rritja ekonomike

Thirrje për hapa të shpejtë për rimëkëmbje të ekonomisë

Oda Ekonomike e Kosovës bëri thirrje të hënën për tejkalimin e problemeve politike për të siguruar miratimin e ligjit për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Javën e kaluar parlamenti dështoi të votojë këtë ligj për shkak të mungesës së korumit. Ligji mes tjerash synon të sigurojë futjen në treg të një shume prej rreth 1 miliard e 200 milionë eurosh.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se ky ligj mundëson që shumë instrumente të pakos së rimëkëmbjes ekonomike të vihen në funksion të bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

“Është momentumi që gjatë muajit shtator apo tetor më së largu pjesa më e madhe e pakos së rimëkëmbjes të futet në qarkullim pra është kjo nevoja me pasëmasë monetare në treg në mënyrë që kompanitë me pas mundësi të funksionojnë, kompanitë me pas mundësi me ruajt punësimin, kompanitë me pas mundësi të ruajnë raportet në mes veti fornitor, shitës, blerës dhe raportet me banka”, tha ai.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se me gjithë vështirësitë që ka krijuar situata me pandeminë, javëve të fundit bizneset kanë filluar të shohim përmirësim të ekonomisë.

“Vërehet sadopak një kthim të optimizmit, vërehet një numër më i menaxhueshëm i rasteve pra nuk e kemi atë panikun e fundit të muajit korrik por ende mbeten shumë probleme që lidhen me kufizimin e orarit. Prandaj ne kërkojmë pasi kemi respektim të masave dhe tash kemi ligjin për menaxhimin e COVID të hiqen të gjitha kufizimet nga ekonomia me kushtin për respektimin e masave, prat ë hiqen të gjitha kufizimet për të gjithë sektorët dhe po ashtu për lëvizjet e qytetarëve”, tha zoti Rukiqi.

Shumë qytete të Kosovës aktualisht përballen me kufizim të orarit të punës dhe lëvizjes së qytetarëve. Këto masa u morën muajin e kaluar për shkak të numrit të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe të viktimave të koronavirusit.

Autoritetet në Kosovë deri më tash kanë konfirmuar më shumë se 11 mijë e 500 persona të prekur me COVID-19, prej të cilëve 410 kanë humbur jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.