Trump, Macron pajtohen për rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai francez, Emmanuel Macron u takuan në Londër një një klimë të nderë, pas komenteve të zotit Macron se NATO-ja po përjeton “vdekje klinike” dhe pasi zoti Trump e kritikoi atë për një vlerësim të tillë. Në takim të dy udhëheqësit dukeshin më të ftohtë se zakonisht ndaj njëri-tjetrit, por ranë dakord se vendet e tjera duhet të kontribuojnë më shumë.

Presidenti Donald Trump tha se është i kënaqur që vendet anëtare të NATO-s po e rrisin buxhetin për mbrojtjen, por se duhet bërë më shumë për të ndarë barrën financiare të aleancës.

“Ka disa vende që nuk po e përmbushin angazhimin e tyre dhe ato do të marrin një reagim. Ndoshta mënyra sesi do të kundërpërgjigjem është nga pikëpamja tregëtare. Ndoshta në një mënyrë tjetër. Do të gjej një mënyrë, që ata të paguajnë”, tha ai.

Presidenti Trump shtoi se është e drejtë që Franca të luajë rolin e saj.

“Mendoj se Presidenti (Macron) dhe unë, duam më shumë fleksibilitet. Dhe mendoj që të dy jemi dakord për një gjë të tillë, që ta përdorim për të tjera gjëra jo vetëm për një vend të veçantë”, tha ai.

Ishte takimi i parë mes dy presidentëve që kur udhëheqësi francez tha në një intervistë se NATO-ja po përjeton “vdekje klinike”. Zoti Macron tha se u qëndron komenteve të tij. Presidenti Trump e kishte kritikuar të martën zotin Macron duke thënë se komenti i udhëheqësit francez ishte një “deklaratë e shëmtuar”.

Ai shtoi se është dakord se Shtetet e Bashkuara kontribuojnë në mënyrë disproporcionale.

“Kjo është arsyeja që unë mbështes me forcë idenë e një faktori më të fortë evropian në NATO dhe pikërisht këtë po bëjmë. Kështuqë përsa i takon ndarjes së barrës, ne po investojmë 1.9 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe po e rrisim këtë prodhim”.

Por zoti Macron shtoi se kur flitet për NATO-n, nuk bëhet fjalë vetëm për aspektin financiar dhe duhet ta drejtojë vëmendjen tek rreziqe të reja me të cilat përballet aleanca.

“NATO ka bërë shumë përparim në tre vitet e fundit dhe është diçka për të cilën ne jemi shumë krenarë sepse ne jemi me NATO-n. Nëse të gjithë përfshihen, NATO-ja ka një rol fantastik. Mendoj që edhe presidenti (Trump) është shumë i angazhuar dhe i pëlqen ideja e NATO-s, por do gjithashtu që të përdoret ashtu siç duhet”.

Të dy udhëheqësit ndodhen në Londër për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të aleancës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.