Ballina / KRYESORE / Varrezat afrikano-amerikane fshehin hollësi të periudhës së skllavërisë
Varrezat afrikano-amerikane

Varrezat afrikano-amerikane fshehin hollësi të periudhës së skllavërisë

400 vjet më parë në koloninë e Virxhinias u sollën skllevërit e parë afrikanë. Gushti i vitit 1619 shënoi fillimin e historisë afro 250 vjeçare të skllavërisë në Amerikë, që tani njihet si “mëkati i parë i Amerikës”.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins njofton se si disa afrikano-amerikanë po përpiqen të ruajnë historinë e të parëve si një mënyrë për të kuptuar më mirë kontributin e tyre në Amerikë:

Në një cep të një lagjeje në qytetin historik Hampton të Virxhinias ndodhet një varrezë që ka gjasa të jetë varreza e parë afrikano-amerikane në territorin që sot përbën Shtetet e Bashkuara. Nëse është e vërtetë, do të ishte një fakt i rëndësishëm. William Tucker, foshnja e parë afrikane e pagëzuar në territoret e kolonizuara nga anglezët në Amerikën e Veriut mund të jetë varrosur këtu.

“Kemi zbuluar se jemi me prejardhje nga rajoni i Angolës, në një përqindje të madhe. Kjo vërteton atë që besonim prej kohësh,” thotë Vincent Tucker, trashëgimtar i familjes Tucker.

Analizat e ADN-së kanë konfirmuar se familja Tucker rrjedh nga Angola, vendlindja e Antonit dhe Isabelës. Djali i tyre, William, i pagëzuar me emrin e pronarit të plantacionit lindi në Virxhinia në 1624. Prindërit e tij ishin dy prej afrikanëve të parë të dokumentuar që silleshin si skllevër në koloninë angleze. Ata u sollën me anijen Luani i Bardhë.

“Kemi gjetur mbi 100 varre pa emër. Kemi vënë gurë të bardhë në të gjitha vendet ku analizat me rreze x kanë zbuluar një varr. Nuk e dimë sa të vjetër janë, por e dimë se janë shumë më të vjetër se varret që kemi me gurë shënjues,” thotë Walter Jones, trashëgimtar i familjes Tucker.

Nuk ka shumë informacion për jetën e William Tuckerit.

Brenda Tucker, trashëgimtare e familjes Tucker

“Kaq shumë afrikanë u kapën e u nisën me anije skllevërish. Shumë prej tyre nuk mbërritën gjallë, por ata që mbijetuan rrugës ishin më të shëndetshmit; ata ishin paraardhësit tanë. Kjo është tokë e shenjtë për ne. Nuk mund të ec këtu e të mos mendoj për paraardhësit nga kemi rrjedhur,” thotë Brenda Tucker, trashëgimtare e familjes Tucker.

Në qytetin Njuport të shtetit Rod Ajlend, historiani Keith Stokes kryeson përpjekjet për të ruajtur një varrezë të periudhës koloniale ku janë varrosur edhe skllevër:

“Që në vitin 1650 qyteti Njuport kishte një varrezë ku mund të varrosej kushdo, pavarësisht nga raca, klasa, etniciteti. Nga viti 1705 pjesa veri-perëndimore e kësaj varreze përdorej për të varrosur vetëm skllevërit. Gjatë 100 vjetëve që pasuan, qindra e qindra gurë varri shënojnë skllevërit e varrosur. Kemi bindjen se gjatë kohës që përdorej aktivisht këtu janë varrosur rreth 3000 vetë”.

Historiani dhe familja e tij kanë rrjedhur nga disa prej afrikanëve të parë që u sollën në Tokën e Re në 1696 me anijen Sea Flower, anija e parë me skllevër që është dokumentuar në Rod Ajlend.

“Edhe njerëz të familjes sime janë varrosur këtu. Por mbi të gjitha kjo varrezë shërben për identitetin tonë afrikan. Burra e gra me prejardhje nga Afrika jetonin në të njëjtin komunitet dhe u varrosën në këtë vend. Në këtë mënyrë ndjej një lidhje direkte me historinë e komunitetit tim”.

Sot mbeten më pak se 300 varre me gurët e gdhendur me emrat e afrikanëve të hershëm dhe më pas të afrikano-amerikanëve të zonës. Historiani Stokes përpiqet t’i ruajë ato, ndërkohë që përpiqet të mësojë për banorë të hershëm si Duchess Quamino.

“Ajo ishte skllave në familjen e William Ellery Channing, i cili besonte se skllavëria duhej të eliminohej, një bindje e lindur nga nga kujdesi që kishte treguar Duchess Quamino për të kur ishte i vogël. Në gurin e saj të varrit ai pat shkruar një epitaf ku e kujtonte si grua fetare dhe punëtore. Ia vlen të thuhet se Duchess Quamino e fitoi lirinë duke shitur ëmbëlsira në qytetin Njuport. Ajo u bë më pas pastiçierja më e njohur e shtetit Roud Ajlend; u pasurua goxha dhe arriti të blejë lirinë për vete dhe fëmijët”.

Zoti Stokes nuk është i vetmi në këtë përpjekje për mbrojtjen e varrezave të hershme. Në Hampton, familja Tucker fitoi një projekt të financuar nga shteti për t’u kujdesur për këtë territor prej gjysmë hektari që ruan një histori 400 vjeçare.

“Ne ekzistojmë pasi ata punuan fort, ata u munduan shumë. Ata bënë të pamundurën për të mbijetuar,” thotë Brenda Tucker.

“Jam krenar që së bashku, si shoqatë, si familje kemi bashkuar forcat për ta arritur këtë qëllim. Punuam shumë. Nuk e bëmë thjesht për vete, por sepse duam të ndajmë me të tjerët këtë element të historisë,” thotë zoti Jones.

Vlera historike e kësaj varreze tani po bëhet më e qartë për komunitetin. Për familjen Tucker kjo varrezë shërben për të mësuar për të kaluarën e për paraardhësit, të cilët duruan shumë që të linin pas këtë histori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.