Vdes i mbijetuari i sekretit shqiptar të Luftës II Botërore

Harold Hayes, anëtari i fundit i mbijetuar i një grupi ajror mjekësh dhe infermierësh amerikanë, të cilët u rrëzuan me avionin e tyre në Shqipërinë e vitit 1943 të pushtuar nga nazistët dhe i shpëtoi sulmeve gjermane, stuhive dhe privimeve të tejskajshme gjatë një rruge prej 600 miljesh drejt shpëtimit të tyre në brigjet e Adriatikut, vdiq të dielën në Medford, Ore. Ai ishte 94 vjeç.

Vdekja e tij, në një spital, pasoi një operacion për t’i hequr një mpiksje gjaku nga këmba, u shpreh vajza e tij Margaret Bleakley.

Mbijetesa e 30 anëtarëve joluftarakë ishte një sekret i mbajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore: historia e trembëdhjetë infermierëve, trembëdhjetë mjekëve dhe ekuipazhit prej katër personash të një avioni mjekësor evakuimi të cilët ngelën të bllokuar në zonën e armiqve për nëntë javë, duke u fshehur nëpër fshatra dhe shpellat e maleve gjatë dimrit, të prekur nga morrat dhe dizanteria, shpesh shumë afër vdekjes nga uria dhe të përndjekur nga patrullat gjermane.

Odiseja e tyre u klasifikua si e fshehtë gjatë luftës dhe për vite me radhë më pas për të mbrojtur luftëtarët partizanë, agjentët aleatë dhe fshatarët të cilët u dhanë atyre ushqim, strehim dhe udhëzim. Disa u pushkatuan nga gjermanët për veprimet e tyre në ndihmë të të mbijetuarve, dhe pas luftës, është dëgjuar të thuhet se pati edhe dënime me vdekje, madje edhe të dyshuarit se kishin ndihmuar amerikanët u ekzekutuan nga diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, regjimi i të cilit përfundoi me vdekjen e tij në 1985.

‘”Për shumë vite unë nuk thashë asgjë për atë që ndodhi në Shqipëri,”  tha z. Hayes gjatë një interviste telefonike nga Nju York Times të vitit 2015 nga shtëpia e tij me përkujdesje në Medford. ‘ Pasi lufta kishte përfunduar, Hoxha ishte i pamëshirshëm. Nëse do të zbulonte emrin e ndonjërit prej atyre që na ndihmuan, do t’i ekzekutonte ata bashkë me familjet e tyre.”

z.Hayes nuk ishte i një rëndësie të veçantë lidhur me mbijetesën e grupit, përveç faktit se duke jetuar më gjatë se gjithë shokët e tij të grupit, ai u bë burimi i fundit për historinë e tyre, histori e cila u relatua në vitin 1999 gjatë një rasti përkujtimor nga një prej infermiereve të mbijetuara dhe së fundmi në disa libra ku spikat “ Shpëtimi Sekret” ( 2013), nga Kate Lineberry, të dhënat e së cilës mbështeteshin kryesisht tek kujtimet e z. Hayes.

Aventura e rrezikshme filloi dy muaj pasi kishte rënë Italia dhe fuqitë aleate pushtuan Italinë duke bërë që gjermanët të kaloni më tej nëpër Europë. Në 8 Nëntor, 1943, infermierët, mjekët dhe ekuipazhi drejtues i Forcës Ajrore Ushtarake të Skuadrës së 807-të Transportit të Evakuimit Ajror Mjekësor, u ngrit nga Katania, Siçili, në drejtim të Barit, në bregun lindor të Italisë aty ku me qindra trupa të plagosur prisnin që të evakuoheshin.

Avioni i tyre transportues me dy motorë nuk përmbante armë luftarake, përveçse pilotin, Lejtnant i Shkallës së Parë Charles Thrasher 22 vjeç, dhe si i tillë nuk ishte parashikuar për luftime.  Bashkë me pilotin, ishte një ndihmës pilot, një operator radiomarrës si edhe grupi i ekuipazhit. Infermieret, të gjitha lejtnante të shkallës së dytë, ishin nga 22 deri në 32 vjeçe. Mjekët, përfshirë këtu z. Hayes, 21, nga Indianola, Ioëa, ishin të gjithë në nivel rreshteri dhe varionin nga mosha 21 deri në 36.

