Ballina / KOSOVA / Tri kushte të reja nga Franca për Kosovën
haradinaj, franca,vizat

Tri kushte të reja nga Franca për Kosovën

Ndryshe nga Gjermania e cila  ka thënë po për vizat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ua ka mësyrë shteteve të fuqishme të BE-së veç e veç, për të marrë mbështetjen dhe për t’u siguruar se ato përkrahin lëvizjen e kosovarëve pa viza në Zonën Shengen.

Por ndryshe nga Gjermania e kancelares Angela Merkel e cila i ka thënë një “PO” të madhe për vizat, Franca e presidentit Emanuel Macron i ka kërkuar Kosovës prova të reja në tre fusha të rëndësishme të sundimit të ligjit.

Gjatë vizitës së fundit në Paris, Haradinaj ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Christophe Castaner, me të cilin edhe kanë nënshkruar një dokument, të cilit Haradinaj i referohet si “letër e qëllimit të mirë”, e ne të cilën Kosova zotohet se do të luftojë krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal.

“Në takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kërkova mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin. Në këtë frymë, bashkë nënshkruam edhe letrën e qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal”, ka shkruar Haradinaj të hënën në profilin e tij në facebook, raporton Gazeta Express.

Këto tre kushte e tregojnë më së miri faktin se pse Franca është një prej vendeve skeptike sa i përket lëvizjes së lirë të kosovarëve në Zonën Schengen.

Madje ndryshe nga Ministria e Punëve të Brendshme , ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian kohë më parë kishte thënë se ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Se Franca nuk ka qëndrim konkret sa i përket liberalizimit të vizave ditë me parë e ka treguar edhe deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka zbuluar se Ministria e Punëve të Brendshme të Francës i ka drejtuar disa pyetje ministrisë së Brendshme të Kosovës, dhe nga përgjigjet që do të marrë do të shënojnë edhe pozicionin e saj karshi procesit të liberalizimit.

Kjo pasi që Komisioni Evropian nuk i ka ndihmuar dhe nuk e ka bindur Francën rreth qëndrimit që duhet të marrë për heqjen e regjimit të vizave.

“Ka paqartësi dhe përderisa në Gjermani ka disa hapa pozitivë dhe këtë e kemi vërejtur nga takime të shumta që kemi pasur atje. Përkundër argumentimeve të shumta që kam tentuar të bëj që të gjitha kriteret janë plotësuar, që ne po ndëshkohemi për gabimet e shteteve të tjera, Franca ka insistuar që kanë dërguar kërkesat te Ministria e Brendshme dhe se përgjigjet që do të marrin nga ato kërkesa të dërguara do të jenë bazë”, ka deklaruar ajo teksa ka shtuar se s’ka arsye që MPB’ja të mos plotësojë në kohë rekorde këto kërkesa.

Si skeptike për liberalizimin e vizave po shihet edhe Holanda, e cila kohë më parë ka kërkuar që edhe Shqipërisë t’i rikthehet regjimi i vizave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.