U ratifikua Marrëveshja Kosovë – Serbi

Pas pauzës së dytë të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputetët e pranishëm me 84 vota pro, 4 vota kundër e me asnjë abstenim kanë miratuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Menjëherë pas ratifikimit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi kërkoi pauzën e tretë të seancës së Kuvendit.

Më heret, gjatë pauzës së dytë e cila ishte kërkuar nga Krasniqi, pasi atij i ishte marrë mikrofoni nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, atmosfera në sallë ishte mjaftë e tensionuar. Derisa pauza ‘dhjetë minutëshe’ e dhënë nga kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, po vazhdonte ende, punonjësit e sigurimit të godinës së Kuvendit të Kosovës, kanë filluar të largojnë me dhunë nga salla deputetët e Vetëvendosjes, të cilët kanë ngelur në sallë ku kanë vazhduar rotestën kundër ratifikimit të Marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë të arritur me 19 prill në nivel dy kryeministrash në Bruksel.

Përkundër largimit, deputetët e Vetëvendosjes po futeshin sërish në sallë nga dera tjetër e sallës.

Gjatë gjithë ditës në sheshin Nëna Tereze në Prishtinë , pjesëtarët e Vetëvendosjes kanë demonstruar kundër ratifikimit të marrëveshjes. Gjatë demonstratave ka ardhur deri tek përleshja mes protestuesve dhe pjesëtarëve të policisë. Mbi 60 demonstrues janë arrestuar, kurse 3 policë kanë pësuar lëndime. /infoglobi

E plotësuar (13:30)Siç raporton gazetari i infoGLOBI-t, deputetët e VV-së tani kanë zënë vendet e kryekuvendarit dhe nënkryetarëve të tjerë. Ministrat kanë mbetur në këmbë.

E plotësuar (13:23) Situata në Kuvendin e Kosovës, ka dalur totalisht jashtë kontrollit, në momentin kur kryekuvendari Krasniqi, ka kërkuar që të votohet.

Ishin deputetët e Lëvizjes e Vetëvendosjes, ata që i kapën mikrofonin Krasniqit duke mos e lejuar as të flas, por Krasniqi tentonte që të mbante mikrofonin gjatë gjithë kohës.
Lladrovci ka reaguar duke vrapuar drejt foltores për të ndalur këtë, mirëpo ishte Enver Hoxhaj ai që ndaloi Lladrovcin.
Krasniqi, ka dhënë pauzë pas 10 minuta.

E plotësuar (13:00) Ndërkombëtarëve nuk u kërkoj që të përkrahin Vetëvendosjen, por që të flasin për kriminelët e Kuvendit. Ata e dinë shumë mirë se çfarë krime kanë bërë këta kriminelat prapa meje. Kështu është shprehur kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo marrëveshje nuk ka ardhur në komisione dhe kështu është bërë një shkelje e rëndë. Në këtë marrëveshje ka gjithçka, për shëndetësi, arsimi, siguri dhe në asnjë komision kjo marrëveshje nuk ka ardhur” ka deklaruar Kurti.

Ne e kemi ftuar kryeministrin të raportoj në komisionin për punë të jashtm,e jo vetëm që nuk ka ardhur por as nuk ëshët përgjigjur, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit pa shkuar kryeministri në raportim te Komisioni për Punë të Jashtme, kurrsesi nuk guxon të ratifikohet marrëveshja. /infoGLOBI/

 

E plotësuar: (12:35) “Unë, si deputet i Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës u nisa drejt Kuvendit, për të kryer detyrën time në përputhje me mandatin që kam dhe për të shprehur qëndrimin tim dhe të Lëvizjes për Bashkim lidhur me këtë marrëveshje. Megjithatë, këtë nuk arrita ta bëja për shkak të pengimit të hyrjes sime nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje” është shprehur Deputeti i  Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta në një komunikatë per media.

“Edhe  përkundër sqarimit tim se më mirë është një votë KUNDËR më tepër sesa më pak; më mirë është një fjalim KUNDËR të cilin e dëgjojnë qytetarët sesa më pak  nuk hasa në mirëkuptimin e tyre, vendosa të mos insistoj më tepër” tha ai.

E plotësuar: (12:09) Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se ‘me ratifikimin e marrëveshjes,  në veri kriminelët jo vetëm që do amnistohet por edhe do qeverisin’.

“Është mëkat se si paralmenti gjerman, po përfaqëson më mirë interesat e Kosovës, sesa ju deputetë të Kosovës” u shpreh Ymeri.