Pas një ore fluturimi, avioni humbi në një stuhi të fuqishme mbi Detin Adriatik. Të dhënat e tij ajrore dhe çdo komunikim tjetër u bënë të pamundura. I shtyrë nga era 100 milje larg kursit të fluturimit, avioni kaloi kufirin e Shqipërisë dhe u diktua nga luftarakët gjermanë të cilët e sulmuan me armë luftarake ajrore. Avioni u rrëzua me ulje barkas në një kënetë me thellësi 25 milje nga sipërfaqja e tokës.  Ëillis Shumëay, 23, kryetari i ekuipazhit, ishte viktima e vetme, pasi nuk mundi të ecte nga plagët e marra në gju.

Amerikanët e çorientuar nuk e kishin idenë se ku ndodheshin. Duke iu frikësuar një shpërthimi të mundshëm të karburantit të avionit, ata dolën jashtë tij dhe u përballen me momentin e tyre të parë fatlum. Rrugës përmes një pylli, ndodhej një bandë njerëzish të rreckosur me pushkë e thika. Njëri prej tyre fliste pak anglisht. Ai ishte Hasan Gina, udhëheqës partizan kundër gjermanëve. Ai u tregoi amerikanëve se ata ndodheshin në Shqipëri.

Më vonë ata do të mësonin se ata ishin 150 milje në lindje të Barit, në anën e kundërt të Adriatikut, të rrethuar nga forcat gjermane të cilat kishin muaj që kishin pushtuar Shqipërinë, si edhe në mes të një lufte civile midis grupeve rivale partizane.

Amerikanët pothuajse nuk e njihnin fare Shqipërinë, këtë vend të vogël kryesisht mysliman që kishte ndryshuar shumë pak ndër shekuj. Terreni malor ishte populluar tek-tuk nga fshatra të varfër. Kishte shumë pak rrugë makinash dhe asnjë hekurudhë. Mushkat dhe kuajt ishin mjeti kryesor i transportit. Kishte shumë pak ujë të pijshëm apo energji elektrike. Dimrat ishin të ashpër, ushqimi me pakicë, dhe gjakmarrja ishte shumë e zakonshme mes njerëzve të egër kryeneçë.

Vetëm me një plan të përgjithshëm për të arritur bregun perëndimor dhe për të gjetur disi një mënyrë për të kaluar Adriatikun për në Itali, amerikanët filluan të ecnin në drejtimin e gabuar.

Gjatë javëve në vazhdim, të udhëhequr nga partizanët, ata marshuan përmes maleve e luginave, ndonjëherë duke u kthyer pas ose duke ecur anash e përreth për të evituar patrullat gjermane, duke u gdhirë e duke u ngrysur jashtë, duke gjetur strehë nëpër fshatra dhe duke ndarë bashkë bukën e misrit me fshatarët.

Shumë shpejt amerikanët u listuan si të humbur gjatë aksionit luftarak dhe telegramet e tipit “Me keqardhje ju njoftojmë se”, filluan t’u dërgoheshin familjarëve të tyre nga Departamenti i Luftës.

Ndërkohë, të mbijetuarit e mbanin rreshterin Shumëay në një barelë të improvizuar nga sediljet e avionit, më pas ata gjetën edhe kafshë për t’a transportuar. Pas pesë ditësh, ata gjetën strehë në një qytet të kontrolluar nga partizanët që quhej Berat, ku u pritën me gëzim e brohoritje, pasi gabimisht u mendua sikur ishin një trupë pararendëse e një grupimi aleat i cili do të çlironte Shqipërinë. Ata takuan edhe udhëheqës partizanë të cilët ju treguan për një agjent anglez i cili nuk kishte shumë që kishte zbritur me parashutë në tokën shqiptare.

