Vdes në aksident ajror ylli i basketbollit Kobe Bryant

Kobe Bryant, një prej lojtarëve më të famshëm të basketbollit amerikan, humbi jetën të djelën paradite së bashku me vajzën e tij Gianna, nga përplasja e helikopterit me të cilin po udhëtonin në Kaliforni.

Sipas autoriteteve në helikopterin privat ndodheshin pesë persona, kur ai u rrëzua në orën 10 të mëngjesit të së djelës, rreth 45 kilometra në veri të Los Anxhelosit.

Zyrtarë të Agjencisë Federale të Aviacionit thanë se helikopteri i rrëzuar ishte një helikopter Sikorsky S-76. Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit.

Legjenda e basketbollit, Kobe Bryant humbi jetën tragjikisht në një aksident ajror ditën e djeshme. Bashkë me 41-vjeçarin vdiq edhe vajza e tij dhe 7 persona të tjerë.

Mediat kanë arritur të zbardhin edhe telefonatën e fundit, mes pilotit të helikopterit dhe kontrollorëve të trafikut ajror, pak para se helikopteri të rrëzohej.

Kobe Bryant jetonte në jug të Los Anxhelosit dhe shpesh përdorte helikopterin për të shmangur trafikun e përhershëm të rrugëve në Kaliforninë Jugore. Edhe si lojtar ai shpesh shkonte në stërvitje dhe ndeshje me helikopter, një praktikë që e vazhdoi edhe pasi la basketbollin.

Helikopteri u rrëzua disa milje larg kompleksit të tij për stërvitje “Mamba Sports Academy”, në zonën “Thousand Oaks” në Kaliforni. Bryant dhe e shoqja e tij, Vanessa, kishin 4 vajza. Pas largimit nga basketbolli ai ia kishte kushtuar përpjekjet nxitjes së sportit mes vajzave.

Kobe Bryant ishte 41 vjeç dhe ka hyrë në histori si një nga lojtarët më të mirë, të gjitha kohërave në basketboll. Pothuajse gjatë gjihtë karrierës ai luajti me ekipin Lakers të Los Anxhelosit, duke fituar 5 herë titullin kampion. Ai mban vendin e 4 mes lojtarëve që kanë shënuar më shumë pikë gjatë karrierës. LeBron James, doli përpara tij në vendin e tretë, vetëm një ditë më parë, të shtunën. Bryant e uroi përmes një postimi në Twitter.

I lindur në Filadelfia, Bryant e kaloi kohën më të madhe të viteve të rinisë së hershme në Itali, ku i jati luante basketboll pas karrierës në NBA (kampionati profesionist amerikan).

Ndryshe nga lojtarët e tjerë të NBA, Bryant nuk vazhdoi kolegjin, por me të mbaruar shkollën e mesme, pas kthimit nga Italia në Amerikë, filloi të luajë me ekipin Hornets të qytetit Charlotte në Karolinën e Veriut. Më pas ai u ble nga ekipi Lakers me të cilin luajti deri në fund.

Gjatë karrierës 20 vjeçare me NBA, ai u bë lojtari më i ri, në moshën 19 vjeçare, që hyri në listën e yjeve të NBA, shënoi 81 pikë në një ndeshje të v etme, në vitin 2006, numri më i lartë në të gjitha kohërat e kampionatit amerikan dhe fitoi dy herë medaljen e artë, në Lojrat Olimpike të vitit 2008 dhe 2012.

Pas njoftimit për lënien e baskebollit, për shkak të dëmtimit, në ndeshjen e fundit të karrierës në vitin 2016, ai shënoi një rekord prej 60 pikësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.