Tragjedia në Gjilan, IKP rekomandon suspendimin e 4 zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së, përfshirë komandantin e stacionit policor në Gjilan, Alban Ramushi, zëvendësin e tij, Naser Rrahmani dhe shefin e operativës, Nijazi Kolgeci, për shkak të tragjedisë së ndodhur të martën në këtë qytet. Po ashtu, është rekomanduar edhe suspendimi i një zyrtari të stafit civil.

Pjesëtarja e PK-së, Valdete Bllaca, dyshohet se të martën në mesditë, me armë zyrtare vrau prindërit, dy vëllezërit dhe veten.

“Pas raportimit për incidentin në Gjilan ku dyshohej se ishte e përfshirë një zyrtare policore, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes në lagjen ‘Bujanina'”, thuhet në njoftimin e IPK-së. “Ekipet e hetuesve të IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe zyrtarë të PK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast me pasoja tragjike. Bazuar në këto veprime hetimore dhe pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës pas grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak në stacionin Policor Gjilan i ka rekomanduar, sot Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së lidhur me këtë rast”.

Sipas komunikatës, rekomandimi për suspendimin e komandantit të stacionit policor, zëvendës komandantit policor, shefit të operativës të stacionit policor dhe një zyrtari të stafit civil, është bërë në interes të hetimit dhe të njëjtit janë duke u hetuar nga IPK me dyshimin së kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.