Tre ditë heshtje parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Nga mbrëmë, në Maqedoninë e Veriut ka filluar heshtja parazgjedhore. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 15 korrik janë të dhjetat me radhë që nga pavarësia e këtij vendi.

Partitë janë përpjekur që të zhvillojnë një fushatë në përputhje me rrethanat e imponuara nga koronavirusi, por nuk duket se i janë përmbajtur këtyre kushteve, sidomos në ditët e fundit të fushatës.

Votuesit në Maqedoninë e Veriut për herë të parë që nga pavarësia do të votojnë gjatë një dite pune dhe në kushtet e një krize shëndetësore me koronavirusin që çdo ditë merr mesatarisht 5 – 6 jetë njerëzish.

Mbi 1 milion e 814 mijë votues janë në regjistrin zgjedhor në shtetin me popullsi rreth dy milionë, ku censusi i fundit është bërë para 18 vjetësh.

Sot votojnë personat e prekur nga COVID-19 dhe të izoluarit. Nesër votojnë të sëmurët, të burgosurit dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të mërkurën, më 15 korrik për të gjithë të tjerët qendrat e votimit do të hapen nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 9 të mbrëmjes, dy orë më tepër se zakonisht.

Partitë dhe kandidatët e mbyllën mbrëmë fushatën parazgjedhore me takime me mbështetësit e tyre ose përmes konferencave për shtyp. Fushata ka kaluar kryesisht e qetë, por nuk ka munguar gjuha e urrejtjes, sidomos nëpër rrjetet sociale nga aktivistë dhe militantë të partive.

Shqiptarët dalin të ndarë, përveç një koalicioni midis Aleancës dhe Alternativës. Bashkimi Demokratik për Integrim garon me moton “Për kryeministrin e parë shqiptar” dhe ish-politikanin Naser Ziberi për në këtë post. Lëvizja Besa ka hyrë në koalicion me Lidhjen Social Demokrate dhe mbi njëzet parti të vogla e entitete politike të përkatësisë joshqiptare, një zhvillim i ri ky që për herë të parë ndodh zyrtarisht në një palë zgjedhje parlamentare këtu. E vetme në garë është edhe Partia Demokratike Shqiptare.

Të gjitha partitë shqiptare në zgjedhjet e fundit kishin njëzet deputetë së bashku dhe dy të tjerë të Lidhjes Social Demokrate, në parlamentin prej 120 vendesh. Njohësit e rrethanave nuk parashikojnë ndonjë rritje të konsiderueshme të numrit të ligjvënësve shqiptarë pas zgjedhjeve të 15 korrikut për shkak të përçarjes së partive të tyre që, sipas analistëve çon edhe drejt defaktorizimit të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Lidhja Social Demokrate në zgjedhjet vendore të 2017-ës mori dhjetëra mijë vota të shqiptarëve dhe kështu shpreson të ndodhë edhe më 15 korrik.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja synon votat e elektoratit konservator dhe me pikëpamje nacionaliste maqedonase që nuk e pranojnë dot ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut.

Procesi vëzhgohet nga dhjetra përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues vendas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!