Shqiperi, Policia, Njësia e Krimeve te Rënda

Vazhdojnë skandalet në Shqipëri, ikën policët e hashashit

Pak orë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhër-arrestet për tre ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit për Cështjet e Brendshme dhe Ankesat, Eduart Merkaj është thirrur nga grupi i hetimit për të dhënë shpjegime se çfarë po ndodh me aksionin për kapjen e tyre, për të cilin ka dyshime se u dekonspirua.

Përveçse e deklaruar si një analizë pune nga zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme, thirrja e zyrtarit të SHÇBA në Prokurori mesa duket është bërë për shkak se nuk janë ekzekutuar ende urdhër-ndalimet për ish-drejtorinë e Vlorës Jaeld Çela, ish-shefin Kundër Krimit të Organizuar në të njëjtën polici lokale, Gjergj Kohila dhe ish-shefin e Kufirit Sokol Bode.

Por, sipas Ministrisë së Brendshme, megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë i mundur ndalimi i tyre.
Nga kontrolli në banesat e tre ish-zyrtarëve të policisë janë sekuestruar prova materiale të konstatuara me vlerë për hetimet e mëtejshme.

Mbi ish-zyrtarin e Policisë se Vlorës, Jaeld Çela përveçse dyshohet se ka favorizuar grupe kriminale për të kultivuar kanabis në disa fshatra të zonës, përfshi edhe grupin e Habilajve, bien dyshimet për veprat e shpërdorimit të detyrës, kultivim të bimëve narkotike dhe trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të struktutuar kriminal.

Pas një karriere 20-vjeçare në polici, Çela rezulton të jetë liruar nga detyra dhe të jetë lënë në dispozicion në daten 28 prill.

Ish-shefi Kundër Krimit të Organizuar, Gjergj Kohila, i afërm i një efektivi të shpallur më herët në kërkim në dosjen “Treblova” është liruar nga detyra në 8 maj 2017 dhe dyshohet të ketë favorizuar kultivimin e kanabisit dhe të ketë marrë pjesë në grupin e strukturuar kriminal.

Për ish-shefin e Kufirit në Dhërmi, Sokol Bode, i cili deri më 25 tetor ishte shef i Sektorit Kundër Vrasjeve në Shkodër ka të njëjtat vepra dhe dyshohet se bën pjesë tek i njëjti grup kriminal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.