Ballina / KOSOVA / VoA: Qasja e qeverisë së re ndaj bisedimeve me Serbinë

VoA: Qasja e qeverisë së re ndaj bisedimeve me Serbinë

Në Kosovë rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare edhe kësaj radhe kushtëzon koalicione pas zgjedhore, sikurse në të kaluarën, meqë asnjë parti deri tash nuk ka arritur të siguroj mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme. Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se nga rezultatet e zgjedhjeve të së dielës presin krijimin e shpejtë të një koalicioni në mes të dy partive të para, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Votuesi kosovar i ri, në rritje, në zhvillim po kërkon ndryshim, besoj që edhe pas pak kohë do të kërkojë edhe ndryshime të tjera. Unë mendoj që një marrëveshje parimore e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes për të formuar qeverinë duke respektuar mandatarin e të parit, fituesit të zgjedhjeve do të marrë formë shpejt, nuk pres vështirësi”, thotë Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për hartimin e politikave.

“Ajo që vihet në pah në këto zgjedhje është se ka pasur një votë ndëshkuese ndaj qeverisjes së deritanishme sepse të dypartitë opozitare kanë treguar një performancë të mirë në zgjedhje sidomos Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë e para dhe ky është një tregues që votuesi në Kosovë ka filluar që ta masë qeverisjen me performancë jo vetëm me një lloj klientelizmi që e kemi parë deri tani. Por dy partitë opozitare LDK dhe VV kanë treguar një performancë që iu mundëson atyre ta bëjnë qeverinë e ardhshme pa pasur nevojë për koalicione të tjera”, thotë analisti Ilir Ibrahimi.

Ata thonë se rezultati për koalicionin në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate ka dëshmuar se tarifa dhe marrëdhëniet me Serbinë nuk janë në qendër të vëmendjes së qytetarëve aq sa janë problemet e brendshme në Kosovë.

“Fakti që zoti Haradinaj nuk e rriti përkrahjen me qëndrimin e tij ndaj taksës për Serbinë tregon që votuesi në Kosovë nuk e ka brengë kryesore këtë dhe qeveria e ardhshme e LDK-së dhe VV-së është mirë që të koncentrohet në zhvillimet e brendshme, të marrë përgjegjësi e detyra që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjithë sistemit”, thotë zoti Rashiti.

Analistët thonë se ngritja e qeverisë së re duhet të pasohet me zëvendësimin e tarifës prej një qind për qind ndaj mallrave serbe, me ndonjë masë tjetër siç është reciprociteti, dhe kësisoj të hapet rruga për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Reciprociteti është një nga opcionet, mund të ketë edhe pezullim të përkohshëm apo cilado të jetë ajo formë e mundësimit të dialogut të mëtejshëm sepse me të vërtetë nuk e shoh se klasa jonë politike ka shumë hapsirë për të manovruar këtu. Ne do të duhet ta ruajmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me cdo kusht pa marrë parasysh se kush është në pushtet”, thotë zoti Ibrahimi.

“Së paku Kosova e ka për obligim që në mënyrë serioze të futet shpejt dhe në mënyrë dinamike në proces të dialogut. Se a do të arrihet marrëveshja pastaj nuk varet vetëm prej Kosovës, por të futet shpejt pa minuar punën e qeverisë dhe pa minuar marrëdhniet me miqtë ndërkombëtarë”, thotë zoti Rashiti.

Qytetarët e intervistuar nga Zëri I Amerikës presin ndërkaq ndryshime dhe përmirësim të jetës së tyre nga qeveria e re e Kosovës.

Fakti që asnjë nga partitë në Kosovë nuk mund të qeverisë e vetme ka bërë që deri tash ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Provo po ashtu

Specialja fton edhe Kadri Kastratin

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka njoftuar që është ftuar nga Gjykata Speciale. Ai ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.