vetevendosje

Vetëvendosje inicion mocion mosbesimi ndaj Qeverisë “Hoti”

Vetëvendosje, sot përmes një konferencë për media ka njoftuar se ka nisur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë “Hoti”, raporton Infoglobi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se kjo “Qeveri ilegale e cila që nga fillimi ka pasur dështime duhet të shkojë”.

“Qeverisja ilegale dhe jolegjitime, katastrofa humanitare, rikapja e shtetit, nënshtrimi ndaj Serbisë dhe shumë të tjera janë arsye të mjaftueshme që secili deputet do të duhej ta kërkonte një qeveri tjetër. Mocioni si draft mund të ketë ndryshime dhe avancime në varësi të bashkëpunimit me ata që e mbështesin këtë mocion, pra nga ky moment nisim mocionin e rrëzimit të qeverisë aktuale në Kosovë”, tha Selimi.

Ai tha se situata aktuale me COVID-19 është një nga arsyet për rrëzimin e qeverisë.

“Situata është shumë e rëndë dhe neve nuk na lenë komoditet për gjëra tjera përveç se ta ndalim këtë katastrofë humanitare që po vazhdon me shifra dhe statistika lufte sa i përket të vdekurve nga COVID-19, kjo nuk është arsyeja kryesore por gjithsesi nga më kryesorët e kërkimit të rrëzimit të qeverisë aktuale”, tha ai.

Ai tha se mocionin e kanë dërguar edhe të subjekte tjera opozitare.

Kurse Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci deklaroi se VV ka 31 vota dhe shtoi se për mocionin nevojiten 40 vota.

“Ne kemi parë deklaratat e individëve e deputetëve, si atyre të PDK-së, ku ditëve të fundit e kanë kritikuar qeverinë dhe janë deklaruar se po të ketë mocion do t’a përkrahin”, deklaroi Nagavci, e cila shtoi se nëse të tillët janë të sinqertë atëherë e kanë rastin t’a mbështesin këtë mocion.

“Pra të urdhërojnë e të kalojnë nga fjalët në vepra”, ka deklaruar ajo.

Nagavci poashtu ka ripërsëritur qëndrimin tashmë të njohur të Vetëvendosjes , ate se ky subjekt politik është për zgjedhje.

AAK, PDK e NISMA janë deklaruar kundër mocionit.

Muajt e fundit, Kosova po përballet me krizë të rëndë shëndetësore me COVID ndërsa partnerët e koalicionit qeverisës po përballen edhe me mospajtime për shkak të mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve me Serbinë.

Kryeministri Avdullah Hoti mori detyrën më 3 qershor duke pasuar në këtë post ish kryeministri Albin Kurti i cili u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars që ishte ngritur nga Lidhja Demokratike. Koalicioni i ri qeverisës i kësaj partie me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave, që nga krijimi është përballur edhe me mungesë të votave të mjaftueshme në parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.