fbpx

Reagimet për emërimin skandaloz të konzullit në Pragë

Pas U.D. Presidentes Vjosa Osmani kundër emërimit të Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, konsull në Pragë, për këte emërim që u mbajt i fshehur reagoi sot edhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një reagim në Facebook, Hoti ka thënë se për emërimin e Shalës konsull në Pragë është njoftuar nga mediat.

“Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua. Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike. Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin” ka shkruar Hoti.

Dje kundër emërimit kishte reaguar edhe Vjosa Osmani.

“Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë”.

Sipas Osmanit “Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike dhe konsullore të vendeve demokratike”.

“Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen” kishte paralajmëruar Osmani.

Reagimi i Hotit erdhi pas takimit online me Osmanin. Para kësaj të fundit përmes Arberie Nagavcit kishte reaguar edhe Vetvendosje.

“Shërbimi i jashtëm diplomatik është pasqyrim i shtetit dhe interesave shtetërore. Degradimi politik e partiak i shërbimit të jashtëm, deformon dhe dëmton rëndë interesat shtetërore në sferën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për ambasadorë/e dhe konsuj profesional, më integritet dhe që përzgjidhen e emërohen në rrugë ligjore dhe në interes të shtetit, e jo emërime mbi baza të interesave partiake, familjare e si shpërblim për shërbime të brendshme private të tyre. Rruga ligjore se si mund të bëhet dikush diplomat është e qartë. Ky nuk është rasti me vendimin e ish Presidentit Thaçi për emërimin e konsullit në Pragë. Emërim i Flakron Shalës konsull i Republikës së Kosovës pa kandiduar asnjëherë dhe pa asnjë ditë pune në MPJD, ka shpërfillur tërësisht kërkesat dhe kriteret ligjore”, ka shkruar Nagavci në Facebook duke shtuar se pret që Osmani të shfuqizojë vendimin “duke mbrojtur kështu integritetin e shërbimit diplomatik të Kosovës nga ndërhyrje të tilla me pasoja të mëdha”, ka deklaruar Nagavci.

Ndërkaq kritik ndaj këtij emërimi ishte edhe Lumir Abdixhiku nga LDK. Sipas tij “Konsull lind, s’bëhesh! Shënim për gjithë të shkolluarit e shkretë, vajzat e djemtë më t’zot të shtetit, që ëndërrojnë t’i shërbejnë vendit me nder. Dhe habitemi pse vite më pas diplomacia serbe rrotullon historinë e fundit me ne”.

Gjatë ditës në Facebook është prononcuar edhe vetë Flakroni. Në postimin e tij në Facebook  Flakron Shala i përmend se është i kualifikuar dhe se po mbaron doktoraturën (po në Pragë).

“Unë ndihem shumë i nderuar dhe i motivuar që si biri i një ish-ushtari të UÇK-së kam pasur mundësinë që të përfundoj studimet themelore Master dhe jam në përfundim të Doktoraturës në Universitetin VSE (Prague University of Economics) në Republikën Çeke”.

Shala përkujton se në pozitën Konsull i Përgjithshëm është emëruar “sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën tre vjeqare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor”.

Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua, ka shkruar mes tjerash Shala.

Flakron Shala nuk përmend punën e tij të mëhershme në sektorin privat , pronar në firmën “Xhela Shpk” me seli në Malishevë, gjë që e kishte të listuar në Facebook.

Si dihet Flakron Shala është emëruar konzull në Pragë pas krijimit të koalicionit ekzistues qeverisës, i cili ekziston sot e kësaj dite falë votës së deputetit Haxhi Shala. Këte votë, gjë që tashmë dihet publikisht ai kishte vendosur të ia japë koalicionit në orët e mesnates, atëherë kur në shtëpinë e tij shkuan ish presidenti Hashim Thaci dhe lideri aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në seancën konstitutive të Qeverisë, sivjet me 3 qershor, deputeti Haxhi Shala atëherë deputet i NISMA-së, deklaroi ka vendosur që me votën e tij ta përkrhavë koalicioni .

“Pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të Presidentit dhe ish- kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti”, kishte deklaruar në seancën e Kuvendit Haxhi Shala. Kjo votë ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese . Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar interpretim të veprimeve të presidentit Thaçi, për siç thuhet detyrimin e Shalës që ta ndryshojë votën ndaj Qeverisë. Kushtetuesjaende ende heshtë lidhur me këtë cështje.

Ministresha e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, bashkëpartiake me Shalëne kishte dërguar rekomandimin për emërimin e të birit të Haxhi Shalës konzull me 28 shtator, kurse ish presidenti Thaci e kishte dekretuar Flakronin me 20 tetor. /infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.