Ballina / KRYESORE / VOA: Veprimtari e reagime kundër mohimit të krimeve të luftës në Kosovë
beograd kundershtohet mohimi i krimeve te luftes ne kosove

VOA: Veprimtari e reagime kundër mohimit të krimeve të luftës në Kosovë

Në Beograd, organizatat joqeveritare, Nisma e të rinjve për të Drejtat e Njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Gratë në të zeza shënuan të mërkurën 20 vjet nga krimet kundër shqiptarëve të Kosovës me një veprimtari në qendër të qytetit.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave thanë se veprimtaria është “një klithmë kundër harresës dhe heshtjes së krimeve të forcave të armatosura serbe” dhe thirrje qytetarëve që të bashkë ndjejnë dhe të solidarizohen.

Kosova doli nga lufta, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Javën e kaluar, qeveria e Kosovës hodhi nismën për hartimin e një ligji në bazë të të cilit do të dënohen të gjithë ata që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Brenda dy javësh kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviç dhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, pasi që mohuan krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 ndërsa akuzuan shqiptarët si “terroristë” dhe për “shpikje të masakrave”, për të nxitur bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe.

Beogradi i cilësoi shkarkimet si shkelje të lirisë së fjalës dhe trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb dhe ritheksoi mohimin e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Por derisa institucionet e Kosovës e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Kundër mohimit të krimeve janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Ambasada amerikane tha më herët gjatë kësaj jave se “mohimi i mizorive, fyen kujtimin për viktimat, traumatizon familjet dhe dëmton përparimin në ndërtimin e shtetit demokratik dhe shumetnik”. Përkushtimi ndaj të vërtetës për të kaluarën, thuhej në reagim, “është thelbësor për të ardhmen paqësore”.

Të enjten edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Conell reagoi kundër mohimit të krimeve, duke theksuar që “Nëse dëshirojmë të kemi paqe e përparim, duhet të flasim të vërtetën”. /voa

Provo po ashtu

Prishtina zyrtare mirëpret dhe uron kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe

Liderët institucional e kanë mirëpritur dhe uruar kryeministrin e ri britanik, Boris Johnson, i cili …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.