Qetësia e tyre do të zgjaste vetëm pak ditë. Më pas, një ditë ata u zgjuan nga shkëmbimet e zjarrit dhe shpërthimi i granatave dhe artilerisë teksa forcat gjermane po zbarkonin në qytet. Gjatë gjullurdisë që pasoi, avionët gjermanë gjuajtën me artileri ajrore një kamion të vogël ku ishin futur disa prej amerikanëve në përpjekje për të shpëtuar.  Tre infermiere u ndanë nga grupi kryesor dhe mbetën pas në Berat:  ato u strehuan në një shtëpi fshati dhe mbetën të fshehura në atë zonë për katër muaj.

Pjesa tjetër e grupit të amerikanëve u ngjitën me këmbë në një fshat malor dhe aty u përfshinë në një shkëmbim zjarri midis grupeve. “Ishte hera e parë që amerikanët po përballeshin me këto grupe rivale dhe ata filluan të kuptonin se ishin po aq të rrezikuar nga lufta e brendshme e vendit , sa edhe nga gjermanët”, shkruan znj. Lineberry në “ Shpëtimi Sekret”.

Ata u përballën me peripeci të tjera. “Disa prej batanijeve që ju ishin ofruar për t’u mbrojtur nga i ftohti i natës, ishin të infektuara me pleshta dhe morra”, shkruan autorja.  “Që prej momentit të rrëzimit të avionit shumica prej tyre nuk kishin mundur të laheshin, përveç shpëlarjes së fytyrës dhe krahëve me ujin që gjenin nga rrjedhat e maleve apo kur rastiste ndonjë  legen me ujë. Ata ishin të gjithë të palarë duke luftuar pleshtat, morrat  si edhe GI’s,” shkurtim i përdorur nga ushtria për fjalën diarre.

Amerikanët shpesh e kishin të pamundur që të gjenin ushqim, duke u përballur me mungesën e ushqimit dhe urinë, ata bënin çaj duke zierë barishte dhe hanin manaferra të cilat e përkeqësonin diarrenë. Ngrënia e ushqimit së bashku me fshatarët ishte shpesh një tronditje mentaliteti për amerikanët. Z. Hayes dhe një mjek tjetër, panë sesi koka e një deleje po piqej mbi një zjarr me qymyr dhe më pas u nda përgjysmë me sëpatë.

“Amerikanët panë me sy të hakërryer sesi dy gra hëngrën gjithçka duke përfshirë edhe kokërrdhokët e syve,  pasi secila prej tyre kishte marrë njërën pjesë të kokës,”, shkruante znj. Lineberry. “ Asgjë nuk hidhej”.

Me ardhjen e vjeshtës, amerikanët u përballën me erërat e forta të stinës. Veshjet e tyre ishin shumë të holla. Këpucët e tyre ishin grisur plotësisht. “Megjithëse të gjithë i ndienin këmbët si blloqe akulli dhe trupat e tyre dridheshin nga acari, ata e dinin se duhet të vazhdonin,” shkruante znj. Lineberry “. Bora binte me aq shpejtësi saqë ata zor se mund të shikonin se kë kishin para vetes, por duhet të qëndronin së bashku më qëllim që të mos humbisnin njëri-tjetrin nëpër borën e bardhë verbuese.”

Në 27 nëntor, Shërbimet Sekrete angleze në Shqipëri, morën vesh nga partizanët që avioni amerikan ishte rrëzuar dhe se infermieret, mjekët dhe ekuipazhi ishin ende gjallë, në përpjekje për të arritur bregun e detit. Kjo gjë iu bë me dije, Gjen. Dëight D. Eisenhoëer, komandantit të aleatëve në Europë, Presidentit Franklin D. Roosevelt si edhe familjarëve të të humburve.

