Veseli: Shqetësuese që Kurti cilëson MV me NATO në kundërshtim me interesat e Kosovës

Lidhur me marrëveshjen e publikuar sot nga zyra ligjore e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen të cilësuar sekrete mes presidentit Hashim Thaçi e NATO-s për FSK-në, ka reaguar edhe kreu opozitar Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në faqen e tij në Facebook thotë se është shumë shqetësuese që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës.

“Është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës. Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës. Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, përfundon Veseli.

Reagimi i liderit të partisë më të madhe opozitare në vend erdhi pas publikimit të letërshkëmbimeve mes Hashim Thaçit, aktualisht President i Kosovës dhe Sekretarit të përgjithshëm të NMATO-së Anders Fogh Rasmussen, letërshkëmbim i realizuar gjatë vitit 2013.

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar kryetares Osmani, ka potencuar faktin se pas pranimit zyrtar të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e Sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i Presidentit].

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit.

Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë:

Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht  rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.

Këtu mund të gjeni letëshkëmbimin Thaçi – Rasmussen

Zyrtare: Çdo lëvizje e FSK-së në veri kërkon njoftim paraprak /pajtueshmëri nga KFOR-i

Kurse këtu keni reagimin e Kurtit në raport me këte letërshkëmbim

Do theksuar se përmbajtjes së këtij letërshkëmbimi, zyrtarët e NATO-së por edhe portali ynë i është referuar shumë herë, sado që përmbajtja e dokumentit për kufizimin e lëvizjes së FSK-së në veri u publikua për herë të parë.

Një shembull ku është cituar Letra është edhe shkrimi i para një viti, ku për kufizimin flet Admirali Foggo.

Stoltenberg: FSK-ja nuk mund të hyjë në Veri, NATO-ja e zhgënjyer me taksën

Kurti sa u pa nga paraqitja e tij, konteston procedurën e ligjshmërisë së saj përkitazi me letrën. Vërejtjet e tij kanë të bëjnë para së gjithash me faktin se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë diskutuar Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Bruksel me 19 Prill të vitit 2013 , por ata nuk kanë qenë të njohtuar se po atë ditë paska pasur edhe Marrëveshje tjera, si letra e Thaçit drejtuar Rasmussenit me po këtë datë.

Sipas Kurtit kjo mund të jetë shkelje kushtetuese dhe për këtë mos njohtim nga presidenti aktual, fjalën duhet ta thonë deputetët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.