mark zuckerberg

Vazhdon skandali me Facebook dhe Cambridge Analytica

Facebook është përfshirë në skandalin më të madh në historinë e tij. Facebook ka pranuar se ka lejuar një kompani të jashtme të lidhur me fushatën zgjedhore të Donald Trump-it të përdorë të dhënat e Facebook-ut.

Skandali është publikuar nga media të ndryshme britanike dhe The New York Times, të cilët kanë raportuar se kompania Cambridge Analytica ka tentuar të influencojë votën e Amerikanëve për president në 2016-n.

Mësohet se Facebook i ka dhënë lejë një profesori të psikologjisë në Universitetin e Kembrixhit Aleksandr Kogan, i cili ka mundur të marrë informacione nga një aplikacion i quajtur “Thisisyourdigitallife”.

Aplikacioni në fjalë është një aplikacion që lejonte njerëzit të “testonin personalitetin” e tyre.

Por përdoruesit e Facebook-ut që shkarkuan atë aplikacion i jepnin të drejtë aplikacionit të mblidhte të dhëna mbi vendndodhjen e tyre, shokët e tyre, dhe pëlqimet e tyre në Facebook.

Por The New York Times raporton se profesori Kogan ia kaloi këto të dhëna kompanisë Cambridge Analytica, gjë që ishte e paligjshme sipas rregullave të Facebook. Këto të dhëna përfshinin mbi 50 miliona profile të përdoruesve të Facebook, shkruan TechSoft.

Më interesantja është se Cambridge Analytica përdorte këto të dhëna për të krijuar teknika që mund të përdoreshin për të influencuar votuesit.

Në 2015-n Facebook “detyroi” kompaninë në fjalë, Cambridge Analytica, të fshinte informacionet që kishte, por para disa ditësh, rreth tre vjet më vonë, u mësua se jo të gjitha të dhënat ishin fshirë.

Cambridge Analytica më pas njoftoi se të dhënat që nuk ishin fshirë, nuk kishin asnjë ndikim në zgjedhjet presidenciale Amerikane për president.

Por shefi egzekutiv i Cambridge Analytica, Alexandr Nix, doli në një emision televiziv ku në një farë mënyre pranoi dhe foli për skema të jashtëligjshme, si ryshfete dhe korrupsion të politikanëve.

Më vonë Nix doli dhe tha që emisioni televiziv ishte ndryshuar për të bërë kompaninë e tij të shfaqeshe si në faj, por në fakt Cambridge Analytica nuk kishte bërë asgjë të jashtëligjshme.

Që prej vitit 2016, Facebook ka qenë në qendër të vëmendjes për rolin që rrjeti social ka pasur në zgjedhjen e Donald Trump president të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vetë shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg ka dalë disa herë në publik për të përgënjeshtruar këto zëra, por përfshirja e kompanisë Cambridge Analytica ka nxehur edhe njëherë tensionin midis Facebook-ut dhe opinionit publik, kryesisht atij Amerikan.

Në vitin 2017 dhe deri më sot Facebook ka implementuar shumë taktika për të ndaluar lajmet e rrema, ose ‘fake news’, që shpërndahen në rrjetin më të përdorur social.

Kjo temë hap tani një seri tjetër pyetjesh dhe përgjegjësish për Facebook, për transparencën që rrjeti social ka pasur me përdoruesit e tij, si përdoreshin dhe përdoren të dhënat e përdoruesve, dhe lejimin e kompanive të jashtme të përdornin të dhënat e përdoruesve.

Kjo situatë e komplikon shumë modelin e biznesit që Facebook ndjek; Facebook u shet të dhënat e përdoruesve kompanive të tjera, që ato mund t’i përdorin vetëm për reklamim. Por siç duket këto të dhëna janë përdorur për më shumë se reklama.

Ligj-vënësit Amerikanë kanë filluar menjëherë punën për të investiguar lidhjen e Facebook me Cambridge Analytica, dhe ndikimin e kësaj të fundit në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Një investigim më vete ka filluar edhe Bashkimi Evropian.

“Kjo është diçka shumë e rëndë dhe serioze… shkelja e privatësisë në këtë rast ka qënë shumë e madhe,” ka thënë senatori republikan Jeff Flake. “Lind pyetja, kush ishte i përfshirë? Kush kishte informacion për këto gjëra? Sa zgjati kjo veprimtari?”

Për të parë ndikimin negativ që kjo ka pasur mbi Facebook-un, duhet theksuar se aksionet e Facebook në tregun Amerikan kanë pësuar 7% rënie, ose 37 miliarda $.

Ndërkohë që shumë senatorë dhe kongresistë kanë shprehur qartë se Mark Zuckerberg duhet të dëshmojë dhe të hetohet në gjyq.

Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar leje kërkimi për zyrat e Cambridge Analytica.

Ja si e komenton situatën e krijuar themeluesi i Facebook -uk, Mark Zuckerberg

Kreu i “Facebook”, Mark Zuckerberg njohu të mërkurën gabime dhe premtoi se do të bëjë më mirë pas zbulimit të përdorimit të padrejtë të të dhënave personale të miliona përdoruesve nga kompania britanike “Cambridge Analytica”.

“Facebook ka bërë gabime dhe ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar shërbimin e tij”, shkruan ai në faqen e tij, në një prej komenteve të tij të parë në lidhje me këtë çështje, ku shprehet se ndihet përgjegjës për atë që po ndodh në “Facebook” dhe duke premtuar se do t’i mundësojë përdoruesve të kontrollojnë më mirë përdorimin e të dhënave të tyre personale.

“Facebook” është nën shënjestër që kur “Cambridge Analytica” (CA) akuzohet se ka marrë pa miratim të dhënat e 50 milionë përdoruesve për të përpunuar një program që mund të parashikojë dhe influencojë votën e zgjedhësve, duke peshuar në fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.