Vlora Dumoshi

Vlora Dumoshi: Do të bashkëpunojë me qytetarë.  Në familje, në lagje

Vlora Dumoshi, prej vitesh është pjesë e jetës politike dhe institucionale në Kosovë. Karrierën e filloi si gazetare e Revistës Studentore “Bota e Re”, e vazhdoi me angazhimin si staf civil në Forcat Paqeruajtëse Amerikane për Kosovë dhe Bosnje e Hecegovine, e më pas në organizatat e ndryshme ndërkombëtare për zhvillimin e Sistemit Edukativo-Arsimor.

Intervistoi : Evliana Berani

Nga fundi i vitit 2009 deri më 2013, ishte Drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës periudhë në të cilën kontribuoi në përmirësimin e mjedisit të sportistëve, artistëve dhe të rinjve në aktivitetet e tyre respektive. Nga fundi i vitit 2013 është Këshilltare Komunale e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, kurse viteve të fundit mbante poste të larta zyrtare në Qeverinë e Kosovës.

Dumoshi aktualisht po garon për asambleiste të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, nga radhët e LDK-së.

infoGlobi: Fushatës po i ofrohet fundit e, me datën 22 qytetarët do të votojnë për të parin e Prishtinës  dhe asambleistët komunalë. Çka u ofron atyre Vlora Dumoshi?

Vlora Dumoshi:  Jam qytetare e Prishtinës, e rritur dhe e lindur këtu. I njoh dhe i përjetoj problemet e Prishtinës dhe të bashkëqytetarëve të mi.

Do të jem zë i fuqishëm në Kuvendin e Komunës që Prishtina të merr pamjen dhe përmbajtjen e një kryeqytetit që e meriton Kosova, dhe që jeta në qytet dhe fshatra të përmirësohet edhe më shumë.

infoGlobi: Si mendon t’i realizosh këto objektiva?

Vlora Dumoshi: Do të bashkëpunojë me qytetarë.  Në familje, në lagje.

Do të vizitoj shkollat dhe qendrat e mjekësisë familjare, të informohem sesi  arsimohen fëmijët dhe si trajtohen të sëmurët; do të bashkëpunojë me të rinjtë, për të realizuar kërkesat dhe nevojat e tyre në sport e kulturë; do të kujdesem për trashëgiminë tonë të vlefshme kulturore.

Dhe të gjitha hallet dhe kërkesat e qytetarëve do ti adresoj në komunë dhe do të kërkoj zgjidhjen e tyre. Që Prishtina të zhvillohet ashtu siç presin dhe kërkojnë qytetarët.

infoGlobi: Tanimë e dinë të gjithë se në Kosovë nuk qëndrojnë punët mirë me barazinë gjinore. Çka do të bëni që kjo të ndryshojë nëse e merrni timonin për të drejtuar Prishtinën?

Vlora Dumoshi: Lidhja Demokratike e Kosovës është parti që kultivon vlera evropiane edhe në fushën e barazisë gjinore.

Do të avancojmë me fuqizimin e rolit të gruas në zhvillimin ekonomik dhe në sferat sociale. Do të kërkoj të përmbushet premtimi i kandidatit tonë për Kryetar, z. Abrashi, që së paku 50 për qind e grave të jenë në krye të drejtorive.

Që gratë të udhëheqin shkollat dhe institucionet arsimore dhe kulturore; që gratë të jenë bashkë-kreatore të politikave urbane, hapësinore e zhvillimore të Prishtinës; të bëhen zgjidhjet më të mira për qëndrimin gjithëditor të fëmijëve në shkolla, në çerdhe dhe lirohen gratë nga këto obligime, për të qenë ta barabarta në sferat e tjera.

infoGlobi: Si shkoi fushata? Çka do të bënit ndryshe po të fillonte ajo sot?

Vlora Dumoshi: E vlerësoj se ishte një fushatë me standarde të larta. Por, do ta shkurtoja fushatën në dy javë.

Natyrisht po të kisha mundësi për të ushtruar ndikim në ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale. Është kohë e gjatë. Por ia vlen të takohesh me njerëz, me qytetarë me të cilët ndajmë halle dhe preokupime të përbashkëta.

Do të vazhdoja të kontaktoj çdo njeri, të bisedoj me ta. Të shohim bashkërisht se çfarë është më e mira për qytetin tonë, që është edhe shtëpia jonë.

infoGlobi: Ka vite që jeni në politikë? Çka ju shtyri t’i futeni politikës?

Vlora Dumoshi: Dëshira që gjerët të mos i shoh dhe përjetoj nga një kënd pasiv.

Por të luftoj dhe të sfidohem në rrugën për zgjidhjen e shumë problemeve tona.

Si nënë kam qenë e interesuar të luftoj për ardhmërinë e fëmijëve të mi. Por kështu i konsideroj edhe fëmijët tjerë, ata janë pasuria jonë më e madhe, atyre duhet siguruar ardhmëri. Dhe për këtë ardhmëri duhet të luftohet çdo ditë.  Me zë politik.

infoGlobi:  Pse LDK ?

Vlora Dumoshi: Është partia më e mirë, më demokratike. Parti që reflekton vlera të punës; kulturë dhe sjellje civilizuese.  E cila krijon hapësirë të gjerë për mendime të ndryshme dhe për gjenerata të ndryshme.

infoGlobi: Çka është ajo që i mungon më së shumti qytetit, e që po të fitoni këtë betejë , do ta vendosnit në listën prioritare të zgjidhjeve?

Vlora Dumoshi: Pastërtia dhe gjelbërimi.

Prishtinasit janë njerëz të pastër. Edhe qyteti, rrugët, trotuaret, institucionet duhet të duken ashtu siç janë njerëzit që jetojnë këtu.

Gjelbërimi, drunjtë dekorativ, lulet, duhet të mbulojnë më shumë sipërfaqe. Betonin do ta shndërroja në lule për fëmijët tanë. Për të moshuarit!

infoGlobi: Sa është e vështirë për një grua të futet në garë, e cila jo rrallë është mjaftë agresive, të paktën verbalisht?

Vlora Dumoshi:  Vërej se në çdo palë zgjedhje po shënohet progres në evitimin e keqpërdorimeve por edhe në sjellje dhe garë zgjedhore.

Si grua nuk e kam kompleksin e gjinisë. Dua të jem e barabartë dhe e konsideroj veten të barabartë në garë.

Kam përkrahjen e grave të partisë sime, të organizatave të pavarura, të bizneseve, me të cilat kam bashkëpunuar pa reshtur.

infoGlobi: Cili do të ishte mesazhi juaj për votuesit?

Vlora Dumoshi: Të dalin në zgjedhje, sepse ata vendosin për ardhmërinë e komunës sonë. Të kryeqytetit.

Të votojnë për ata që punojnë. Të dallojnë dhe vlerësojnë punën nga propaganda dhe zhurma që po e bëjnë disa individë dhe parti politike.

infoGlobi: A jeni optimiste për epilogun e zgjedhjeve?

Vlora Dumoshi: Besoj shumë në qytetarët e Prishtinës. Në bashkëqytetarët e mi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.