fbpx

Veseli përçon edhe një mesazh të sigurisë për gratë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar edhe një herë ashpër dhunën ndaj anëtares më të re të PDK-së, Arbana Xharra. Këtë deklaratë lideri i PDK-së Kadri Veseli e ka bërë në Samitin e Gruas Demokratike të Kosovës.

“Ajo që i ka ndodhur njërës prej kolegeve tona, njërës prej grave më të guximshme në Republikën e Kosovës, e cila së fundi i është bashkuar PDK-së, zonjës Arbana Xharra, vërtet na ka prekur të gjithëve. Na ka prekur për vetë faktin se do të kisha arritur të besoja gjithçka, edhe një herë e përsëris, do të kisha arritur të besoja gjithçka, por pse në traditën tonë do të ndodhte që dikush të ngrejë dorë mbi gruan, nëpër prita, nuk do ta kisha besuar kurrë”, ka thënë Veseli.

Kjo, në fakt, është shqetësuese për të gjithë ne, ka shtuar Veseli, duke thënë se është atak i drejtpërdrejtë.

“Nuk do të lejoj dhe as nuk do të pranoj në asnjë moment as politizim, as rëndim të situatës. Kërkoj qetësi. Por, në të njëjtën kohë do të dërgoj një mesazh, i cili është shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë: atyre që gëzohen, mendoni, mendoni njerëz të dashur që keni gra, motra, nëna, nuk duhet të ndodhë kurrë diçka e tillë në Kosovë. Është edhe një mesazh i qartë: nuk do të lejojmë gjëra të tilla dhe do t’i ndëshkojmë me forcën e ligjit”, ka thënë Veseli.

Kryetari i PDK-së ka thënë se dëshiron të përçojë edhe një mesazh të sigurisë për gratë, motrat, nënat tona.

“Nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet nderi i gruas sonë, nuk do të lejojmë që të cenohet nga burrat e ligë, kushdoqofshin ata, çfarëdo motivi qoftë, në Republikën e Kosovës. Kjo është politika e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veseli.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.