Varësia ndaj blerjeve e shpenzimeve

Varësia ndaj blerjeve është një shprehi e zakonshme tek të dy gjinitë që vjen si pasojë e pamundësisë së menaxhimit të drejtë të parasë dhe shihet si një mënyrë e lehtë e gjetjes së qetësisë dhe rehatisë nga problemet që vijnë nga sfera të tjera jetësore.

Shkruan: Etleva Durmishi/infoglobi

Varësia e shpenzimit është e pranishme tek të dy gjinitë, jo vetëm femrat siç mendohet përgjithësisht. Dallimi i vetëm konsiston në atë se femrat shpenzojnë në veshje, ndërsa meshkujt në produkte të tjera që i bëjnë t’i harrojnë njejtë stresin dhe shqetësimet. Psh. të gjithë ata që kanë lodhje të jashtëzakonshme nga puna, përkeqësim raportesh me njerëzit e afërt apo bllokada të tjera me të cilat ballafaqohen në jetë, arrijnë të sigurojnë një kënaqësi të shpejtë dhe të lehtë në ato produkte ku bëjnë zakonisht shpenzimet më të mëdha.

Përveç kësaj, nxitja drejt shpenzimeve të pakufizuara vjen edhe si pasojë e disa parehative individuale dhe mungesës së një stabiliteti të nevojshëm. Kjo mund të ndodhë pra në ato raste kur procesi i formimit individual nuk është mbyllur plotësisht, mungesa e vetëbesimit është e shprehur, dhe vlera e dukjes matet me syrin e publikut (këtu sigurisht se përfshihen të gjithë ata, karriera e të cileve i kushtëzon të jenë në raport të përhershëm me publikun). Mëshkujt mund të gjejnë qetësi në shpenzime mbi videolojrat, cigaret, teknologjinë etj. Siç tregojnë studimet, entuziazmi i blerjes ka fuqi të ngulisë besimin se jeta mund të përmirësohet apo kënaqësia do ketë jetëgjatësi, por që shumë shpejtë rezulton të jemi të gabuar për këtë.

Shërimi nga varësia e blerjeve është i mundur, megjithëse kërkon durim të jashtëzakonshëm dhe përpjekje për kuptim të qartë të shkaqeve që çojnë në blerje te palimituara. Pamundësia e kontrollit është shenjë kryesore që kemi të bëjmë me shkaqe më të fshehura të shpenzimeve, dhe s’ka të bëjë edhe aq me nevojën e aty produkteve/veshjeve të ndryshme. Fillimisht propozohet të mendohet më tepër mbi shkaqet psikologjike që i paraprijnë blerjeve (stresi, shqetësimet e ndryshme, nervozat) dhe pastaj të aplikohet më tepër blerja me para cash (ku njeriu vihet në raport më të drejtpërdrejtë me paranë në dorë, e që automatikisht i bën të mendojnë më tepër mbi shpenzimet dhe gjendjen e llogarisë). Blerjet me kartelë bankare nuk lejojnë raportin e drejtpërdrejtë me pagesën dhe shpesh largon vëmendjen nga bilanci aktual i xhirollogarisë.