Gjatë fjalës së Ymerit, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, liroi sallën e Kuvendit, për tu rikthyer, pasi Ymeri përfundoi fjalimin e tij./infoGLOBI/

E plotësuar (11:53) Gjatë intervenimit policor deri tani janë shoqëruar për në stacionet policore tridhjetë protestues dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme nga ana e protestuesve janë lënduar tre  zyrtarë policorë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

E plotësuar: (11:45) “E kemi ditur që procesi për normalizimin nuk do të jetë i lehtë, e kemi ditë se do jetë i vështirë dhe do të merr kohë” është shprehyr kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri ka ftuar deputetët ‘të votojnë për ratifikimin e kësaj marrëveshjes, që është marrëveshja e parë ndërshtetërore për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi’.

“Ju falënderoj për sygjerimet tuaja, për mbësthetjen tuaj, e natyrisht edhe për kritikat tuaja” u është drejtuar Thaçi deputetëve./infoGLOBI/

E plotësuar: (11:30) Pas një pauze prej gjysmë ore ka rifilluar seanca e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon protestën jashtë Kuvendit me qindra përkrahës të cilët ende po tentojnë të ndalojnë hyrjen e deputetëve në Kuvend.
Në këto momente kryeministri Hashim Thaçi,  po paraqet arsyetimin pse deputetët duhet ta ratifikojnë Marrëveshjen.

E plotësuar (11:00) Kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi ka ndërprerë seancën e Kuvendit për tridhjetë minuta pasi nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve në sallë, për të marrë ndonjë vendim.

Shumë deputetë po vazhdojnë të pengohen të hyjnë në Kuvendin e Kosovës, nga protestuesit të cilët me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bllokuar të gjitha hyrjet e Kuvendit.

Protesta po vazhdon ndërsa seanca pritet të fillojë pas 30 minutash./infoGLOBI/

E plotësuar: (10:40) Policia e Kosovës, ka arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi ata kanë ndaluar hyrjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Policia është përleshur me protestuesit në hyrjen mbrapa Qeverisë, dhe ka tentuar t’i largojë ata për të mundësuar hyrjen e disa deputetëve./infoGLOBI/

E plotësuar: (10:39) Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që të krijoj kushte që të gjithë deputetët të kenë mundësi të hyjne në Kuvend.

Ai ka kërkuar edhe nga policia e Kosovës, që të jenë më të përgjegjshëm.

Ndërsa, Krasniqi, i është drejtuar Hoxhajt, duke i thënë, se ai nuk është as polic e as gjykatës. “Të gjithë i kanë detyrat e ndara, unë s’jam as polic, as gjykatës, e as prokuror” ka thënë Krasniqi.

E plotësuar: (10:35) Ambasadorja e ShBA-së në Kosovë, Tracy Jacobson përmes rrjetit social “Twitter” ka shkruar se protestuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë provuar të na ndalojnë të hyj në Kuvend.

“Vetëvendosje provoi të na ndalonte, por ne hymë me përpjekjen e dytë!”, ka shkruar ajo./infoGLOBI/

E plotësuar: (10:30) Deputeti i Partisë Demokratike, Zenun Pajaziti, sot gjatë seancës së Kuvendit është shprehur se, gjatë hyrjes në Kuvendin e Kosovës, ka pasur dhunë ndaj deputetëve. “Sot ka pasur dhunë fizike ndaj nesh, fizikisht jemi penguar që të hyjmë në Kuvend” ka deklaruar Pajaziti.

Ai ka kërkuar nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, që të bëj diçka që deputetët që dëshirojnë të jenë pjesë e seancës sot të mos pengohen./infoGLOBI/

E plotësuar (09:45): Për momentin hyrjet e Kuvendit janë të bllokuara nga protestuesit.

E plotësuar (09:15) Para pak minutash ka filluar demonstrata e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër Ratifikimit të Marrëveshjes, Kosovë-Serbi, pikë kjo që është në rend dite sot.

Protestuesit janë para të gjitha hyrjeve të Kuvendit të Kosovës dhe për momentin janë të qetë, njofton nga vendngjarja gazetari i infoGLOBI-it.

Përndryshe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dje gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se ‘ratifikimi do të jetë tanimë edhe më i lehtë, edhe për deputetët, sepse ajo marrëveshje, ai vendim i drejtë, tani reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve kudo në Kosovë, në veçanti në veri’.
Ndërsa sipas VV-së ‘marrëveshja, Serbisë ia garanton kontrollin mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, legalizimin e strukturave të paligjshme e armiqësore si dhe ndarjen e një pjesë të gjyqësorit enkas për veriun’, ndërsa ‘Plani i Zbatimit kërkon që të gjithë punonjësve të strukturave kriminale të Beogradit t’iu ofrohet amnisti, pavarësisht veprimeve të tyre të deritashme’./infoGLOBI/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!