Ballina / TEKNOLOGJI / Videot e rreme pjesë e “deep fake”
deep fake

Videot e rreme pjesë e “deep fake”

Përmes teknologjisë, tash mund të montohet pothuajse gjithçka. Mund të prodhohet një video ku dikush thotë diçka që nuk e ka thënë kurrë në jetën e vet.

A është kjo vala e radhës e luftës me informata? Në maj të këtij viti, në internet u shfaq një video ku Donald Trumpi dëgjohet duke e këshilluar popullin belg se si të përballet me ndryshimet klimatike. “Siç e dini, unë pata topa që të tërhiqem nga Marrëveshja e Parisit për klimën. Njësoj duhet të veproni edhe ju”, thotë Trumpi në video, duke e shikuar drejt kamerën.
Kjo video ishte krijuar nga një parti politike belge, e cila e kishte publikuar videon në Facebook dhe Twitter. Videoja kishte nxitur shumë komente, shumica duke shprehur habi se si Trumpi kishte guxuar të ndërhynte aq drejtpërdrejt në politikën belge për klimën. Një grua kishte shkruar: “Trumpi i madh duhet ta shikojë vendin e vet me vrasësit e fëmijëve të cilët po hyjnë nëpër shkolla me armët më të rënda”. Një person tjetër kishte shkruar: “Trumpi nuk duhet të bërtasë kaq shumë nga kulla sepse edhe vetë amerikanët janë po aq budallenjë”. Sidoqoftë, tërë ky zemërim ishte i drejtuar në mënyrë të gabuar. Më vonë u zbulua se fjalët e Trumpit ishin thjesht një mashtrim teknologjik.

Partia belge kishte thënë se e kishin angazhuar një studio të produksionit për ta prodhuar një video që njihet si “gënjeshtra e thellë”, e cila realizohet përmes riprodhimit të figurës së një personi përmes kompjuterit. Kjo mënyrë e bën personit të duket sikur po flet fjalë të cilat në të vërtetë asnjëherë nuk i ka thënë. Qëllimi i partisë ishte që përmes kësaj videoje të rreme ta fitojë vëmendjen e publikut e pastaj t’i nxisë ata për ta nënshkruar një peticion në internet që bënte thirrje për qeverinë belge të ndërmarrë masa më urgjente për klimën.

Krijuesit e videos thanë se kanë menduar që cilësia e dobët e videos do të ishte shenjë e mjaftueshme për njerëzit që të mos e besojnë atë si të vërtetë. “Është e qartë nga lëvizja e buzëve se ky nuk është një fjalim i vërtetë”, kishte deklaruar një zëdhënës i partisë. Kjo video ishte një demonstrim i shkallës së vogël për atë se si teknologjia mund të përdoret për ta kërcënuar ekosistemin tonë të informatave.

Videot e rreme tash mund të krijohen përmes një teknike të të mësuarit mekanik, që quhet “rrjeti i kundërt gjenerativ”. Kjo teknikë u zbulua nga Ian Goodfellow në vitin 2014 si mënyrë e gjenerimit të llojeve të reja të të dhënave duke u bazuar në të dhënat aktuale. Për shembull, ky sistem mund t’i analizojë mijëra fotografi të Obamas dhe më pas ta prodhojë një fotografi të re që është shumë e ngjashme me to por pa qenë plotësisht e njëjtë me asnjërën, duke krijuar në këtë mënyrë një pamje e cila nuk ka ekzistuar më parë. Teknika mund të përdoret edhe për prodhim të zërit duke u mbështetur në zërin ekzistues apo prodhimin e tekstit nga teksti ekzistues, shkruan “The Guardian”./Përktheu: Nasuf Abdyli/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.