Në dhjetor u përpilua një plan shpëtimi, i udhëhequr nga një kapiten ushtrie, Lloyd G. Smith, 24, i cili ishte emëruar në Zyrën e Shërbimeve Strategjike si pararendës i Agjencisë Qendrore të Shërbimeve Sekrete ( Inteligjencës). Me avantazhin e mbulimit nga errësira e natës, ai u fut me varkë në bregun shqiptar të blinduar nga rojet dhe ndërtoi një bazë kampi në një shpellë në shkëmbinjtë me pamje nga Adriatiku. Të tjerë iu bashkuan atij dhe ata hynë me tej në tokën shqiptare për të gjetur amerikanët.

Ndërkohë, anglezët organizuan një përpjekje të dytë për shpëtimin në udhëheqjen e Leitnantit Gavan Duffy, një agjent sekret i cili bashkë me një grup të vogël kishin arritur në Shqipëri me parashutë dhe me këmbë. Me anë të kontakteve me partizanët, ai i gjeti amerikanët në Shqipërinë Lindore dhe nisi t’i udhëhiqte ata drejt perëndimit, me synimin për të arritur kufirin.

Por, gati në gjysmën e rrugës, në Gjirokastër, trupat gjermanë bllokuan rrugën dhe amerikanët ishin tejet të rraskapitur për të vazhduar më tej.  Ai bëri thirrje me radiomarrëse për ndihmën e një force ajrore amerikane. Dy avionë transportues të llojit C-47 fluturuan në atë zonë të shoqëruar me avionë luftarakë. Por, gjermanët nuk lejuan uljen e tyre ndaj Lejtnant Duffy duhet t’u bënte thirrje për t’u kthyer mbrapsht.

Pas euforisë se gati sa nuk shpëtuan, amerikanët u dekurajuan plotësisht. Por ata rinisën udhëtimin e tyre dhe me ndihmën amerikane dhe atë angleze, arritën kufirin. Në 9 Janar, pas një përvoje të hidhur prej 63 ditësh, 27 amerikanë, 10 infermiere dhe 17 mjekë dhe anëtarë të ekuipazhit, hipën në bordin e një avioni anglez dhe kaluan për në Itali.

Tre infermiere mbetën pas në Beratin e pushtuar nga gjermanët. Kapiteni Lloyd Smith i shpëtoi edhe ato në Mars të vitit 1944. Ato shkuan me mushka përgjatë pjesës më të madhe të rrugës ku më pas u pritën nga një anije silur e cila i mori përmes Adriatikut.

Pas luftës, z. Hayes iu kthye jetës së përditshme, ndoqi kolegjin shtetëror të Iowa dhe u bë inxhinier aeronautike në Aviacionin e Amerikës së Veriut, duke projektuar avionë ushtarakë dhe duke udhëhequr punë studimore për Forcën Ajrore dhe  Aeronautikën Kombëtare  dhe Administrimin Hapësinor derisa doli në pension në 1984.

Ai u martua me Betty Ellen ( të parën) në 1944. Ajo dhe vajza e tyre jetojnë akoma, ashtu si edhe një vajzë tjetër, Victoria Sprott: dy vëllezër, Karl dhe James; një motër, Virginia McCall; dy nipër; dhe një stërmbesë.

Harold Lyle Hayes ka lindur në Pekin, Iwoa, në 11 prill të vitin 1922, nga Ralph dhe Jenella Van Gorp Hayes. Ai mbaroi shkollën e mesme në Indianola në 1940. Pasi Japonia sulmoi Pearl Harbour në 7 dhjetor 1941, ai u përgatit dhe u trajnua, shkoi mjek vullnetar dhe në vitin1943 ishte në Siçili, duke fluturuar nëpër misione evakuimi.

‘’Kur shkoi për herë të parë në qendrën e trajtimit, ai shikonte ëndrra të tmerrshme sikur e ndiqnin nga pas.” Shkruan znj. Lineberry për z. Hayes. “ Këto makthe u shuan me kalimin e kohës , por ashtu sikurse ishte e vërtetë, edhe për shumë të tjerë nga grupi, ai zor se foli për vite të tëra për përvojën e tij të hidhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.