Ballina / KOSOVA / Veseli ftohet nga Specialja, reagojnë liderë, politikanë e bashkëluftëtarë

Veseli ftohet nga Specialja, reagojnë liderë, politikanë e bashkëluftëtarë

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli është ftuar dje nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim. Këtë të ditur e ka bërë vet Veseli nëpërmjet një konference për media ku është shprehur se do të shkojë në Hagë për intervistim më 4 dhjetor ku do të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Shumica e krerëve politikë në Kosovë e Shqipëri dhe bashkëluftëtarë të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur përkrahje për Veselin.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se nuk ka ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim.

“Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak. Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.

Në mbështetje të Kadri Veselit kanë dalë edhe krerët politikë në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministri i Jashtëm Gent Caka e kryetari i PD-së, Lulzim Basha kanë përkrahur Veselin në sfidën e tij përballë Gjykatës Speciale.

Rama e ka cilësuar të padrejtë ftesën nga Gjykata Speciale ndaj secilit luftëtar të UÇK-së, por ka theksuar se është mënyra më e drejtë për të dëshmuar të vërtetën që u fitua me luftë.

“Sado e padrejtë ftesa për në Gjykatën Speciale për luftëtarët e UÇK, nuk mbetet tjetër veçse e drejta për të treguar të vërtetën për të drejtën e fituar me luftë nga një popull, që pa Ushtrinë Çlirimtare do të ishte ende i mohuar në të drejtën e tij! Solidarë me Kadri Veselin”, ka shkruar Rama në Twitter.

Rama në mbështetje të Veselit dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së pas ftesave nga Gjykata Speciale

Edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj është shprehur se Kadri Veseli me shokë janë dëshmitarë të pastërtisë së kauzës për çlirimin e Kosovës.

“Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë. Serbia ka dështuar tërësisht në adresimin e të kaluarës së saj kriminale dhe politikanët e paramilitarët e asaj kohe janë sot në krye të shtetit të Serbisë. Adresimi i krimeve të Serbisë është një prej faktorëve thelbësorë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bota, ndërkaq, duhet të jetë shumë më e zëshme dhe më e qartë në kërkesën për llogaridhënie historike e vendosje të drejtësisë për bëmat monstruoze të Serbisë në Kosovë!”, ka thënë ndër të tjera Cakaj.

​Cakaj: Thirrja për intervistim e Veselit nga Specialja, vazhdim i padrejtësive sistematike ndaj UÇK-së

Në mbështetje të Veselit ka dalë edhe kreu i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha,duke thënë se askush nuk e përdhos dot luftën e UÇK-së dhe sakrificën për liri të popullit të Kosovës.

“Askush nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij të thirrur në Hagë do ti dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë nga pushtimi dhe shtypja çnjerëzore”, shprehet Basha.

Basha reagon pas ftesës për Veselin: Askush s’e përdhos dot luftën dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës

Përkrahje për Veselin dhe të bindur në pastërinë e luftës së UÇK-së janë shprehur edhe vëllezërit, Ramush e Daut Haradinaj.

Kryeministri në dorëheqje, Haradinaj është shprehur se Veseli si një nga udhëheqësit e UÇK-së ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë duke u shprehur se ai do ta mbrojë pastërtinë e luftës së UÇK-së me dinjitet.

“Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet. I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë.”, tha Haradinaj.

Ndërsa Daut Haradinaj është shprehur se ka qenë dhe do të jetë në përkrahje të Veselit.

“Si për çdo luftëtarë, ashtu edhe për Kadri Veselin kam qenë dhe do jem në përkrahje. Të priftë e mbara i nderuar, dalsh faqebardhë”, ka shkruar ai.

Ramush e Daut Haradinaj i dalin në përkrahje Veselit: Do ta mbrojë pastërinë e UÇK-së me dinjitet

Në mbrojtje Veselit i ka dalë edhe bashkëluftëtari dhe bashkëpartiaku i tij, Sami Lushtaku i cili është shprehur se është i bindur se Veseli dhe të gjithë luftëtarët e ftuar do të dalin me dinjitetin më të lartë njerëzor dhe do ta mbrojnë luftën e pastër të UÇK-së.

Ftesa nga Specialja për Veselin, reagon Sami Lushtaku

Po ashtu edhe Rasim Selmanaj i AAK-së është dalë në përkrahje të Veselit duke thënë se të gjithë që po i gëzohen ftesave të Speciales po gabojnë rëndë.

Selmanaj: Po gabojnë ata që po i gëzohen ftesave nga Gjykata Speciale

Ishte edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, ish-bashkëpartiaku dhe bashkëluftëtari i Kadri Veseli, Fatmir Limaj që i dha përkrahje atij pas ftesës nga Specialja.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për bashkëluftëtarin tonë, z. Kadri Veseli, është e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së. Drejtuesit e UÇK -së, ashtu siç kanë ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Kadri Veseli do dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës. Jam i bindur se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka shkruar Limaj.

​Fatmir Limaj: Edhe këtë radhë Kadri Veseli do dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së

Në mbështetje të Veselit kanë dalur edhe deputetë e ish-deputetë, anëtarë të partive politike, bashkëpartiakë e bashkëluftëtarë të tjerë të tij.

Kadri Veseli aktualisht ende kryeparlamentar i Kosovës, gjatë luftës ishte caktuar Komandant i Shërbimit të Informacionit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Tani, Veseli është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës që në zgjdhjet e 6 tetorit ka dalur e treta në vend duke pranuar rezultatet dhe konfirmuar qëndrimin në opozitë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.