eurozona

Viti 2017 riktheu besimin brenda Bashkimit Evropian

Pas një dekade të mbushur me kriza, Bashkimi Evropian u ka mbijetuar disa rreziqeve që mund të konsiderohen ekzistenciale, por udhëheqësit e tij thonë tani se blloku po rimëkëmbet.

Rritja ekonomike në Eurozonë parashikohet të jetë më e madhe sesa në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, ndërsa fluksi i imigrantëve duket se po bie. Por analistët paralajmërojnë se problemet themelore nuk janë zgjidhur dhe se BE-ja nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi.

Kriza e borxhit të Euros që pothuajse çoi në falimentim disa shtete evropiane.

Mbërritja kaotike e miliona migrantëve që donin të linin pas luftën dhe varfërinë.

Dhe, vota e Britanisë në 2016-ën, për të dalë nga Bashkimi Evropian, një vendim i vlerësuar nga Donald Trumpi, i cili u bë president me një mesazh populist.

Bashkimi Evropian u ka mbijetuar dekadave me kriza. Në vitin 2017, udhëheqësit e tij thanë se Evropa i është rikthyer normalitetit. Në fjalimin për gjendjen e bllokut në shtator, presidenti i Komisionit Evropian përshkroi kështu momentin.

“Era është rikthyer në velat e Evropës. Tani kemi një dritare mundësie, por nuk do të jetë e hapur përjetë”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron shihet gjerësisht si shpëtimtari i Evropës. Ai fitoi zgjedhjet e majit me një platformë të qartë pro-evropiane, duke mundur Frontin Kombëtar anti-evropian të Marine Le Pen.

Përkrahësit i atribuojnë presidentit Macron frenimin e krahut të së djathtës së skajshme dhe populizmit që dukeshin të pandalshme në Evropë. Por analistët thonë se ato forca nuk mund të injorohen.

“Po, Macron u zgjodh si kandidat pro-evropian por në fund të fundit arsyeja ishte se për shumë votues ai ishte e keqja më e vogël krahasuar me Marine Le Pen në raundin e dytë.”

Presidenti Macron madje shprehu shpresën se Britania mund të ndryshojë mendim për t’u rikthyer në një bllok të reformuar.

“Në një bashkim që po rikthen vëmendjen në vlerat e tij të palëkundshme dhe një treg efikas, pas disa vjetësh nëse dëshiron, Britania mund ta gjejë veten”.

Megjithëse ekzistonte frika për një efekt domino pas vendimit të Britanisë për t’u larguar, nuk ka pasur nisma të tilla nga anëtarë të tjerë.

“Rreziku për largimin e vendeve të tjera ka rënë falë Brexit-it, edhe thjesht sepse rasti i Britanisë tregoi se është jashtëzakonisht e vështirë të dalësh nga Bashkimi Evropian”.

Por ai thotë se Evropa nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi.

“Nga njëra anë, kriza e migrimit po vazhdon, njerëzit vazhdojnë të vijnë dhe nuk ka ende një sistem që ofron një zgjidhje të qëndrueshme, sepse vendet anëtare thjesht nuk kanë vullnetin të bien dakord. Dhe përsa i takon Eurozonës, ajo nuk ka kuadrin e nevojshëm të qendrueshëm që bashkimi të jetë funksional”.

Evropa do ta fillojë 2018-ën me një vetëbesim të konsoliduar krahasuar me një vit më parë, me një Eurozonë që po rritet, rënie të numrin të migrantëve dhe udhëheqës pro BE në fuqi.

Por që nga vështirësitë e Gjermanisë për të krijuar një qeveri të re, tek rreziku për një të ashtuquajtur Brexit të fortë, dhe kërkesa e Katalonjës për pavarësi nga Spanja, sfidat me të cilat do të përballet BE nuk duket se do të jenë të pakta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.