Ballina / KOSOVA / Vërtetohet dënimi i ish drejtorit të repartit të urologjisë
gjykata e apelit

Vërtetohet dënimi i ish drejtorit të repartit të urologjisë

Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi dënimin e shqiptuar me burg efektiv dhe gjobë, ndaj ish-drejtorit të Repartit të Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Rexhep Kasumaj, që akuzohej për marrje ryshfeti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 shkurt 2019, Kasumajn e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtin e kishte gjykuar me nëntë muaj burgim dhe 2000 euro gjobë.

Paraprakisht, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 4 shkurt 2019, Kasumaj e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.

Përkundër pranimit të fajësisë, mbrojtja kishte mbetur e pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar.

Në ankesën e ushtruar në Apel nga mbrojtësja e Kasumajt, avokatja Merita Stublla, thuhej se dënimi i shqiptuar ndaj të mbrojturit të saj është shumë i ashpër dhe sipas saj, nëse do të merreshin parasysh rrethanat lehtësuese, ndaj Kasumajt do duhej të shqiptohej një dënim më i butë.

Këto rrethana lehtësuese të cilat i kishte cekur në ankesën e saj avokatja ishin, fakti se i mbrojturi i saj kishte pranuar fajësinë, është i moshës së shtyrë se nuk ka qenë më parë i dënuar si dhe të qenit para pensionimit.

Veti i akuzuari në seancën e shqyrtimit të ankesës së tij në Apel më 28 qershor të këtij viti, kishte thënë se vepra që kishte kryer kishte qenë një moment ligësie që mund t’i ndodh çdokujt në jetë.

“Ka qenë një moment ligësie që mund t’i ndodh çdo personi njëherë në jetë. Gjatë periudhës time të gjatë profesionale, asnjëherë nuk kam rënë ndesh me ligjin”, kishte deklaruar Kasumaj.

Mirëpo, këto pretendime të mbrojtjes i ka hudhur poshtë si të pabazuara, kolegji i Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Fillim Skoro, Xhevdet Abazi dhe Tonka Berishaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë, me rastin e shqiptimit të dënimit të akuzuarit, në mënyrë të plotë dhe gjithë përfshirëse ka vlerësuar të gjitha rrethanat, ku si rrethana lehtësuese të akuzuarit i ka marrë se i njëjti nuk ka qenë i dënuar më parë, ndaj tij nuk zhvillohet procedurë tjetër penale, se ka premtuar se në të ardhmen nuk do të kryejë vepër tjetër penale, ka pranuar fajësinë dhe se i akuzuari është i moshës së vjetër .

Këto rrethana që i kishte marr në konsideratë gjykata e shkallës së parë, i ka aprovuar edhe Apeli, duke pasur parasysh, siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, edhe rrethanat që kanë të bëjnë me mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe peshën e rrezikimit të vlerës së mbrojtur, por sidomos edhe shkallën e lartë të dashjes.

“Prandaj, duke pasur parasysh të cekurat si më lartë, pretendimet e theksuara në ankesë nga mbrojtësit e të akuzuarit, nuk janë të asaj natyre që do të ndikonin në zvogëlimin e mëtutjeshëm të dënimit, ngase, disa nga ato janë marrë parasysh edhe nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa, disa nga rrethanat e pretenduara nuk janë të asaj natyre që të ndikonin në zbutjen e mëtutjeshme të dënimit, për çka konsiderojmë se dënimi i shqiptuar të akuzuarit nga gjykata e shkallës së parë dhe atë në minimum ligjor, është i drejtë dhe i ligjshëm.”,  thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në arsyetimin e aktgjykimit të Apelit thuhet po ashtu se të akuzuarit i ishte shqiptuar dënim plotësues, konfiskim i një armë me të cilën është kryer vepra penale, përkundër asaj, se as në aktakuzë e as në aktgjykimin e shkallës së parë, nuk përmendet fare se tani i dënuar ka poseduar ndonjë armë apo është akuzuar për armëmbajtje pa leje.

“Të akuzuarit i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues dhe atë konfiskimin  e armës së zjarritpistoletë të markës “Ekol Firat Compakt” e kalibrit 9 m.m dhe 16 (gjashtëmbëdhjetë) të kalibrittë njëjtë, si mjete me të cilat është kryer vepra penale.”,  thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, Rexhep Kasumaj, akuzohet se më 6 korrik 2018, rreth orës 10:30, si Drejtor i Repartit të Urologjisë në QKUK, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka kërkuar dhe ka pranuar 100 euro ryshfet nga i dëmtuari Bekim Hoti, mënyrë që nipi i tij F. H, të futej në listën e operimit në mënyrë të përshpejtuar.

Në aktakuzë theksohet se nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, i dëmtuari ka hyrë në repartin e Urologjisë dhe në zyrën e tani të pandehurit ia dorëzon paratë e kërkuara, ku më pas të njëjtat gjendën në xhepin e Kasumajt dhe konfiskohen nga hetuesi policor dhe menjëherë arrestohet.

Provo po ashtu

Me transport kufomash mishin e kurbanëve

Prerja dhe shpërndarja e mishit nga BIK për festën e Kurban Bajramit Këshilli i Bashkësisë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.