Vetëvendoje paralajmëron protestë para Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar të enjten protestë para Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes.

Të enjten kur Kuvendi i Kosovës pritet të Shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë në orën 09:00 para Kuvendit.

Kreu i kësaj lëvizje,  Albin Kurti konsideron se kjo marrëveshje ka bërë shumë dëme.
Ai është shprehur se “Marrëveshja, Serbisë ia garanton kontrollin mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, legalizimin e strukturave të paligjshme e armiqësore si dhe ndarjen e një pjesë të gjyqësorit enkas për veriun. Asociacioni i komunave me shumicë serbe kombinuar me Fondin për zhvillimin e veriut dhe me premtimin se financimi i Beogradit nuk do të ndërpritet por të bëhet transparentë është autonomi edhe territoriale (për komunat me shumicë serbe në veri), edhe politike (për të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë)”.

Albin Kurti shprehet se është shumë kundër ratifikimit të marrëvshjes pasi që përkundër këtyre, ‘Plani i Zbatimit kërkon që të gjithë punonjësve të strukturave kriminale të Beogradit t’iu ofrohet amnisti, pavarësisht veprimeve të tyre të deritashme’. Kjo sipas Albin Kurtit do të thotë se ‘organizatorëve të spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës, në shkurt të vitit 2000, po iu ofrohet amnisti nga drejtësia, e, po ashtu, se ata që e vranë policin Enver Zymberi, i cili ra në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, kështu kanë marrë garanci se nuk do të kapen dhe se do të jetojnë të lirë në Asociacionin e Komunave Serbe, ku do të qeverisin vetë’./infoGLOBI/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!