Vitia: Ndihma do t’i ofrohet secilit pavarësisht nacionalitetit dhe në çdo cep të Kosovës

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë Rashit Qalajn dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin ka folur për situatën e krijuar në veri të Mitrovicës , ku dy komuna ajo e Mitrovicës veriore dhe Zveçani prej mbrëmë janë në karantinë.

I pyetur se kush ka marr vendimin që këto dy komuna të vendosen në karantinë Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, tha se këte e ka bërë Ministria e Shëndetësisë në koordinim zyrtar me komunat veriore dhe në konsultim të ngushtë me profesionistët shëndetësir, IKSHPK.

“Sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse është Ministria e Shëndetësisë e cila mund të marrë vendime në situata të tilla. Natyrisht MSH-ja ka qenë në koordinim me autoritetet lokale në komunat përkatëse (Mitrovica e veriut dhe zveçani v.j.)  dhe në kordinim me to ky vendim është marrur nga MSH në kordinim me autoritetet lokale. Kjo është e vërteta dhe vetëm kjo është e vërteta. Nëse nuk është kështu unë mbajë përgjegjësinë publike”, ka theksuar Vitia, i cili shpjegoi se MSH merr vendime edhe në veri si në çdo komunë tjetër të Kosovës, pra në bashkëpunim me autoritete komunale e në konsultim të ngushtë me Intitutin e Shëndetit Publik .

Sipas Ministrit në detyrë  vendosja në karantinë e dy komunave veriore është bërë në kuadër të masave që parashihen nga protokollet e epidimiologëve dhe organizatave ndërkombëtare të shëndetësisë, siç është edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vitia ka apeluar që të lihen anash dallimet politike, sepse , si theksoi ai,primare është shëndeti i qytetarëve tanë, pa dallim.

“Jemi në një situatë kur është i rrezikuar shëndeti i qytetarëve tonë, pavarësisht në cilin vend dhe pavarësisht të cilit nacionalitet. Dhe ne si MSH bashkë me IKSHP dhe gjithë profesionistët shëndetësorë, pa dallim do të ofrojmë ndihmën tonë në çdo cep të vendit dhe çdo qytetari tonë në mënyrë që të ndihen të sigurtë për masat që po marrim në kohën e pandemisë”, ka theksuar mes tjerash Vitia.

Ndërkaq në pyetjen e gazetarëve se a është i vërtetë informacioni se në mjediset e banuara me pjesëtarë të komunitetit serbë, kanë ardhur për të ofruar ndihmë mjekë e infermiere nga Serbia, u përgjigj drejtori i Policisë Rashit Qalaj.

“Në Kosovë nuk ka hyrë askush pa leje të institucioneve tona” ka thënë Qalaj dhe ka siguruar se Policia e Kosovës po vepron në gjithë territorin e Kosovës në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Policinë e Kosovës.

Duke iu përgjegjur pyetjeve të gazetarëve Vitia ka shpjeguar se ekspertë të IKSHPK-së dje kanë shkuar në Mitrovicë të veriut dhe Graçanicë, ku kanë marr 93 mostra, nga të cilat tri kanë rezultuar pozitive. Ai ka shtuar se rezultatet e analizave që janë realizuar jashtë Kosovës deri dje, nuk janë regjistruar akoma , por si theksoi ai “jemi në kordinim me autoritetet lokale që do ta dërgojnë numrin e të prekurve  e që Instituti u Shëndetit Publik të Kosovës do t’i fus në raportet e tij statistikore.

“ Jemi në dijeni për deklaratat e shumta sot, edhe të karakterit politik, por po kërkoj që sot të jemi solidarë. Pandemia është kërcënim për gjithë njerëzimin, kujdes ju lutem nga komunikatat e pasaktësuara. I ftoj qytetarët të ndjekin këshillat tona, të jenë të sigurt që zyrtarët policorë, bashkë me infermierë e mjekë po japin maksimumin. Ju lutem t’i shmangni vizitat familjare. Ruani shëndetin tuaj e të familjarëve. Mendoni dy herë para se të dilni nga banesa e shtëpia. Çdo dalje bart rrezikshmëri të lartë, ky muaj do të saktësojë gjithçka. Vetëm bashkë mund t’ia dalim”, përfundoi Vitia.

Prof. dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së dhënë pasqyrën për gjendjen me COVID19 dhe ka apeluar qytetarët të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Konferenca për shtyp erdhi si duket pas reagimeve që gjatë ditës i bëri lideri i PDK-së, LDK-ja dhe Presidenti Hashim Thaçi, të cilët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen në veri, pas futjes në karantinë të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Zveçanit pas paraqitjes së 16 rasteve me koronavirusin e ri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se situata e krijuar me pandeminë në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook. Njëkohësisht ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.