Ballina / BOTA / Urdhër ekzekutiv për rishikimin e vizave të punës
In Fabric

Urdhër ekzekutiv për rishikimin e vizave të punës

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv ku udhëzohen agjencitë qeveritare të rishikojnë programin e vizave H-1B, që mundëson kompanitë amerikane të punësojnë me kontrata të përkohëshme punonjës të huaj. Kritikët thonë se programi është përdorur për të punësuar të huaj me pagesë më të ulët, në dëm të amerikanëve. Por mbështetësit thonë se këto viza janë të nevojshme për të mbushur vendet e punës në industrinë e teknologjisë, jetike për ekonominë amerikane. Zoti Trump e nënshkroi urdhrin dje gjatë një vizite në shtetin verior të Uiskonsit, duke thënë se është pjesë e misionit të tij për të rindërtuar ekonominë amerikane.

Sipas urdhrit të ri të Presidentit Trump, agjencitë qeveritare janë të detyruara që të rishikojnë praktikat e tyre për kërkesat për viza dhe të sigurohen që të mos ketë abuzime dhe t’u jepet përparësi amerikanëve.

“Me këtë urdhër, unë udhëzoj çdo agjenci në qeverinë tonë që t’u përmbahet me përpikmëri ligjeve tona për t’u dhënë përparësi amerikanëve dhe të minimizojnë përdorimin e përjashtimeve dhe të përdorin në maksimum prodhimet amerikane në të gjitha agjencitë federale”.

Zoti Trump u tha të pranishmëve në takimin në një fabrikë veglash në Uiskonsi se abuzimet e shumta në sistemin amerikan të imigracionit u bëjnë të mundur punëdhënësve të zëvendësojnë punonjësit amerikanë të çdo fushe me krah pune më të lirë nga vende të tjera.

“Punonjësit amerikanë kanë kërkuar prej kohësh reforma për t’i dhënë fund abuzimit me viza dhe sot për herë të parë atyre po u dëgjohet zëri. Kjo përfshin ndërmarrjen e hapave të para për të vënë në lëvizje një reformë jashtëzakonisht të vonuar të dhënies së vizave H-1B.”

Vizat H-1B kanë si synim të ndihmojnë punonjësit që të sjellin punonjës të huaj me aftësi që janë të vështira për t’u gjetur në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi është i mirë, thotë profesori i shkencave politike, Ronil Hira për Zërin e Amerikës.

“Ideja është që të mbushen mangësitë për aftësi të caktuara. Pra, aty ku nuk ka krah të mjaftueshëm pune mes amerikanëve, sillen punonjës të specializuar të huaj për t’i mbushur ato mangësi”.

Ideja është për një qëndrim të përkohshëm. Por programi nuk është përdorur vetëm për të sjelllë punonjësit më të mirë dhe më të talentuar, thotë Hira.

“Është kthyer në një metodë për punonjësit që të sjellin punjonjës me rroga më të ulëta, me kontrata të përkohshme për të mbushur mangësitë. Si rezultat, programi është i mbimbushur në dëm të amerikanëve. Prandaj në këtë rast, zoti Trump ka absolutisht të drejtë”.

Profesor Hira thotë se zbatimi më strikt i rregullave, do të bënte të mundur vënien në dispozicion të disa prej këtyre vizave të përkohëshme për kompanitë që vërtet kanë nevojë për specialist me ekspertizë të rrallë.

Check Also

E postoi një artikull të BBC, dënohet me burg studenti

Një student aktivist është dënuar me burg për shkak se e kishte postuar një artikull …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *