fbpx

U liruan si të pafajshëm, kërkojnë miliona euro dëmshpërblim

Figurat politike, si Fatmir Limaj, Sami Lushtaku, ish-guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi e të tjerë kanë kërkuar miliona euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës pasi u shpallën të pafajshëm në procese gjyqësore. Por kompensimet për ta ende nuk janë realizuar. Avokatët thonë se po presin seancat gjyqësore, derisa buxheti i KGJK-së për këtë kategori është vetëm 500 mijë euro.

Për shkak aktakuzave të pabazuara dhe vendimeve gjyqësore të kontestuara, qindra qytetarë të Kosovës janë privuar nga liria, nderë ta edhe figura të larta politike.

Disa i janë drejtuar edhe gjykatave për të kërkuar të drejtën e tyre dhe shteti mund të humbë miliona euro për shkak të gabimeve të prokurorëve dhe gjykatësve.

Ndërsa buxheti i KGJK-KGJKsë është i limituar,  pasi fondi i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për kategorinë e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye ka qenë dhe është 500 mijë euro.

Kompensim financiar ka kërkuar edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj për procesin gjyqësor ndaj tij në rastin”Kleçka”.

7  milion euro është shuma që Limaj kërkon nga shteti. Përballja e tij tri herë radhazi me drejtësinë në rastin “Kleçka”, në të cilin rast akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe vërtetimi i pafajësisë, ka bërë që Limaj gjatë viti 2017 të kërkoj kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj tha për lajmi.net se ende nuk është mbajtur asnjë seancë, edhe pse tashmë ka dy vite që e kanë dorëzuar padinë në gjykatë.

Rrecaj tha se janë në pritje të thirrjes nga gjykata për kërkesën e tyre. “ Jo ende jo, padinë e kemi dërguar në Gjykatë, ende nuk është mbajtur asnjë seancë ka tashmë dy vite. Jemi në pritje të thirrjes nga ana e gjykatës kjo është proceduar gjyqësore që zgjatë, po presim”, tha Rrecaj.

Ndërsa për paralajmërimet e Limajt se do të kërkojë dëmshpërblim nga shteti edhe për rasti MTPT, në të cilin Limaj dhe zyrtar të tjerë në atë kohë të MTPT-së u shpallën të pafajshëm nën akuzat për korrupsion, avokati Rrecaj ka thënë se ende nuk kanë bërë kërkesë.

“Jo për MTPT nuk kemi bërë kërkesë, ndoshta mund ta zgjerojmë gjatë seancës, por nuk kemi bërë kërkesë, e analizojmë në të ardhmen ndoshta mund ta zgjerojmë nëse mund ta zgjerojmë kërkesën”, tha Rrecaj.

Po ashtu, kompensim financiar prej 1 milion e 446 mijë e 890 euro ka kërkuar edhe Sami Lushtaku, ish-komandat i UÇK-së dhe ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.

Ai është shpallur i pafajshëm, por para marrjes së këtij vendimi nga Gjykata Supreme, Lushtaku ka vuajtur katër vite e një muaj burgim.

Duke marrë parasysh që është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Arianit Koci me 20 nëntor të vitit 2018, ka bërë kërkesë për marrëveshje për kompensim financiar me KGJK-në.

Në kërkesë thuhet se Lushtaku është dënuar dhe është mbajtur në burgim pa arsye, dhe kërkon kompensim në emër të dëmit material dhe jomaterial të shkaktuar si rezultat i dhimbjes, vuajtjes shpirtërore të intensitetit të lartë, cenimit të së drejtës së reputacionit dhe të drejtës së personalitetit, shpenzimeve lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, shpenzimeve për vizitat familjare, dërgimin e pakove dhe transportin për anëtarët e familjes. Gjithashtu ishte kërkuar kompensim për detyrimet financiare ndaj avokatit për të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën penale të zhvilluar ndaj tij.

Por, Lushtaku ende nuk ka marrë kompensimin e kërkuar nga shteti i Kosovës, avokati i tij, Arianit Koci ka thënë se janë në pritje nga ana e gjykatës.

”Padinë e kemi deponuar dhe jemi në pritje nga ana e gjykatës”, tha Koci.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, ka kërkuar një kompensim në shumën prej 25 milionë e 530 mijë eurove, për kompensimin e gruas dhe dy vajzave të të ndjerit Hamdi Sopës, të cilat u mbajtën në paraburgim për 177 ditë, nën akuza se kanë vra babanë respektivisht burrin.

Gashi ka thënë se rasti është në gjykatë dhe ende nuk është caktuar shqyrtim gjyqësor. Derisa ka shtuar se përfundimisht ky rast është vërtetuar më  4 ekspertiza.

Po ashtu Gashi ka thënë se organet shtetërore të Kosovës e kanë obligim dhe duhet t’i kompensojnë viktimat e punës së “qëllimshme, të rastësishme apo nga padituria që bëjnë”.

“Shumë e kërkuar ka qenë mbi 25 milionë euro, rasti është dërguar në Gjykatë,  ende nuk është caktuar shqyrtimi gjyqësore. Por besojë, përveç që kompensimi ju takon, kjo është përgjegjësi për organet e ndjekjes që të mos bëjnë arrestime më akuza trishtuese siç ka qenë rasti i familjes Sopa, kinse dy vajzat me nënë e tyre kanë vra babanë respektivisht burrin, pra e kanë gjuajtur nga ballkoni. Pra përveç qëndrimit në paraburgim, për të cilën besoj se hetuesia, prokuroria e gjykata kanë mundur ta din që rasti nuk është i vërtet por është inskenim, përfundimisht ky rast është vërtetuar me 4 ekspertiza të tjera, jo ekspertizën e Arsim Gerxhaliut. Ato kanë qenë kryesisht të pafajshme dhe se fare nuk ka qenë rasti ashtu siç kanë aluduar vrasje. Unë besoj që ky rast ka pasur edhe ndërlidhje me tentimin për fshehjen e vrasjes së Dino Asanajt, kështu që për këtë arsye është krijuar edhe ky rast. Kështu që organet shtetërore të Kosovës e kanë obligim dhe duhet t’i kompensojnë viktimat e punës së qëllimshme, të rastësishme apo nga padituria që bëjnë. Dhe kjo shkon edhe një pjesë që qytetarët të kenë një siguri më të madhe që arrestime nuk duhet dhe nuk mund të ndodhin”, tha Gashi.

Kurse, me pretendimin se pa të drejtë ishte mbajtur në paraburgim si dhe për masat tjera për sigurimin e pranisë së tij, ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, e ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nga i cili institucion kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material.

Rexhepi kërkon mbi 1 milion e gjysmë euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës.

Një shumë të tillë, ai e kërkon për shkak të pretendimeve se prej 23 korrik 2010 deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj i ishin shqiptuar edhe masat tjera si ajo e dorzanisë si dhe paraqitja në Stacionin e Policisë gjerë më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Edhe avokati i tij, Adnan Pacolli ka thënë se janë në pritje të gjykatës për këtë rast.

“Ende nuk është aprovuar kërkesa, jemi në pritje të gjykatës”, tha Pacolli.

Ndërsa, fondi i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për kategorinë e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye ka qenë dhe është 500 mijë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.