryshime kushtetuese dhe të tjerat që lidhen me këtë Gjykatë.

Fatmir Limaj, tani lider i Nismës, parti opozitare që po kundërshton Gjykatën, nuk kishte marrë pjesë fare në votim.

Shefja e deputetëve të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, mund ta ketë shqyer projektligjin për Gjykatën Speciale, por ajo e kishte çuar dorën PRO tij, vitin e kaluar. Pothuajse të gjithë deputetët e AAK-së, kishin votuar për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së mbi EULEX-in.

Kjo marrëveshje që u shndërrua në ligj të Kuvendit, ishte baza e krijimit të Gjykatës Speciale. Ata që e votuan atë kohë për, insistojnë se nuk është e njëjta gjë.

Por, në fakt, në letërkëmbimin e Jahjagës dhe Ashtonit, që është pjesë e këtij ligji, shkruante qartë qysh në prill të 2014-s për gjitha atë që po ndodh tani. ”Nëse hetimi nga SITF-ja rezulton me aktakuzë dhe procedura gjyqësore, duhet siguruar një mjedis të përshtatshëm për administrimin e duhur të drejtësisë.

Në pajtim me këtë, një GJYKATË E SPECIALIZUAR brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, si një Zyrë e Specializuar prokurorie do të shfrytëzoheshin për procedurat gjyqësore dhe të apelit që dalin nga hetimet e SITF”, shkruan në letrën e Presidentes Jahjaga të miratuar nga legjislatura e kaluar. Dhe hetimi kishte rezultuar me aktakuzë, që u bë publike vetëm 3 muaj pasi ky letërkëmbim u miratua në Kuvend.

Aty potencohet se gjykata do të kishte NJË seli në Kosovë, por procedurat e ndjeshme, përfshirë shkresat, do të mbahen ekskluzivisht jashtë vendit. Të gjitha këto parashihen edhe tani në Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kjo është e përcaktuar me nenin 3, pika 6 të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

Siç përcaktohet me anë të një marrëveshjeje ndërkombëtare me shtetin pranues, Dhomat e Specializuara po ashtu kanë seli edhe në shtetin pranues jashtë Kosovës. Në letërkëmbim, po ashtu shtohet se kjo Gjykatë do të funksiononte në bazë të rregullave të veta dhe me staf ndërkombëtar dhe kjo përfshin edhe krijimin e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes edhe vitin e kaluar kishte votuar kundër këtij letërkëmbimi, por tani thonë se është mirë që edhe të tjerët janë vetëdijesuar për këtë.

Dhomat e Specializuara pritet të gjykojnë aktakuzën që tashmë është e gatshme e hetuar dhe shkruar nga Task Forca Hetimore Speciale që udhëhiqej nga amerikani Clint Williamson. Tani këtë Task Forcë, që nëse kalohet ligji, do të ishte Zyra e Prokurorit të Specializuar, e udhëheq një amerikan tjetër, David Schwendima/DIALOGPLUS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.