Ballina / KOSOVA / Veseli: Unë e lë në lloç çdokënd, kur e dëmton vendin
kadri veseli, kryeparlamentari, taksa

Veseli: Unë e lë në lloç çdokënd, kur e dëmton vendin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur rreth mundësisë së rrëzimit të qeverisë aktuale të vendit, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Ai ka deklaruar se qeveria do të bjerë vetëm nëse Haradinaj rrëzon veten, sepse, siç ka thënë ai, PDK’ja nuk do ta rrëzojë atë.

Por, ai ka thënë në RTV Dukagjini se ai e partia e tij do ta dorëzonin mandatin nëse do të dëmtoheshin interesat strategjike të vendit.

“Unë e lë në lloç çdokënd, kur e dëmton vendin. Nuk ecën vendi përpara. Dëmtohen interesat strategjike të vendit. Dëmtohet partneriteti me SHBA-në. Unë mandatin ia jap vetëm popullit, nuk e fus në xhep”, ka deklaruar ai.

Veseli ka thënë se mandatin qytetar për kryeministër e ka fituar Ramush Haradinaj, por thotë se ka disa sugjerime për të.

“Ajo që unë kisha kërkuar më shumë nga Haradinaj, janë: të fokusohet më shumë në reformat ekonomike dhe të ketë më shumë kujdes raportet me SHBA-në dhe partnerët tjerë. Nuk është çështje shakaje partneriteti me SHBA-në”, ka deklaruar Veseli.

Pardje ndërkaq Veseli për herë të parë kishte një deklarim me konotacione të zbrapsjes nga taksa.

“Propozimi i aleatit tonë strategjik, SHBA-së nuk është heqja e taksës por pezullimi i përkohshëm për ti hapur rrugë dialogut. Prandaj unë kam propozuar pezullim 120 ditor por me kushte të qarta që Serbia gjatë kësaj kohe të respektojë në tërësi mallrat e Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë të qytetarëve”, kishte deklaruar Veseli pas takimit me ambasadorin amerikan Phillip Kosnett.

Siç dihet Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër vendosjes së taksës, përkatësisht të tarifës doganore prej 100 për qind për ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës nga qeveria Haradinaj, vendim ky që u bë si kundërpërgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të CEFTA-së nga Serbia dhe lobimi i saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizma ndërkmbëtarë.

Heqja e taksës nga Haradinaj u kushtëzua me njohjen e Kosovës shtet i pavarur nga dy shtetet fqinje, të cilat janë të vetmet republika të ish Jugosllavisë që nuk e kanë njohur ende Kosovën shtet./infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.